Kabllogrami Basha-Olldashi-Alibeaj: Emrat e 8 vrasësve të liruar për fushatën elektorale
Disa ditë më parë në valën e botimeve të kabllogrameve të Ambasadës Amerikane të Tiranës, bëri përshtypje të thellë në publik një nga kabllogramet, ku renditeshin 7 politikanë të lartë nga partitë kryesore në vend, të cilët Ambasada i rendiste si të lidhur me botën e krimit.
Për tre nga këta politikanë të kësaj liste të Ambasadës, thuhej se janë përfshirë në lirimin e të burgosurve në prag të fushatës elektorale të zgjedhjeve të vitit 2009 në formë shpërblimesh për ndihmën që këta të dënuar apo familjet e tyre dhanë në fushatën elektorale të PD-së.
Tre politikanët në fjalë, me të cilët lidhej kjo akuzë, janë Lulzim Basha, kryetari me procedurë i Bashkisë së Tiranës, ministri Olldashi dhe ish-ministri Alibeaj. Shekulli ka mundur të sigurojë një raport, nga i cili është furnizuar me informacion Ambasada për të hartuar kabllogramin në fjalë. Në këtë raport hetues që është dorëzuar asokohe në disa ambasada të rëndësishme të Tiranës, bie në sy që të gjithë të burgosurit e listës janë të dënuar për krime shumë të rënda (8 për vrasje) dhe ata të gjithë janë liruar në kundërshtim me ligjin në të njëjtën datë: 19 qershor 2009, 9 ditë para zgjedhjeve të 28 qershorit. Më poshtë pjesë nga ky raport. Personat e renditur në të janë vetëm ata për të cilët hartuesit e raportit kanë paraqitur prova që kanë lidhje me akuzën e lirimit, me qëllim fushatën elektorale. Raporti përmban edhe një listë të dytë me 33 të burgosur të tjerë (6 nga burgu i Lezhës, 5 nga burgu i Peqinit dhe 21 nga burgu i Rrogozhinës), për të cilët autorët e raportit, shprehen me rezerva për qëllimin e lirimit. Më poshtë, pjesë nga raporti ku është mbështetur raportimi i Ambasadës për Uashingtonin:
8.1 ANEKSI I
PËRDORIMI I TË DËNUARVE ME RREZIKSHMËRI TË LARTË SHOQËRORE PËR FUSHATË DHE PRESIONE MBI ZGJEDHËSIT
…Në zgjedhjet e 28 qershorit 2008, gjatë periudhës elektorale është konstatuar një fenomen shumë i rrezikshëm, siç është përdorimi nga ana e institucioneve qeveritare i personave të dënuar me heqje lirie në funksion të betejës elektorale. Disa informacione të siguruara në rrugë konfidenciale (vetëm për datat 12, 15, 16, 17) tregojnë për një rritje të ndjeshme të lejeve të dhëna për të dënuarit gjatë periudhës zgjedhore, shumica e të cilave në kundërshtim të hapur me ligjin dhe aktet nënligjore përkatëse. Nga informacionet tona në terren një pjesë e mirë e tyre janë përdorur për të bërë fushatë në favor të qeverisë tek familjarët e tyre apo për të riaktivizuar lidhjet kriminale në mbështetje të fushatës pro qeveritare.
I. Leje shpërblyese.
Ligji nr. 8328 date 16.04.1998, ndryshuar me ligjin Nr. 9888 datë 10.03.2008 Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe paraburgosurve në nenin 5 (paragrafi i 4, shkronjat b dhe c të tij) ka parashikuar shprehimisht: Të dënuarve, të cilët respektojnë rregulloren e brendshme të institucionit, kanë sjellje të mirë dhe nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore, për realizimin e interesave të tyre emocionale, personale, ekonomike dhe kulturore, drejtori i institucionit mund tju japë leje shpërblyese, kohëzgjatja e të cilave, në total nuk mund të jetë më shumë se 20 ditë në vit.
Në kundërshtim me kriteret e përcaktuara në ligj, janë dhënë lejet shpërblyese për të dënuarit, madje edhe atyre që vuajnë dënimin në burgje të sigurisë së lartë. Shembujt e poshtëshënuar përbëjnë disa nga shembujt më tipikë të këtij fenomeni negativ. Personat e poshtëshënuar vuajnë dënimin me heqje lirie, janë të dënuar për vepra penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore e me masa dënimi shumë të larta dhe për rrjedhojë nuk plotësojnë kushtet për të përfituar leje shpërblyese sipas parashikimit të ligjit të përshkruar më sipër.
Konkretisht:
Leje shpërblyese të dhëna nga institucioni i ekzekutimit të dënimit me burgim ne Lezhë:
- Isa Doçi është dënuar me 6 vjet e 8 muaj heqje lirie për veprën penale të trafikimit të armëve dhe municioneve, parashikuar nga neni 278/a/1 i Kodit Penal.
Me datën 19.06.2009 këtij të dënuari i është dhënë leje 5 ditore, në shkelje të ligjit Nr. 8328 datë 16.04.1998, ndryshuar me ligjin Nr. 9888 datë 10.03.2008 Për te drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim, pasi persona të dënuar nga 3-10 vjet u lind e drejta për leje, së pari vetëm nëse kanë vuajtur jo më pak se ½ e dënimit. Personi është dënuar me burgim 6 vjet e 8 muaj. Deri ditën kur i është dhënë leje, ai rezulton të ketë vuajtur vetëm 3 muaj e 8 ditë burg.
- Marjan Lukaj është dënuar me 13 vjet burg për veprën penale të vrasjes.
Me datë 19.06.2009 këtij të dënuari i është dhënë leje 5 ditore në shkelje të ligjit, pasi personave të dënuar mbi 10 vjet burg u lind e drejta për leje, së pari vetëm nëse kanë vuajtur jo më pak se 2/3 e dënimit. I dënuari ka marrë si masë dënimi 13 vjet burgim dhe deri ditën kur i është dhënë leje rezulton se ai të ketë vuajtur vetëm 6 vjet e 3 muaj e 22 ditë burg, ndërkohë që për të fituar të drejtën e lejes ai duhet të kishte vuajtur jo më pak se 8 vjet e 8 muaj.
- Shpëtim Beqiri është dënuar më 13 vjet burg për veprën penale të vrasjes.
Me datë 19.06.2009 këtij të dënuari i është dhënë leje 5 ditore në shkelje të ligjit, pasi personave të dënuar mbi 10 vjet burg u lind e drejta për leje, së pari vetëm nëse kanë vuajtur jo më pak se 2/3 e dënimit. I dënuari ka marrë si masë dënimi 13 vjet burgim dhe deri ditën kur i është dhënë lej , rezulton se ai të ketë vuajtur vetëm 6 vjet 3 muaj e 22 ditë burg, ndërkohë që për të përfituar të drejtën e lejes ai duhet të kishte vuajtur jo më pak se 8 vjet e 8 muaj burg.
Institucioni i ekzekutimit të dënimit me burgim, Peqin:
- Emiljano Domi është dënuar me 15 vjet burg për veprën penale të vrasjes.
Me datë 19.06.2009 këtij të dënuari i është dhënë leje 4 ditore në shkelje të ligjit, pasi personave të dënuar mbi 10 vjet u lind e drejta për leje, së pari vetëm nëse kanë vuajtur jo më pak se 2/3 e dënimit. I dënuari ka marrë si masë dënimi 15 vite burgim dhe deri ditën kur i është dhënë leje, rezulton të ketë vuajtur vetëm 4 vjet e 1 muaj, ndërkohë që për të përfituar të drejtën e lejes ai duhet të kishte kryer mbi 10 vjet burg.
Institucioni i ekzekutimit të dënimit me burgim, Lushnjë:
- Artan Goxhaj, dënuar me 25 vjet burg për veprën penale të vrasjes.
Me datë 19.06.2009 këtij të dënuari i është dhënë leje 4 ditore në shkelje të ligjit, pasi personave të dënuar mbi 10 vjet u lind e drejta për leje, së pari vetëm nëse kanë vuajtur jo më pak se 2/3 e dënimit. I dënuari deri ditën kur i është dhënë leja rezultonte ketë vuajtur vetëm 14 vjet e 4 muaj e 12 ditë, ndërkohë që për të përfituar drejtën e lejes ai duhet të kishte vuajtur jo më pak se 16 vjet e 8 muaj burg.
Institucioni i ekzekutimit të dënimit me burgim, Tepelenë:
- Arjan Sina, dënuar me 18 vjet burg për veprën penale të vrasjes.
Me datë 19.06.2009 këtij të dënuari i është dhënë leje 3 ditore në shkelje të ligjit, pasi personave të dënuar mbi 10 vjet u lind e drejta për leje, së pari vetëm nëse kanë vuajtur jo më pak se 2/3 e dënimit. I dënuari deri ditën kur i është dhënë leja rezulton të ketë vuajtur vetëm 9 vjet e 28 ditë, ndërkohë që për të përfituar drejtën e lejes ai duhet të kishte vuajtur jo më pak se 12 vjet burg.
Institucioni i ekzekutimit të dënimit me burgim, Rrogozhinë:
-
