Oprah Uinfrej: Kam humbur betejën me peshën
"Si ka mundësi që arriti të ndodhte sërish? Isha e bindur se kisha mësuar, dija gjithçka, mendoja se ia kisha dalë përgjithmonë, por edhe kësaj here, nuk më bën më asnjë veshje, nuk kam më asnjë fustan që arrin të më rrijë bukur". Oprah Uinfrej duket se edhe kësaj here e ka humbur betejën e saj shumëvjeçare me peshën. Pasi u bë simbol i mundësisë për t‘u dobësuar dhe formës së shkëlqyer pavarësisht moshës, pasi ka treguar në televizione e revista kërthizën dhe muskujt e barkut, edhe pse i kishte kaluar të pesëdhjetat, pasi kishte predikuar ushqimin integral, dietat dezintoksikuese, ato vegjetariane dhe ushtrimet e përditshme fizike me trajner personal, gruaja më e famshme dhe popullore e Amerikës nuk arrin t‘i fshehë më gjërat: "Kam arritur peshën 92 kilogramë, më vjen turp dhe ndihem në siklet që flitet ende për peshën time". Humbja e saj në luftën me peshoren, mesa duket është hakmarrja e amerikaneve mbipeshë, atyre miliona grave që nuk kishin arritur të ndiqnin dot shembullin e saj, por që vazhdonin të shihnin programin e saj dhe të kënaqeshin paksa, teksa muaj pas muaji, e shihnin që shëndoshej, gjë që mundohej ta fshinte poshtë fustaneve gjithmonë e më të gjera. Pesha e Oprah Uinfrejt nuk është një çështje që i përket vetëm asaj, jo vetëm sepse ajo është më e paguara dhe ylli më i ndjekur i televizionit amerikan, përveçse gruaja me ngjyrë më e pasur në botë, por sepse është simbol i luftës dhe humbjes së luftës që Amerika i ka shpallur prej kohësh obezitetit. Nga dëshmitare e mbrojtjes së shëndetit, prezantuesja 55-vjeçare është kthyer në dëshmitare e të treguarit se dietat nuk vlejnë, se gjithmonë kthehesh në pikën e nisjes, se të dobësohesh është e pamundur. Bob Green, "guruja" i saj, njeriu që e kishte ndihmuar të kthehej në formë e që arriti të fitonte shumë para dhe sukses me librin më të shitur që i bënte reklamë recetës së përdorur prej saj, belbëzonte në siklet të shtunën në mbrëmje në "talk shown" e Leri Kingut në televizionin CNN. Përballë ironisë së atyre që nuk besojnë te dietat, ai u përpoq të mbrohej me çdo kusht: Green ka shpjeguar se Oprah është shëndoshur sepse është e stresuar, sepse punon më shumë se ç‘duhet dhe nuk ka kohë të mendojë për ushqimin dhe sepse nxjerr përmes të ngrënit shumë strese apo nevoja të tjera. Një justifikim, që në veshët e miliona amerikanëve që nuk po arrijnë të dobësohen, duhet të jetë shfaqur vetëm si konfirmimi i diçkaje që ata e dinë mirë. Problemi qëndron se ylli Uinfrej, që ka vendosur rekordin e spektatorëve në historinë amerikane me një intervistë në vitin 1993, ku 100 milionë njerëz e shihnin teksa pyeste Majkëll Xheksonin, vajza e varfër nga Misisipi që gjyshja e vishte me thasët e patateve, vogëlushja që është përdhunuar në moshën 9-vjeçare dhe ka ngelur shtatzënë 14 vjeç, studentja që 19 vjeç nisi karrierën e saj në radio dhe kur ishte vetëm 22 dukej sikur të hipnotizonte me magjinë e saj, është gruaja më e pëlqyer dhe më e imituar me të cilën identifikohen miliona njerëz. Por, nëse tani thotë se qëllimi i saj nuk është më të dobësohet, por të mos ndihet në siklet me trupin e saj, atëherë është shenjë e tërheqjes së saj nga lufta për të qenë elegante. Në vitin 1988, Oprah humbi 30 kilogramë dhe për ta treguar këtë, veshi në emision një palë xhinse të ngushta "Calvin Clain". Pas shfaqjes, shkoi të festonte, dhe nga gëzimi që kishte arritur t‘ia dilte mbanë, tha se kishte nisur të shtonte në peshë sërish pas dy ditësh. Tani Oprah pranon se ato pantallona nuk i hyjnë më, ndërsa vetëm katër vjet më vonë arriti peshën rekord, 110 kilogramë. Në janar të vitit 2005, u shfaq në kopertinën e revistës së saj, me 2 milionë e gjysmë kopje të shitura, për të treguar se si kishte arritur një peshë 70 kilogramë, falë ushqimeve integrale dhe sportit. Dy vjet më parë, nisi sërish të shëndoshej: në fillim ia vuri fajin problemeve me gjëndrat tiroide, pastaj provoi një dietë me bazë boronicash, kërpudhash e karçofësh dhe hoqi dorë nga kafeja, alkooli, sheqeri, brumërat dhe çdo produkt shtazor. Por, as kjo nuk dha rezultat. Në fund të javës që shkoi, u shfaq sërish në kopertinën e revistës së saj të përjavshme, duke treguar se tanimë kishte arritur 92 kilogramë: "Më duket vetja si lopë dhe do të doja të zhdukesha", tregon e stresuar nga shtëpia e saj në Montecito, mes një parku të mrekullueshëm mbi Paqësor, jo shumë larg nga Santa Barbara. Dhe të mendosh që në Shtëpinë e Bardhë është duke shkuar një nga miqtë e saj më të mirë, Presidenti më i dobët dhe më sportiv i historisë së Presidencës amerikane, që bën çdo ditë nga një orë ushtrime dhe preferon peshkun e zier dhe sallatat, në vend të mishit dhe patateve të skuqura. Oprah, që ka financuar fushatën e Barak Obamës e që ka shpenzuar më shumë se gjithë të tjerët për fitoren e tij, duhej të ishte një nga yjet e radhës së parë në ceremoninë e përurimit për në Uashington. Fatkeqësisht, nuk arrin të thotë asgjë më shumë përveçse: "Nuk di se çfarë të vesh, as fustani që kisha zgjedhur nuk më bën më".
Problemet e VIP-ave me "peshoren"
Mesa duket, dietat dhe sporti nuk janë të mjaftueshme për t‘u dobësuar vetëm për prezantuesen e famshme amerikane. Në listë nuk mungojë edhe meshkujt, mes të cilëve Xhorxh Kluni, ish-boksieri Majk Tajson, apo futbollisti Rud Gulit. Aktori dhe një nga meshkujt më tërheqës në botë, Kluni, ka menduar që ta zgjidhë në këtë mënyrë problemin e kileve të tepërta: për t‘u kthyer në formën e mëparshme, ai ka menduar të ndjekë një regjim ushqimor që ndalon kripën, sheqernat, kafen, ëmbëlsirat, orizin dhe alkoolin. "Më duhet të pranoj se të mbash dietë qenka një punë shumë e vështirë. Sa mirë do të ishte sikur organizmi i njeriut të funksiononte kështu: të hante pa pushim dhe të mos shëndoshej", ka thënë ai. Disa kile më shumë edhe për ish dy atletët, ylli kuqezi Rud Gulit, dhe boksieri Majk Tajson. Ata, pasi kanë hequr dorë nga sporti, i kanë kaluar kufijtë e normalitetit. "Është faji i ushqimeve dhe dembelizmit", pati thënë Tajson për një revistë sportive amerikane. Pas nuk mbetet edhe Bijonse, këngëtarja me ngjyrë më e preferuar e momentit, që pranoi duke qeshur: "Më duket sikur kam brenda vetes një ‘bullafiqe‘ që kërkon të dalë".