Zija Çela, Promovim pa VIP-a, recensioni nga një i papunë
“Nëse ky titull ju tremb, ju ftoj të gjeni vetë një tjetër, por pas leximit të librit”- kjo është këshilla që shkrimtari Zija Çela ka për lexuesit e librit më të fundit “Apokalipsi sipas Shën Tiranës”, që u promovua dje Teatrin Metropol nga shtëpia botuese “Toena”. Asnjë personalitet i ftuar. Ishte vetëm ai përballë gazetarëve dhe një njeri publikisht i panjohur. “Askush, përveç jush, nuk e di se unë jam këtu me një roman të ri në dorë. Nuk e dinë familjarët e mi, as bija ime e shtrenjtë, as miqtë më të ngushtë. Por faktin që tashmë romani u botua dhe autori ndodhet para jush, nuk e dinë gjithashtu as vetë recensuesit, personalitete të shquara të letrave që e kanë lexuar në dorëshkrim dhe i kanë lënë dëshmitë në parathënien e librit. Në sallë ndodhet i ftuar vetëm një njeri. Dhe nuk është njeri publik, as shkrimtar, as kritik a studiues me tituj, aktualisht një i papunë, një qytetar i zakonshëm dhe, falë formimit e kulturës autodidakte, një lexues i pazakontë. Ai quhet Juli Qineti.”- iu drejtua shkrimtari gazetarëve. Ishte pikërisht ai qytetari i zakonshëm, i papunë, por me një formim kulturor të pazakontë, të cilit shkrimtari i kishte besuar recensionin e librit të tij. Me këtë formë promovimi shkrimtari jo domosdoshmërish përpiqet t’i kundërvihet mënyrës tradicionale të prezantimit të librave, mënyrës së rëndomtë ku librat e rinj paraqiten me disa referues dhe me sallën plot, kur asnjë prej pjesëmarrësve në sallë s’e ka lexuar librin. “Unë nuk jam refuzues kategorik. Në thelb, unë refuzoj vetëm klishetë monotone”- tha ai
Pse zgjodhi këtë mënyrë prezantimit për “Apokalipsin”
“Sepse ashtu si për librat që shkruaj, nuk më pëlqen të jem përsëritës, prandaj e kërkoj formën.”- thotë Çela, i cili deri në momentet e fundit (para se të nisej për te Metropol ku do të prezantonte romanin e tij) kishte menduar t’ia fshihte edhe bashkëshortes se për ku ishte nisur. Por pikërisht këtu ishte thyer. “Në çastin që po dilja nga shtëpia pata një thyerje, nuk mund t’ia fshihja më sime shoqeje se për ku isha nisur. Ajo ka qenë korrektore e librit, pra e ka lexuar dhe kur tundi kokën për mirëkuptim, besova se iu kujtua një skenë nga romani. Është një situatë që djali i thotë të atit: “Më fal, baba, por unë nuk mund të bëj asgjë për ty përpara shtetit.” Dhe tjetri ia kthen: “S’ka gjë, mor bir, por as unë s’do të mund të bëj asgjë për ty përpara Zotit.”- na zbulon diçka nga romani i tij.
Çfarë është “Apokalipsi”, sipas shkrimtarit
“Megjithëse më kanë shërbyer edhe Bibla, edhe Kurani, romani flet për atë tjetrin, atë që njerëzit ia shkaktojnë vetë njëri-tjetrit, apokalipsin që po jetojmë”. Në qendër të romanit "Apokalipsi sipas Shën Tiranës" është bashkëjetesa midis të gjallëve dhe të vdekurve. Në këtë apokalips bëhet gjëma e Tiranës njerëzore, intelektuale, Tiranës politike, provinciale dhe asaj hipokrite. Personazhet, e romanit, ndonëse fiktivë, janë të përshtatur në realitetin ku jetojmë.
Personazhet dhe një porosi për lexuesit
“Janë të gjitha shtresat e shoqërisë, të gjallët dhe vdekagjallët që ngrihen së vdekurish, të varfrit dhe pasanikët, prindërit dhe bijtë, profesorët, artistët, njerëzit e medias së shkruar dhe asaj televizive, privatët dhe nëpunësit e administratës publike, deputetët dhe kryetari i bashkisë, mazhoranca dhe minoranca, ministra dhe maja më e epërme e piramidës shtetërore. Natyrisht, patjetër ndërkombëtarët.”- thotë autori. Askush nuk përjashtohet. “Secili do ta gjejë diku veten. Ndoshta edhe do të trazohet në ndërgjegje, do të trazohet vetvetiu apo dhe nga të tjerët, pëshpëshet, thashethemet dhe hamendjet identifikuese.” Por Zija Çela ka një porosi për lexuesit e tij, nëse ata, teksa lexojnë, do të përpiqen të identifikojnë personazhet me emra realë. I vetmi personazh i identifikueshëm është vetë ai, shkrimtari. “Çdo përpjekje për t’i identifikuar personazhet me emrat realë, është e pafrytshme për letërsinë e zhanrit triller. Nëse të tjerët paralajmërohen, i vetmi që mund të identifikohet në libër është autori dhe i vetmi që e pëson nga ky apokalips jam unë.” Zija Çela ka filluar të shkruajë qysh në vitin 1972. Ai cilësohet nga kritika si një nga shkrimtarët më të mirë në Shqipëri. Disa nga librat që ka sjellë autori janë "Goja e Botës", “Sos një buzëqeshje", “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes", “Gjaku im i errët" etj. Aida Tuci