E Diel, 1 Nëntor 2026

Një vizitë e rrallë brenda një burgu rus

Konkluzioni i vetëm i qartë mbi sistemin penal rus, pas dy ditë vizitash të mbikëqyrura me shumë kujdes nga autoritetet në Koloninë e Burgjeve Numër 7 (një burg i sigurisë së lartë, 500 kilometra në verilindje të Moskës) është se përpara syve të shfaqen kontradikta të forta, ashtu si edhe gjithë ky vend gjigant.

Në botën e jashtme, imazhi i sistemit është krijuar në pjesën dërrmuese përmes literaturës, nga Dostojevski e Çehovi, te përshkrimi i llahtarshëm që u bën kulakëve Solzhenicini. Komunizmi i vërtetë nuk është më në skenë, por çlirimi i sistemit gjyqësor dhe atij penal ka rezultuar tejet i vështirë.

Në dhjetorin e vitit që sapo lamë pas, edhe pse Parlamenti votoi për heqjen e atyre dënimeve të rënda për akuza për terrorizëm e tradhti ndaj atdheut, Presidenti Dimitri Medvedev iu bashkua aktivistëve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke thënë se dënimet shumë të rënda duheshin rishqyrtuar. Shqetësimi i tyre duket të jetë shtyrë pjesërisht, edhe prej faktit se 90 për qind e të rinjve që gjenden sot burgjeve janë arrestuar për vjedhjen e një telefoni celular. Në Rusi, shpesh gjyqtarët japin sentenca maksimale, edhe për krime të lehta. Zyrtarët e sistemit të korrektimit thonë se janë të pafuqishëm para sistemit gjyqësor.

Vizita në Pankovka, 500 kilometra nga Moska pranë qytetit historik Veliki Novgorod, e një reporteri dhe një fotografi të së përditshmes amerikane "The New York Times", kërkoi një mal me leje të posaçme, përfshi edhe një të firmosur nga Juri Kalinin, shef i Shërbimit të Korrektimit, ashtu si dhe nga FSB-ja, Agjencia e Shërbimeve të Fshehta që zëvendësoi pas viteve nëntëdhjetë FSB-në.

Në një sesion të posaçëm ku priteshin të burgosurit e rinj qëndronte i ulur Genadi Deminenko, 40 vjeç, që na shpjegon se gjendej aty pasi i kishte vjedhur celularin nga çanta një gruaje në Shën Petërburg. Kjo është hera e tretë që dënohet për krime të lehta, por sentenca këtë radhë ishte katër vjet. "Isha pa punë", tha babai i dy fëmijëve. "Më duhej të ushqeja familjen".

35-vjeçari Anton Kozlov po shlyente një dënim prej katër vjetësh, i dyti, dhe kësaj radhe për vjedhjen e një kasetofoni makine. Ai tha se e kishte bërë atë krim për të siguruar paratë e drogës, nga e cila kishte krijuar varësi. Tani punon në një ambient të mbikëqyrur, ku të gjithë të burgosurit kthejnë sende nga më të ndryshmet në suvenire qeramike, në lodra e zbukurime për jetimoret.

Kozlovi po pikturonte një skenë kishtare, e porositur nga Shën Petërburgu. Para burgimit "isha piktor surrealist", u shpreh ai. "Këtu pikturoj më shumë natyra të qeta. Marrim shumë porosi dhe pjesa më e madhe e tyre janë për natyra të qeta".

63-vjeçari Vladimir Karagodin e drejton këtë burg në prej vitit 1968. Ai këmbëngul te disiplina, por ushqen një lloj rezerve lidhur me dënimet që u janë dhënë të burgosurve. "Nuk besoj se njerëzit duhet të dënohem me burg se vjedhin një celular", tha në një pikë të bisedës. "Kemi të pasur dhe të varfër, nuk kemi shtresë të mesme", vëren për Rusinë në përgjithësi. Ndërsa nuk pranon të flasë për Mikhail Khodorkovskin, ish-miliarderin e industrisë së naftës që vuan dënimin në një burg të Siberisë, shton: "Njerëzit vjedhin miliarda dhe nuk ndodh asgjë. Vjedhin një celular dhe përfundojnë në burg".

Drejtori i burgut, biri i të cilit kujdeset për shitjen e gjithçkaje që prodhohet në ambientet e burgut, shprehu pak simpati për kritikët e atij sistemi penal, të cilit i shërben prej 40 vjetësh. "Aktivistët e të drejtave të njeriut nuk e njohin sistemin" u shpreh ai. "Po i vëmë të burgosurit në piedestal" vërejti, për të treguar mosaprovimin e tij mbi heqjen e dënimit me vdekje të vënë si kusht nga Këshilli i Evropës. "Më parë, një vrasës e dinte se ç‘e priste në rast se vriste apo përdhunonte", tha Karagodin, për të shpjeguar këndvështrimin e vet. "Tani, thonë që t‘i dënojmë me burgim të përjetshëm. Çfarë është kjo. Ata vrasin, ne i ushqejmë".

Zbukurimet janë me bollëk: dhoma ku të burgosurit e rinj takojnë psikologët e burgut mban erë shumë të mirë. Cicërimat e zogjve dhe gurgullima e ujit hyjnë në sallën e ngrënies nga një ambient tjetër përbri ku gjendet një shatërvan i vogël. 150 akuariume me punime në dru të të burgosurve janë shpërndarë nëpër të gjithë koloninë. Të burgosurit kanë mundësi që të shkollohen, madje edhe të kryejnë studime universitare. Me rastin e Vitit të Ri, u zhvillua një festë e bukur, ku morën pjesë 300 të burgosur. Muret qenë zbukuruar me piktura festive.

Rreth gjysma e 1100 të burgosurve të këtij burgu janë të dënuar për vrasje. Por sipas Mikhail Deviatov, drejtor i Shërbimit të Burgjeve për rajonin, shqetësuese është asistenca psikologjike e munguar, një prej problemeve më të rënda të këtij institucioni. Kjo për shkak të numrit shumë të vogël të stafit, si dhe prej pagave me të cilat paguhen, mesatarisht 10 mijë rubla në muaj (diçka më pak se 400 dollarë).

Në një fjetore të posaçme ku janë vendosur të moshuarit e invalidët, një burrë 59-vjeçar që u prezantua me emrin Volodja Kuznecov, na tregoi për krimin që kishte kryer. "Vrava fqinjën", rrëfeu ish-traktoristi, i cili vuan nga epilepsia dhe ka shlyer vitin e parë të dënimit prej dhjetë vjetësh. "Më vodhi paratë" vazhdon të tregojë ai. Bëhej fjalë për 600 rubla, pensioni mujor si invalid.

Në Kishën e Shën Vladimirit, të ndërtuar brenda ambienteve të burgut, 56-vjeçari Vasili Lazarenko tregoi se gjendet në burg pasi ka vrarë të atin. "Që në fëmijëri, jam ushqyer me besim te Zoti, por humba mendjen", rrëfen Lazarenko, duke shtuar se ai vend "i sillte ndër mend Zotin".

"Ja tek janë porositë", thotë 69-vjeçari Pavel Kirilov, i cili gjendet që prej katër vjetësh në burg për një vrasje. "Kemi nevojë për menaxherë të tillë kudo", thotë për drejtorin e burgut Karagodin. Drejtori e ka kaluar moshën e pensionit, por askush nuk i ka kërkuar të largohet. "Është e trishtë", thotë. "E krijova unë gjithë këtë, por pastaj erdhi... bën një gjest si për të thënë shkatërrimi, ashtu si në gjithë vendin".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›