Hugo Çavez: Kam kancer
Lideri socialist i Venezuelës, Hugo Çavez, ka konfirmuar se i është nënshtruar një operacioni për të hequr një tumor.
Njoftimi vjen pas lajmeve që kanë qarkulluar këto javë në lidhje me shëndetin e tij.
Duke folur nga Havana, në Kubë, ku iu nënshtrua operacionit, ai nuk dha asnjë të dhënë se kur do kthehet në Venezuelë, dhe as nuk specifikoi se kush do e drejtojë vendin në mungesë të tij.
Çavez tha se mund ti nënshtrohet një tjetër operacioni, që do mundësojë largimin e plotë të tumorit.
Analistët thonë se largimi për një kohë të gjatë i tij nga politika do të ndezë përplasjet mes aleatëve të tij. Situata bëhet më kaotike kur mendohet se në vitin 2012 do ketë zgjedhje presidenciale në vend.
Çavez pranoi ndoshta për herë të parë se mënyra se si drejton vendin ka ndikuar në tumorin. Ai pi shumë kafe, punon intensivisht dhe fle pak.
Çavez është bërë i njohur në mbarë botën për stilin e tij të drejtimit të vendit. Në kushtet e sëmundjes së tij, qeveria ka anuluar shumë aktivitete me rastin e 200 vjetorit të pavarësisë.
