Shqipëri trastash
Aurora Allushaj / Romë
Thashetheme vijnë nga atdheu. Nga atdheu im, yti, yni. Çdo ditë zbrazen trastat e mbushura plot. Interneti gëlon, madje edhe rrugëve derdhen copëza fjalish. Dje dëgjova se qenka vendosur emri i personit që do të bëhet president, madje të gjitha takimet zyrtare që po bëhen qenkan veç lojëra. U mendova gjatë, mbrëmë nuk vura gjumë në sy. Akoma e njëjta histori që përsëritet në shekuj. Gjithçka e paramenduar, ndërsa “ne” shpresojmë akoma se gjërat do të ndryshojnë. Jo rrallë, Shqipëria më shfaqet si një minierë, e lënë pas dore, e shfrytëzuar më së keqi. Çdonjëri prej nesh mbush “trastën” dhe, si kusar i rëndomtë, ikën kuturu. E gërryejmë deri në palcë, e shpesh, e shpërfytyrojnë më së keqi. E shoh shpesh të strukur në atë cep të Europës, si një “nënë prostitutë” që shet trupin e vet për të ushqyer fëmijët. E mjera ti… Fëmijët e tu!? Ata vetë po ta bëjnë gropën. Nuk e shikon sesi po sillen? Nuk i shikon Lupenët tek turren të të rrëmbejnë “nderin”!? Madje edhe të huajt kërkojnë të të plaçkitin si të munden, me një diplomë të blerë në një nga të shumtët universitete që mbijnë çdo ditë si kërpudha. Apo duke të tërhequr “trurin” e kombit duke ju ofruar vende pune dhe jetë komode jashtë trojeve të tua. Faik Konica ka thënë: Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët. Ndoshta janë ata të parët që po ia bëjnë gropën dhe ne, dashur apo padashur, të gjithë po i hedhim nga një dorë dhé sipër. Ata dhe të tjerë. E mbuluan të mjerën, ia prishën freskinë e 100-vjetorit, ia gërryen plagët për së gjalli, ia shkulën nga gjoksi vajzat Kosovë dhe Çamëri. Dhe faji është i askujt. Vazhdojmë të ecim përpara me ndërgjegjen e zhytur në faj, të gjithë ne. Kam faj, e ndiej, faj sepse ika, të lashë pa fjalë, atëherë kur nuk duhej. Ndoshta nesër do të isha dikush, do të të ushqeja pak nga pak me praninë time. Por të vodha dhe unë, të vodha besimin se do isha çdo kohë me ty. Por vazhdoj të besoj se ndoshta gjërat do të ndryshojnë. Vazhdoj të lutem, ashtu siç u lutën vëllezërit Frashëri, të kritikoj dhe admiroj siç bëri Konica. Zoti e ruajttë Shqipërinë nga vetë ne shqiptarët.