Vasili: Frenim hyrjes së ilaçeve të skaduara në vendin tonë
Ministri i shëndetësisë, Petrit Vasili, në raportimin e tij të parë në komisionin parlamentar ka shpalosur reformat në sistemin shëndetësor. Luftë kundër korrupsionit nëpërmjet kontrolleve të herëpashershme në spitale, forcim të instancave shëndetësore si dhe ngritjen e një strukture për monitorimin e medikamenteve që hyjnë në vend kanë qenë ndër pikat kryesore. Sipas ministrit Vasili, forcimi i sistemit të farmakovigjilencës do të frenojë hyrjen e barnave të skaduara në vendin tonë.
Platforma
"Një objektiv që ne kemi vënë dhe do ta realizojmë pa diskutim dhe është i domosdoshëm, tashmë i munguar prej kohësh, është ngritja e strukturave të farmakovigjilencës. Do të thotë, ç’ndodh në tregun farmaceutik realisht? Jo thjesht dhe vetëm që a është një kuti e paregjistruar në farmacitë tona, po dhe ato barna tashmë të regjistruara, a kanë të njëjtën cilësi edhe pas regjistrimit", - u shpreh Petrit Vasili, ministër i Shëndetësisë.
Në kushtet kur pandemia e gripit të derrave është evidente, pjesë të rëndësishme në politikat e Ministrisë së Shëndetësisë do të jenë dhe rifinancimi i shërbimit të shëndetit publik. "Pa një konceptim ndryshe të shëndetit publik nuk mund të ketë një shëndetësi të ekuilibruar. Tema të mëdha që shqetësojnë opinionin shqiptar do të jenë në fokusin e reformimit të vazhdueshëm edhe të këtij sektori të madh, siç është shëndeti publik", - vijoi Vasili.
Korrupsioni
Ministri ka paralajmëruar kontrolle intensive dhe të herëpashershme në spitale, në kuadër të luftës kundër korrupsionit. Premtimi i tij i parë për të gjithë pacientët ka qenë ky: "Ky është një premtim publik, Ministria e Shëndetësisë, e mbështetur nga komisioni parlamentar, nuk do të falë kurrë asgjë që në pikëpamje të etikës mjekësore mërzit dhe zemëron qytetarët dhe pacientët".