E Diel, 1 Nëntor 2026

Një vizitë në shtëpinë e jetimëve të 21 janarit

Ana, vajza jetime e Ziver Veizit, në shtëpinë e saj

Varrin e ka në Gjirokastër, por shpirti i Ziver Veizit me siguri endet rreth një shtëpie të thjeshtë në Libofshë të Fierit. U vra në Tiranë, u varros në Gjirokastër, por kujtimi i burrit që humbi jetën në 21 janar me një plumb në gjoks poshtë zyrës së kryeministrit të Republikës së Shqipërisë është këtu në këtë fshat të Fierit. Aty jetojnë dy jetimët e tij të mitur, djali Kejdi dhe vajza Ana.

Ana ka mall. Ne qëndrojmë përballë saj gojëkyçur dhe kokulur, pa mundur të gjejmë fjalët e duhura për ti thënë, kurse ajo merr në duar kornizën e drunjtë me fotografinë e të atit për të na thënë që i ati e thërriste lepurush i babit dhe çdo korrik e çonte në det. Kjo është vera e parë që Ana nuk do të shkojë me babin e saj për pushime. Këtë korrik ajo, vëllai dhe mami kanë vendosur të shkojnë sërish bashkë në Gjirokastër te varri i tij.

Kejdi Veizi është 14 vjeç dhe ngjan shumë me të atin. Babi nuk ishte një leckë që vajtën e vranë ashtu na thotë me zërin e dridhur duke parë dhe ai nga fotografia në kornizën e drunjtë që Ana mban në duar.

*****

Ana është 11 vjeç dhe sapo ka përfunduar klasën e pestë. Një javë pas 21 janarit Shekulli botoi në kopertinë foton e saj të bërë nga Juta Benzenberg. U ndiem mirë kur pamë që këtë kopertinë të Shekullit, familja e kishte prerë dhe e kishte varur në një kornizë në murin e shtëpisë.

Ana, si e mban mend babin?

Herën e fundit kur ishim në Gjirokastër, shkuam te një dardhë që kemi aty lart. Morëm dy-tre dardhë, por ishin të papjekura. Babi më tha, herën tjetër kur të vish në fshat ato do të jenë pjekur Po unë nuk shkova më (qan)

Po ti ke shkuar prapë në Gjirokastër te shtëpia e babit më pas, apo jo?

Po, isha, pardje erdha (fshin lotët) Këto ditë e kam parë në ëndërr. Sikur e ndiqja me vrap por nuk e arrija dot. Unë i thosha: babi mos ik, mos ik, ku do shkosh Pastaj u pengova dhe nuk e arrita dot. Dhe mu bë një bodrum i zi, dhe sikur mbeta aty dhe e humba

Të merr malli?

Po, shumë Ja, e kam këtë fotografinë në dhomë, shpesh herë e mbaj në dorë. Babi ishte shumë i dashur, na merrte në makinë dhe na bënte xhiro Babi më tregonte shumë histori. Babi ishte shumë i dashur (qan)

Si të përkëdhelte babi ty, kishte ndonjë fjalë që të thërriste?

Po Lepurush i babit (fshin lotët)

Ke biseduar ndonjëherë me shoqet, më shokët për atë që ndodhi?

Jo, nuk kam biseduar Çfarë të flas Kur u vra babi ata që janë me PD-në më thoshin, ai shkoi atje, u vra, ti e kishe budalla babin, ne do të vrasim edhe mamin.. (qan)

*****

Kejdi, djali i Ziver Veizit është 14 vjeç. Ai i ngjan shumë të atit, ka një vështrim të vendosur dhe flet prerë. Babi nuk kishte një leckë që vajtën e vranë ashtu na thotë dhe kapërdin lotët pa i lënë të dalin. Kejdi ka shkruar edhe një poezi. E ka shkruar në 28 Janar, gjatë rrugës për në Tiranë për në mitingun përkujtimor një javë pas vrasjeve të 21 janarit.

Kejdi, si e more vesh vdekjen e babit?

Në datën 22 Janar. Deri në ato momente nuk na kishin lënë të shikonim televizor dhe ne nuk e kishim kuptuar pse. Në datën 22 erdhi djali i xhaxhait të babait dhe tha është plagosur, është rëndë, por edhe mund të ketë vdekur, por në fakt ai kishte vdekur në atë kohë. Pastaj shkuam në Gjirokastër

Babi kishte fizik të fortë se punonte shumë, nuk doja ta besoja që sapo e kishte goditur plumbi të kishte vdekur.. Pastaj më mori halla në telefon dhe fillova ta besoja pak nga pak. Tani në prill, mora një javë pushim, shkova në Gjirokastër, të shtëpia, te varrezat.

E ke ndjekur rrjedhën e ngjarjeve, hetimet?

Po e kam ndjekur. Deri para se të arrestohej ai gardisti, u bëra shumë nevrik, çdo gjë që më dilte përpara nuk doja ta shikoja, pastaj me arrestimin e atij sikur u qetësova pak. Unë dua që ajo që ndodhi atje të zbardhet. Kam dëshirë të hakmerrem, po nuk di se si të hakmerrem Kam edhe një djalë xhaxhai në Gjirokastër dhe babi rrinte shumë më të. Kur shkova në prill, më thoshte; do ta marr unë hakun e xhaxhit. Babi nuk ishte një leckë që vajtën e vranë ashtu

Të merr malli Kejdi?

Po, më merr. Tani në korrik ka 6 muajt. Do të shkojmë prapë te varri bashkë me mamin dhe Anën.

Poezia e Kejdit për të atin

Zogjtë në fluturim u çuan,

E përshkuan Shqipërinë

Në Tiranë atë ditë shkuan

U copëtua zemër e tyre

Poshtë panë njerëz të masakruar

Erdh një zog në krahët e mi

Mirëserdhe zog i bukur

E ke parë gjë babin tim?

Zogu iku fluturim

Unë te varri babit shkova

Për ti thënë: Ba lamtumirë

Për ti thënë të kam në zemër

se ti je heroi im

******

lma Rredhi, ish-bashkëshortja e Ziver Veizit (ata ishin ndarë 6 vjet më parë) na pret me bujari në shtëpinë e thjeshtë në Libofshë të Fierit. I dorëzuam disa fonde të mbledhura nga lexuesit e Shekullit dhe disa libra, dhuratë nga redaksia. Ata e përjetuan keq, sidomos Ana. Ziveri i donte shumë fëmijët na tregon Alma.

Alma, në momentin që të thanë se Ziveri është vrarë, si u ndjeve?

Më ka ardhur shumë keq. Për atë vetë dhe për fëmijët. Sepse ata e përjetuan keq, sidomos Ana. I donte shumë fëmijët. Pasi përfundonte shkolla, i merrte gjithmonë për pushime.

I ndjek lajmet?

I ndjek më shumë vëmendje.

Vazhdoni të shpresoni se do ketë drejtësi për 21 janarin?

E shpresoj për Anën dhe për Kejdin. Dua që e drejta e babait të tyre të dal në dritë e të vendoset në vend. Edhe për mua si grua, se unë kalova vitet më të bukura të jetës më të, por më shumë për fëmijët. Ana, kur më ka parë sytë me lot atë ditë, më tha: Mami, vërtetë po qan për babin? Më kanë prekur shumë ato fjalë Ziveri kishte bindjen e tij politike për Partinë Socialiste. E adhuronte Edi Ramen dhe makinën e mbante gjithmonë me posterat e PS-ës. Unë gjithmonë i thosha sa herë takoheshim: pse bën kështu, çtë duhet Ai më thoshte: Nuk ka drejtësi, dua drejtësi, vetëm për drejtësi e bëj Erdhi enkas nga Selaniku për të marrë pjesë në atë protestë.

Ana na tregoi se në shkollë disa i kishin thënë fjalë të rënda ?

Po. Madje e bëra problem. Shkova të drejtoresha e shkollës. I thoshin vajzës, babin ta vranë, por do të vrasim dhe mamanë. Unë po nuk fola në shtëpi, fëmija nuk ka ku i gjen fjalët Dhe ata i kanë dëgjuar diku ato fjalë

Nga Libofsha: Entela Resuli

Fotot: Jutta Benzenberg

Marrë nga SHEKULLI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›