Një vit i vështirë për medienNga Risto Karajkov, BIRNKy vit që po mbyllet shënoi një rritje të rasteve të dhunës mbi punonjësit e medies në shumë pjesë të Ballkanit. Të rrahur, të kërcënuar e madje të vrarë, viti që po lëmë pas nuk ka qenë i lehtë
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Një vit i vështirë për medienNga Risto Karajkov, BIRNKy vit që po mbyllet shënoi një rritje të rasteve të dhunës mbi punonjësit e medies në shumë pjesë të Ballkanit.
Të rrahur, të kërcënuar e madje të vrarë, viti që po lëmë pas nuk ka qenë i lehtë për gazetarët në rajon. Profesioni mbart rreziqe të shumta, madje nga disa përllogaritje, këto rreziqe janë më të shumta se përpara.
Policia serbe arrestoi para disa kohësh shtatë persona, të dyshuar se kishin kërcënuar reporteren e B92, Brankica Stankoviç. Stankoviç, autore e emisionit “Insider”, u kërcënua me vdekje përmes disa postimeve në internet, pasi transmetoi një edicion ku flitej për mosndëshkimet e disa rasteve të trafiqeve, sulmeve dhe vrasjeve, të dyshuara se kryheshin nga disa huliganë të futbollit.
Stankoviç tha se ekipi i saj ishte i përgatitur për të gjitha llojet e reagimeve, që kur nisën kërcënimet, madje dhe përpara se emisioni të transmetohej. Por ajo tha se nuk priste që të kërcënohej se do të vritej, masakrohej me thikë e do përdhunohej.
“Më dërguan një numër shumë të madh mesazhesh, ku më thoshin se isha një kurvë e vdekur, që duhej masakruar. Unë nuk merrem më me këtë çështje. Ajo është në dorë të prokurorisë”, - i tha ajo “Balkan Insight”. Ajo shton se kërcënimet janë ulur që pas arrestimeve që bëri policia dhe pasi u mor në mbrojtje prej saj.
“Ndjehem e terrorizuar që duhet të bëj punën time nën mbrojtjen e policisë”, - thotë Stankoviç.
Por ky nuk është një rast i izoluar. Gjithmonë e më shumë gazetarët, kryesisht ata që merren me çështje të ndjeshme si krimet e luftës, krimi i organizuar dhe korrupsioni, janë shënjestra sulmi në Ballkan.
Gazetarët dhe ekspertët e medies thonë se në një situatë, kur media po lufton për t’i rezistuar ndikimit të politikës dhe biznesit, dhuna ndaj gazetarëve kontribuon në rritjen e kulturës së vetë-censurës.
Në fillim të muajit nëntor, gazetari dhe botuesi Mero Baze u godit në qendër të Tiranës, për shkak të shkrimeve kritikeve ndaj biznesmenit Rezart Taçi.
Taçi dhe truprojat e tij e sulmuan personalisht gazetarin. Incidenti solli protesta dhe një reagim shumë të fortë nga komuniteti ndërkombëtar. Baze kishte qenë dhe më parë shënjestër sulmesh për shkak të shkrimeve të tij.
Sulmi ishte një nga të shumtit incidente të dhunshme kundër gazetarëve në Ballkan gjatë vitit që po mbyllet.
Ata që marrin përsipër të trajtojnë çështje të ndjeshme dhe kontroverse, janë mësuar tashmë që të jetojnë nën kërcënim. Rasti më i rëndë ndër vitet e fundit ishte vrasja para një viti e botuesit të revistës kroate “Nacional”, Ivo Pukaniç.
Pukaniç dhe kolegu i tij Ivo Franjiç u vranë nga një shpërthim eksplozivi në Zagreb, në tetor të vitit 2008. Pukaniç ishte i njohur për raportimet që bënte për krimin e organizuar në Kroaci e më tej në rajon.
Një muaj më vonë, një tjetër gazetar kroat, Hrvoje Appelt, që shkruan shpesh për krimin dhe korrupsionin në vend, gjeti eksploziv poshtë makinës së tij. Viktimë e kërcënimeve të vazhdueshme, ai u vendos nën mbrojtjen e policisë.
Shumë gazetarë të tjerë kroatë janë vendosur nën mbrojtjen e policisë gjatë këtij viti, përfshi dhe Dusan Miljus, që u rrah egërsisht përpara shtëpisë së tij dhe Drago Hedl, që ka acaruar shumë persona me shkrimet e tij për çështjet e krimeve të luftës.
Kroacia pritet të jetë shteti që do bashkohet më së pari me Bashkimin Evropian, pasi të zgjidhë një konflikt për kufijtë që ka me Slloveninë. Por numri dhe ashpërsia e incidenteve ndaj reporterëve tregojnë defekte serioze në demokracinë e Kroacisë.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, dhuna ndaj reporterëve mbetet e lartë me 16 raste të raportuara gjatë vitit që po mbyllet. Kjo dhunë pësoi rritje në krahasim me 13 raste të regjistruara gjatë vitit 2008, në raportin e Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut.
Boro Kontiç, i Qendrës për Medie në Sarajevë, thotë se dhuna synon të izolojë gazetarët që guxojnë të trajtojnë problemet e vendit, duke krijuar një klimë vetë-censure.
Kur një gazetar boshnjak, Slobodan Vaskoviç, u sulmua në mars të këtij viti, aktivistë të shoqërisë civile krijuan një lojë në internet, të quajtur “godite gazetarin”, ku ftoheshin vizitorët të godisnin një reporter për një shumë të vogël. Protesta megjithatë nuk ka përmirësuar kushtet e reporterëve në Bosnjë.
Në Kosovë, Shoqata e Gazetarëve Profesionistë raportoi se gjatë këtij viti ka pasur 15 raste të dhunës ndaj gazetarëve. Imer Mushkolaj, drejtor ekzekutiv i kësaj shoqate, thotë se ankesat variojnë që nga indiferenca e institucioneve përkundrejt kërkesave për informacion deri te kërcënimet me jetë. Ai i referohet çështjes së Jeta Xharrës, drejtore e BIRN në Kosovë dhe prezantuese e programit “Jeta në Kosovë”, duke e quajtur rastin flagrant.
Emisioni i Xharrës trajton çështje të ndryshme bashkëkohore, përfshi dhe tema tabu. Pasi emisioni u transmetua më 28 maj 2009, duke trajtuar shqetësimet për lirinë e medies në njësinë vendore të Skenderajt, Xharra dhe ekipi i saj morën mesazhe kërcënuese. Në të përditshmen “Infopress”, kryetari i bashkisë së Skenderajt, Sami Lushtaku e akuzoi atë si spiune serbe - një akuzë shumë e përhapur në Kosovë.
Megjithatë, policia nuk mori asnjë në pyetje. Mushkolaj thotë se tani gazetarët hezitojnë të ankohen për ndikimin e politikës në punën e tyre, për shkak të frikës nga hakmarrjet ose faktit se mund të pushohen.
Mushkolaj thotë se druhet se gjendja e lirisë së medies tani është më e keqe se vitet e shkuara. Mushkolaj thotë se gazetarët hasin një problem të veçantë, kur u kërkojnë gjykatësve dhe policisë përgjigje. Disa gazetarë janë kërcënuar direkt nga gjykatësit.
Sulmet ndaj gazetarëve në Ballkan zakonisht vijnë nga njerëz me pushtet në politikë, biznes e krim. Kjo ishte shumë e dukshme në rastin e fundit të Mero Bazes, kur sulmi erdhi direkt nga pala tjetër.
Në fillim të gushtit, Miomir Mugosa, kryebashkiak i kryeqytetit Podgorica të Malit të Zi, u akuzua se kishte sulmuar fizikisht disa gazetarë që punonin për të përditshmen “Vijesti”, për shkak se ata e kishin ndjekur dhe e kishin fotografuar, kur parkonte në zonat ku nuk lejohej parkimi. Prokurorët rrëzuan akuzat ndaj tij në mesin e tetorit.
Ndërkohë, në Serbi, në maj, një gazetar me emrin Zoran Marjanoviç u kërcënua nga një prift. Prifti e kishte kërcënuar gazetarin e “Glas Javnosti” përmes telefonit se do të përfundonte si Slavko Curuvija, një gazetar shumë i njohur gjatë periudhës së Millosheviçit, që u vra nga persona të panjohur. Marjanoviç kishte raportuar në lidhje me një aferë dashurie të priftit.
Sipas Shoqatës së Gazetarëve të Serbisë, ka pasur rreth 30 sulme serioze dhe kërcënime ndaj reporterëve në Serbi gjatë vitit 2009.
Një përllogaritje e plotë e sulmeve ndaj gazetarëve në rajon është e vështirë, për shkak se shpesh nuk raportohet. Kërcënimet përmes telefonit dhe e-mail-it tashmë janë aq të përhapura, sa praktikisht nuk raportohen.
“Gazetarët nuk shqetësohen për kërcënimet që marrin në telefon apo përmes e-mail-it, ata janë mësuar me to”, - thotë Gazmend Ajdini, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës Maqedonase të Gazetarëve.
Megjithatë, ka një ndryshim mes një e-mail-i apo sms okazional dhe të izoluar, dhe terrorit psikologjik të vazhdueshëm që më pas çon në dhunë fizike.
Në përgjithësi, nuk ka të dhëna se pas dhunës, kolapsit dhe autoritarizmit që karakterizoi rajonin në vitet ’90, liria e medies të jetë konsoliduar.
Faktori kryesor që mbështet mungesën e sigurisë për gazetarët është mungesa e përpjekjeve nga ana e policisë për të zgjidhur rastet e sulmeve mbi gazetarët. Shumë mendojnë se kjo mungesë e eficiencës nga ana e policisë reflekton mungesën e vullnetit politik.