Progres-raporti i KE-së, zëdhënësi i Rehn: Prisnim më shumë nga Shqipëria
BRUKSEL- Shqipërisë i duhet ende shumë punë për t'iu afruar standardeve të BE-së. Sundimi i ligjit e garantimi i funksionimit si duhet të institucioneve shtetërore kanë qenë, janë dhe do të mbeten sfida të mëdha, për të cilat BE-ja ka pritur më shumë përparim. Kështu është shprehur zëdhënësi i Komisionerit për Zgjerimin, Rehn, Amadeu Altafaj, gjatë një interviste për BBC-në, dhënë pas prezantimit në Bruksel të raportit vjetor të Komisionit Evropian për përparimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e përpjekjeve të rajonit për t'u integruar në Bashkimin Evropian.
Si e sheh komisioni përparimin e bërë nga Shqipëria? A ka ecur vendi përpara aq sa do të dëshironte Komisioni, apo përparimi i saj ka qenë më i ngadaltë se sa duhet?
Së pari, ka një zhvillim të rëndësishëm që ka ndodhur kohët e fundit, në prill të këtij viti - kërkesa për anëtarësi në BE nga Shqipëria. Tani ne jemi gati të përgatisim opinionin tonë sapo të na ftojnë ta bëjmë këtë vendet anëtare. Ka pasur disa ngjarje të rëndësishme muajt e fundit që janë nënvizuar në raport, si për shembull zgjedhjet parlamentare që u zhvilluan duke plotësuar shumicën e standardeve ndërkombëtare, megjithëse kishte disa të meta që duhen trajtuar në zgjedhjet e ardhshme. Megjithatë, sigurisht, vlerësimi i ynë arrin në përfundimin sot se disa çështje, si për shembull sundimi i ligjit apo garantimi i funksionimit si duhet të institucioneve shtetërore kanë qenë, janë dhe do të mbeten sfida të mëdha. Pra ne presim më shumë përparim.
A është Komisioni i kënaqur me përparimin? A mendon ai se është më i ngadaltë se sa duhet, apo i shpejtë?
Ne mendojmë se ka ende punë të rëndësishme për t'u bërë nga autoritetet shqiptare, dhe unë përmenda vetëm pak fusha ku ne me të vërtetë prisnim më shumë. Por për sa i përket zhvillimit demokratik të Shqipërisë, ka pasur disa shenja pozitive dhe zgjedhjet parlamentare ishin një termometër i mirë për të vlerësuar përparimin e bërë, por gjithashtu edhe përparimin që duhet bërë në muajt dhe vitet e ardhshme.
Gjithashtu, sigurisht, është edhe çështja e regjimit të udhëtimit pa viza. Është shumë e rëndësishme për ne, por më e rëndësishme për vetë qytetarët, dhe ne presim që qeveria të plotësojë kushtet bazë, të njëjtat kushte që u plotësuan kohët e fundit nga Serbia, Mali i Zi, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, që do të na lejojë ne që të ecim në atë drejtim për të rekomanduar udhëtim pa viza.
Kur mendon Komisioni se do të përfundohet çështja e regjimit pa viza. Mendoni se vitin e ardhshëm?
Kjo është një pyetje shumë e vështirë. Një gjë është se çfarë shpresojmë ne, dhe se çfarë duam të shohim dhe në këtë kuptim ne presim që në pranverë të vitit 2010 ne të bëjmë propozimet për këtë. Por çdo gjë pritet të shihet, dhe përgjegjësia kryesore qëndron me autoritetet shqiptare. Ata janë ato që mund të zbatojnë reformat e rëndësishme që duhen plotësuar, si për shembull lëshimi i pasaportave biometrike, garantimi i menaxhimit të kufijve që të jetë plotësisht në përputhje me kriteret e BE-së. Nëse këto reforma bëhen me të vërtetë ne mund të ecim përpara relativisht shpejt në vitin 2010.
Në raport Komisioni inkurajon për dialog politik në Shqipëri. Dhe ne e dimë se pas zgjedhjeve Komisioni pranoi verdiktin e vëzhguesve të OSBE-së - pra, shumë kritere u plotësuan, por zgjedhjet ende nuk ishin në standardin më të lartë. Opozita në Shqipëri po bojkoton parlamentin - dhe kërkesa e tyre është transparenca e zgjedhjeve. Si e konsideron Komisioni këtë bllokim politik në Shqipëri, a do të pengojë ai përpjekjet e Shqipërisë për të plotësuar kriteret?
Mendoj se vendimet duhen marrë nga forcat politike shqiptare. Ne presim që të ketë një dialog të vërtetë politik midis forcave politike. Parlamenti është vendi ku duhet të zhvillohet ky dialog, kryesisht. Por, sigurisht që zgjedhjet ishin një test. Shumica e standardeve ndërkombëtare u plotësuan, siç e kuptojmë ne, por megjithatë ende kishte të meta dhe ato duhen trajtuar në të ardhmen. Ne do të ndjekim nga afër zgjedhjet e ardhshme për të parë nëse ka përparim në këtë kuptim. Dhe këtu ka një dinamikë të vërtetë politike në vend, ne kemi parlamentin që është qendra e debatit politik dhe në të marrin pjesë të gjitha forcat politike relevante.
Pra, Komisioni, BE-ja e inkurajon opozitën të kthehet në parlament?
Komisioni nuk merr anën e ndonjërit në këtë. Komisioni thjesht thotë se duhet të ketë një dialog politik të mirëfilltë, të vërtetë, përfshirës, midis të gjitha forcave politike relevante në Shqipëri.