Një vend pa Kuvend
Nuk është vështirë të konstatohet që me sulmet ndaj opozitës dhe drejtuesit të saj, është tepruar. Opozita është duke u kryqëzuar. Kritikat kanë marrë tashmë trajtën e urrejtjes.
Një fushatë e pandërprerë sulmesh dhe denigrimesh kundër saj, duket se na ka kthyer shumë prapa në kohë, në vitet kur ende nuk ishim mësuar me statusin dhe praninë e opozitës.
Dhe na dukej, (pushtetarëve iu dukej) sikur opozita ishte e tepërt, mund të përndiqej, mund të shkelmohej, mund të zhdukej krejt. Nuk kishim nevojë për të. Për fat të keq, është pak a shumë e njëjta situatë edhe sot.
Ata që sapo u riveshën me pushtet dhe gazetat e televizionet pranë tyre, janë të parët që artikulojnë çdo ditë fyerje dhe ulërima kundër opozitës dhe lidershipit të saj, duke mos gjetur as edhe një fije përgjegjësie në veten e tyre, për gjendjen kakofonike në të cilën ka rënë vendi.
Kryeministri Sali Berisha dhe krahu i tij i djathtë, Ilir Meta, përveçse nuk kanë ofruar asnjë zgjidhje për këtë situatë, vazhdojnë të nxisin ata që kanë përqark dhe gjithë publikun, të kërkojnë shkaqet e krizës aktuale vetëm te opozita dhe drejtuesi i saj, Edi Rama.
Mitingu që organizoi opozita, nuk iu pëlqeu; iu duk i parëndësishëm, i vogël, një dështim. Kërkesat për hapjen e kutive, gjithashtu. Në thelb, ajo që ata kërkojnë, është thjesht mbyllja e gojës.
Ka edhe një precedent tjetër. Çdo i huaj që vjen në Shqipëri, po pritet dhe sajdiset (pothuaj) vetëm nga njerëzit e pushtetit. Dhe këta, bëjnë gjithë ç'është në dorën e tyre, për të nxjerrë nga goja e mysafirëve qoftë edhe një fjali kundër opozitës.
Dhe nuk mbaron me kaq. Edhe një pjesë e analistëve që rëndom kanë sulmuar pushtetin, përpiqen sot të gjejnë gjilpërën në kashtë në "gabimet" e opozitës dhe të Edi Ramës. Madje, loja është hapur gjer në qelizat më të sëmura të shoqërisë.
Gazeta të vockla, që gjer dje zgjidhnin për pushtetarët e sotëm dhe për lidershipin e demokratëve termat më pejorativë, tani e kanë kthyer timonin 180 gradë dhe sulmojnë opozitën, sikur të ishte ajo e keqja e përhershme e këtij vendi dhe tersi i fatit të tij të gremisur.
Gjer edhe një qytetar që fliste drejtpërsëdrejti këto ditë në një nga televizionet e shumta të Tiranës, akuzonte PS-në që ai nuk mund të shkonte të shikonte djalin në Perëndim (?!) Dhe ja përse! Sepse kjo (PS-ja) nuk hyn në Parlament, nuk pranon rezultatin e zgjedhjeve. Kaq është puna, se pastaj Perëndimi i ka gati të gjitha lehtësirat për ne. Vizat, për shembull.
Pastaj...do të na mbulojë edhe tarracat e shkollave dhe do të rregullojë atë punën e turpshme të zhvillimit të mësimit me turne; do të shtrojë rrugët dhe do të na shpëtojë nga ujërat e zeza; do të rrisë prodhimin vendas dhe eksportet, do të na garantojë sigurinë e lekut dhe do të na shpëtojë nga rritja gjithandej e çmimeve; do të na sqarojë në lidhje me vjedhjen e detit dhe nëse do të bëjmë central nuklear apo jo. E kështu më tej.
Është gjëja më e lehtë të akuzosh opozitën për gjithçka. Është ajo më e rëndomta që ka ndodhur këtu, për gjatë gjithë jetës: të pajtuarit me autoritarizmin. Pra, quaje përfundimisht të mbyllur çështjen, mos prano asnjë lloj dyshimi, stakoje trurin.
Dhe pastaj, mjaft t'i shkosh nga prapa në mënyrë të verbër e fanatike një pushteti që ka rivendosur diktaturën e demagogjisë dhe një lideri të çoroditur që duhej të kishte dalë në pension me kohë.
E vërteta e frikshme është se hë për hë, nuk shihet ndonjë zgjidhje. Kjo është edhe më e keqe se përbaltja e opozitës. Për këtë situatë, janë të shqetësuar edhe partnerët; dhe ata po lëvizin duke sulmuar sërish në atë termin e padëshiruar për politikanë kokëdrunj të këtij vendi: konsensus. Sigurisht, edhe këtë herë, konsensusi mungon e konsensus nuk ka. Ka vetëm sherr dhe ulërima.
Kjo ngjan me atë rrugën, ku një familje me probleme, veç zihet, rrihet e shahet, ngre volumin e televizorit në kupë të qiellit, lë kokrrën e namit. Se me të vërtetë, zgjedhje u bënë edhe në Mal të Zi, edhe në Bullgari, edhe në Greqi. Por nuk u ndjenë fqinjët dhe nuk bënë kështu gërr-mërr, si shpirt i keq. Kërkohet një konsensus. Histori e vjetër.
Le të kujtojmë vitet 1991-1992, më pas vitin 1997, vitin 1998, vitin 2001, vitin 2005... Kokëfortësi! Përplasje interesash periferike. Rol i paqartë i fqinjëve dhe ndonjëherë, i disa prej partnerëve. Këtë herë, na duhet një zgjidhje tërësore, që t'iu vërë kazmën krizave njëherë e mirë.
Por, për të shkuar deri te zgjidhja, duhet të jetë e qartë se lëshimet s'mund veçse të jenë të dyanshme.
Edhe pse ka përgjegjësitë e veta, nuk ishte opozita ajo që organizoi zgjedhjet dhe së cilës i doli nga kontrolli numërimi në një të tretën e qendrave të votimit. Nuk i çoi opozita nëpër mitingje mësuesit e nxënësit dhe gjithë nëpunësit e tjerë të ministrive dhe të ndërmarrjeve (ende) shtetërore.
Nuk ishte opozita ajo që përdori ngjarjet zyrtare dhe inaugurimet false të Tunelit (sot të mbyllur) te Kalimashit, për të shpëlarë trurin e njerëzve.
Nuk ishte opozita ajo që lejoi votimin familjar, çka edhe ishte paralajmëruar me kohë, si një precedent për cenimin e standardeve të zgjedhjeve.
Nuk ishte opozita ajo që deformoi apelin e shqiptarëve për të luftuar korrupsionin, formuluar në rezultatin e zgjedhjeve të korrikut të vitit 2005. Kjo temë me sa duket do të jetë sërish në qendër të raportit të perëndimorëve për Shqipërinë dhe disa nga vendet e tjera ballkanike.
Kështu, nuk mund t'ia hedhim të gjitha fajet opozitës. Duhet të ketë një ndarje të përgjegjësive. Dhe më në fund, duhet hequr dorë nga monologët dhe mburrjet e skajshme e qesharake dhe duhet inkurajuar kuvendimi në këtë vend pa Kuvend.