Një zë në shkretëtirë sjell humor në skenën e Vlorës
Spektakël në skenën e teatrit të qytetit të Vlorës Petro Marko ka sjellë shfaqja Një zë në shkretëtirë, e cila është mirëpritur nga publiku i qytetit bregdetar. Trupa e estradës së Vlorës ka filluar sezonin e aktiviteteve me premierën "Një zë në shkretëtirë, e cila ngjiti në skenë disa nga emrat më të njohur të skenës. Materiali i vënë në skenë me regjinë e Ilir Bezhanit, është mirëpritur nga spektatori vlonjat, i cili për disa ditë me radhë ka mbushur skenën e teatrit
të qytetit bregdetar. Në shfaqjen -spektakël është vërejtur një ndërthurje e këndshme e humorit të sjellë nga parodistët si dhe aktorët e tjerë të trupës së estradës, ku batutave i është shtuar edhe humori i aktorit Kosta Kamberi, i ftuar në këtë spektakël. Ashtu siç edhe është prezantuar në titull, materiali është vendosur në një zonë të shkretë, ku aktorët duket se kanë gjetur pozicionin e vet, të paktën nga rolet që kanë mbajtur. Thjesht aktorë dhe një regjisor që përpiqen të vënë në skenë një shfaqje, por mungesa e sponsorëve apo edhe ndonjëherë e vetë talentit, duket se e bën të pamundur misionin. Gjithë shfaqja është ndërthurur me muzikën e orkestrës live të drejtuar nga Artur Dhamo. Nuk mungonin dhe zërat e këngëtarëve Rovena Ibrahimi, Drini Kanani e Ludmilla Baballëku. E ndërkohë që skena e teatrit Petro Markogjatë viti që lamë pas ka pasur një aktivitet të ngjeshur artistik, duke sjellë para spektatorit vepra të realizuar bukur dhe me vlera artistike. Edhe për këtë vit ky institucion teatror premton të njëjtën gjë, të sjellë vepra të bukura në skenë për publikun.