E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: S’ka dialog politik pa hapur kutitë e votimitNga Tema Protesta e djeshme para parlamentit mbylli serinë e protestave të opozitës, në thelbin e të cilave është kërkesa për hapjen e kutive të votimit. Kryetari i PS, Edi Rama, dhe depute

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Rama: S’ka dialog politik pa hapur kutitë e votimitNga Tema
Protesta e djeshme para parlamentit mbylli serinë e protestave të opozitës, në thelbin e të cilave është kërkesa për hapjen e kutive të votimit. Kryetari i PS, Edi Rama, dhe deputetë të PS, përsëritën thirrjen e tyre drejtuar qeverisë për hapjen e kutive të votimit ose largimin e qeverisë. Rama iu përgjigj sërish thirrjeve për dialog duke thënë se “gjithçka gjendet në kuti”.
“Jemi gati për dialog demokratik për zgjidhjen e krizës, jo për dialog në mos hapjen e kutive, ky nuk është dialog është mënyrë për të kaluar lumin”, - tha Rama.
Kreu i PS rikonfirmoi bindjen e opozitës për të vazhduar aksionin politik në emër të gjithë shqiptarëve që për shkak të krizës ekonomike nuk mund të festojnë. Ashtu siç ka theksuar edhe në protestat e tjera të valës së dytë të aksionit politik të Partisë Socialiste, Rama jep nga kryeqyteti alarmin për gjendjen e vështirë ekonomike të vendit e të qytetarëve shqiptarë, të cilët po paguajnë krizën e sjellë, sipas Ramës, nga kreu i qeverisë, Sali Berisha. Kryetari i PS foli për krizën ekonomike duke vënë theksin në rritjen e çmimit të energjisë elektrike, vështirësitë ekonomike, me të cilat do të përballen qytetarët dhe bizneset gjatë vitit që po troket. Rama e quajti Berishën kryeministri Pinok.
“A ju kujtohet, motra e vëllezër, sa herë ka dalë përpara popullit Sali Berisha për të thënë me buzën vesh më vesh: “Mos dëgjoni ministrat e mi dhe askënd tjetër që ju thotë se duhet rritur çmimi i energjisë, sa të keni Sali Berishën, nuk rritet çmimi edhe sikur i vetëm të mbetem në këtë vendim solemn”?
Dhe mos harroni, Pinoku ynë ua ka thënë edhe përpara zgjedhjeve, kur e mbante kyçur në sirtar firmën që kishte hedhur për rritjen e çmimit. Ne protestojmë duke i thënë kryeministrit Pinok: Hap kutitë ose largohu gënjeshtar! Sepse në ato kuti mbahet peng, jo vetëm vota e grabitur, po edhe vendimi i popullit sovran për një politikë të re për energjinë. Për burime të reja energjie që nuk varen nga korrupsioni e klientelat.
Me siguri biznesmenët e vegjël nuk e kanë marrë vesh akoma se çmimi i energjisë nuk është rritur 13, por 22%. Shqipëria e ka të pamundur të festojë, kjo Shqipëri po përballet me mosmarrjen e rrogës në vigjiljen e vitit të ri. Hap kutitë ose largohu Pinoku gënjeshtar, sepse në ato kuti fshihet vendimi i shqiptarëve për një politikë të re! Shqipëria ka mbetur e fundit në Evropë dhe shqiptarët nuk dalin dot nga vendi i tyre pa vizë”, - theksoi kryetari i socialistëve, ndërsa nënvizoi se përgjigjja e qeverisë për këtë është se të fundit kemi qenë gjithmonë.
Protesta e djeshme e opozitës mbylli fazën e dytë të protestave për t’u kthyer sërish në janar të vitit të ri me fazën e tretë të protestave për largimin e qeverisë Berisha ose hapjen e kutive të votimit.

Dialogu politik

“Ky pushtet e ndan përditë Shqipërinë me gjuhën e urrejtjes për opozitën.
Opozita do ta bëjë 2010-ën vitin e ndarjes së Shqipërisë me këtë pushtet. Ky pushtet që e ka kthyer parlamentin në skenën e shthurjes së turpshme të gjuhës, ku bëjnë paradë gojët e përdala të shërbëtorëve të Sali Berishës dhe ku Sali Berisha duartrokitet për sharjet me libër shtëpie të opozitës, na thotë se dialogu bëhet në parlament. Na quajnë çdo ditë mafiozë e perversë, na bëjnë terroristë e na lidhin me botën e krimit, na shkelin mbi varrin e familjarëve tanë e na hedhin baltë si torturues të fëmijëve tanë, por javët e fundit na ftojnë njëkohësisht edhe për dialog. Për të mirën e vendit thonë. U kujtuan për të mirën e vendit tani që vendi po ia sheh sherrin në xhepin e njerëzve politikës së tyre të mbrapshtë të shpenzimeve pafre e të korrupsionit pa kufi.
Tani që karrigia po u zhytet në qelbin shpërthyes të ekonomisë së gangrenizuar nga korrupsioni, nga borxhet e shtetit të bëra litar në fytin e popullit e nga shpenzimet e shfrenuara për t’i marrë popullit vota me shirita si të Kalimashit, e mira e vendit po u kujtohet mes rreshtave të fjalimeve e deklaratave plot të shara dhe kërkojnë nga ne të ndajmë përgjegjësitë për të përballuar krizën e shkaktuar prej tyre.
Të gjitha përveç kutive, nuk harrojnë të thonë. Në kuti janë të gjitha, është përgjigja jonë.
Nuk doni t’i hapni kutitë? Atëherë hapini rrugën Shqipërisë për të dalë nga kriza, pa pritur që kriza të fundosë Shqipërinë. Ju nuk e shpëtoni dot vendin nga kriza ku e keni futur me verbërinë, shurdhërinë e babëzinë tuaj. Vendi mund të shpëtojë nga pasojat e paparashikueshme të krizës vetëm në qoftë se ju hapni sytë e veshët e mbyllur, pranoni krizën dhe tregoni vullnet të plotë, real, konkret, për dialog. Ne jemi gati për një dialog demokratik, të barabartë, të vërtetë dhe të hapur për çdo zgjidhje të krizës së rëndë që thellohet, jo për dialog të kushtëzuar me mos-hapjen e kutive. Ky nuk quhet dialog, po mjet shpëtimi për një pushtet që hedh lumin e vret kalin, ashtu siç bëri me zgjedhjet, duke grisur paturpësisht dhe forcërisht ligjin që detyron hapjen e kutive me kërkesë të dy anëtarëve të KQZ. Ta harrojnë se kjo opozitë u bëhet kalë për të kaluar lumin. Ta harrojnë se kjo opozitë rikthehet në parlament për të mbajtur fjalime mbi kutitë e mbyllura. Ta harrojnë se e mbajnë dot me pahir e me sikur një pushtet që nuk buron nga vullneti i popullit sovran po nga deformimi e korrupsioni elektoral”, - tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›