E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Mjedisi, të bëhet çështja e çdo qytetari

Çështja e mjedisit do të mund të marrë përgjigje të shkëlqyer, kur ajo të bëhet çështje e çdo qytetari. Kështu është shprehur kryeministri Berisha në ceremoninë e përmbylljes së projektit për rehabilitimin e zonës së ndotur të Porto Romanos dhe përfundimin e punimeve civile.

Në fjalën e tij Kryeministri Berisha ftoi çdo qytetar, çdo biznesmen që në veprimtarinë e tij të përditshme të mendojë për kontributin e tij në ruajtjen dhe zhvillimin e mjedisit.

“Kjo është zona e pestë e rrezikshme që mbyllet gjatë këtyre viteve të fundit, në Shqipëri, - tha Kryeministri, duke theksuar edhe angazhimin e qeverisë për të bërë gjithçka për një mjedis sa më të shëndetshëm në vend.

Gjithashtu kryeministri Berisha theksoi më tej se Shqipëria po ecën drejt një revolucioni të vërtetë industrial por duhet të bëhet kujdes që të ruhet mjedisi.

“Shqipëria do të jetë një vend i rëndësishëm industrial, por në çdo rast e në çdo investim, ne do të bëjmë gjithçka për të ruajtur standardet më të larta, në mënyrë që të mbrojmë shëndetin tuaj e të fëmijëve tuaj, në mënyrë që ju të jetoni në një vend, qytet, komunë e fshat të pastër.

Ky projekt, i realizuar me mbështetjen financiare të qeverisë shqiptare, të qeverisë së Mbretërisë Holandeze dhe Bankës Botërore, rehabiliton një nga zonat më të rrezikshme në vend nga ndotjet me substanca me potencial toksik. Rehabilitimi i zonës përfshin edhe punimet civile dhe pyllëzimin e saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›