Berisha: Do rishikojmë hartën e vlerës së tokës
Është e disata herë që qeveria bën ndryshime në hartën e vlerës së tokës, mbi të cilën llogaritet edhe tarifa e legalizimit
TIRANË- Nëse keni shtëpinë në proces legalizimi dhe keni hequr mënjanë një sasi parash për të shlyer detyrimet është mirë që t'i bëni edhe një herë llogaritë.
Kryeministri Sali Berisha propozoi dje gjatë mbledhjes së qeverisë rishikimin edhe një herë të hartës për çmimet e tokës me pretendimin se nga vlerësimet e mëparshme janë vërejtur mospërputhje midis vlerës reale të saj në treg dhe asaj që është shkruar në dokumenta.
"Ju garantoj se për fat të keq, kemi ende rrethe që toka nuk shitet as edhe një euro. Le të shkojë kushdo të gjejë se sa është tregu i tokës në një seri rrethesh dhe po të shohë hartat tona, ato janë stratosferike. Çështja e çmimeve të tregut nuk mund të bëhet pengesë as për investimet dhe as për tregun e tokës. Ky do të jetë një hetim periodik.
Do të vendoset një rregull që organi tatimor të bëjë hetimin e tyre dhe mbi bazën e tyre do të përcaktohet harta, pasi ajo lëviz, sot çmimet mund të jenë më të ulëta, nesër rriten dhe ne do t'i rrisim. Ne duhet të kemi një mekanizëm për çmimin e tokës të përafërt me bursën, që nuk e kemi ende", - tha ai.
Nëse pas rishikimit të hartës së tokës vërtetohet që vlera e saj reale është më e ulët nga çka është raportuar nga agjentët tatimorë, pronarët e saj mbi të cilën është ndërtuar pa leje do të jenë më të prekurit pasi nuk do të përfitojnë më kompensimin në sasinë që ishte përcaktuar deri më tani. Ndërsa, më të provilegjuar do të jenë ata që kanë ndërtuar mbi këto toka pasi nëse vlera e saj cilësohet më e ulët, gjatë legalizimit do t'iu duhet të paguajnë më pak para për shlyerjen e tarifës bazë për përfundimin e këtij procesi.
Krahas kësaj, Berisha vlerësoi të nevojshme përpilimin e një ligji me anë të të cilit do të bëhet e mundur mbrojtja e investorëve nga spekullimet mbi pronësinë e tokës mbi të cilën është investuar.
"Nëse investitori i huaj ose vendas ka blerë pronën mbi bazën e dokumenteve të rregullta shtetërore, të miratuara në përputhje me ligjet e vendit, pas aktit të blerjes, prona është e tij dhe do të bëjë të gjitha ndërtimet. Për çdo parregullsi tjetër, do të jetë çështje midis palëve dhe shteti në mes, sepse po krijohet grupi i ri i falsifikatorëve dhe gjobëvënësve të investitorëve", - tha ai.
Kjo është e disata herë që Këshilli i Ministrave bën vlerësime dhe rivlerësime të vlerës së tokës në të gjithë territorin e vendit. Për momentin mbi bazën e së cilës veprohet edhe për kompensimin financiar të ish-pronarëve në fuqi është harta e tokës së miratuar vitin e shkuar.
Shikoni dokumentin ne pdf