E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një triptik për Librin

Titulli: Apokalipsi sipas Shën Tiranës

Autori: Zija Çela

Gjinia: roman

Shtëpia botuese: Toena

Ali Aliu

Brenda veprës së shkrimtarit gjejmë të pleksura tërë fushat e jetës dhe të ekzistencës njerëzore. Aty janë përditshmëria, ëndrrat, historia, mitet, dashuria, urrejtja, është filozofia e psikologjia mbarëshqiptare, janë bizneset, intrigat, zakonet, shpirti, lindja, vdekja, ringjallja, vrasja, është Zoti, shteti, feja, qielli, Hadi. Është estetika përfshirëse e universit... Pra është një botë që shpaloset shkallë-shkallë, duke u shtrirë përmes një epike narrative që të rrëmben pa e hetuar. Është bota njerëzore, monumentalizuar në universin shekspirian, është nderi, dija dhe padija, është shkolla, besimi dhe zhgënjimi, është dhuna, mizoria dhe tirania, është hetimi, gjykimi, dënimi dhe mosdënimi, është brutaliteti, falsiteti dhe gjuha e urrejtjes së politikanëve, aq buçitëse në hapësirën tonë. Dhe, për ankthin e përgjithshëm të njerëzimit, edhe psherëtima: “Zot, rri me ne se është kah erret!”

Mehmet Kraja

… I mbindërtuar mbi një realitet që autori e njeh fort mirë, në këtë “Apokalips” i bëhet gjëma Tiranës njerëzore, Tiranës intelektuale, Tiranës politike, Tiranës mikroborgjeze, Tiranës provinciale dhe hipokrite. Dhe përkundër kijametit, vepra nuk ngjall ndjenjë refuzimi, përkundrazi, sepse të vërtetat e një shoqërie vijnë si të vërteta universale. Sesi do të vazhdojë më tej autori, kjo nuk dihet; por për diçka jam i sigurt: Zija Çela ka ndërtuar tashmë një sagë shqiptare krejtësisht të veçantë dhe të papërsëritshme. Zija Çela është nga shkrimtarët e paktë te ne që ka arritur të krijojë autorësi, çka do të thotë se vepra e tij i ka shenjat e njohjes, ka emblemën e saj. Për të arritur në këtë pikë, kur shkrimtari krijon një opus letrar përfaqësues, Zija Çelës i është dashur të identifikojë dhe të konsolidojë rrethin tematik të veprave të tij, të identifikojë postulatet e veçanta autoriale, të jetë vetja e tij dhe të mos i ngjajë askujt.

Rudolf Marku

...Në kuptimin e figurshëm, “Apokalipsi” fillon me forcën goditëse të ortekut. Një vdekje e rëndomtë (atak i parashikuar në zemër) brenda një nate ndiqet fatalisht nga vdekje të tjera, këto përsëri nga të tjera, e kështu deri në përmasat e katastrofës, që ngre Tiranën më këmbë. Përgjatë rrokullisjes marramendëse të ortekut, shfaqet popullata e pafundme e personazheve dhe, në krijimin polifonik të personazheve, Zija Çela është më tepër se kurrë në ujërat e veta. Por në logjikën e perceptimit të ortekut, që përcakton dhe ritmin gjuhësor të romanit, na shfaqet një paradoks: orteku fiktiv bie (shkon) nga poshtë lart dhe jo nga lart poshtë. Nuk kemi të bëjmë me një zbritje, por me ngjitje. Plotmëria, ngjarjet, intensiteti emocional, karakteret, çdo gjë është në ngjitje, aq sa paralajmërojnë një shpërthim... Dhe ja ku vjen edhe shpërthimi, një shpërthim simbolik e delikat, sa i beftë aq edhe i kuptueshëm, shpërthimi në stërkala i një zemre. Ironikisht nuk plas zemra e ndonjë personazhi, por e vetë autorit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›