Sa spektatorë pati kultura në 2009

Raporti i mangët i institucioneve të kulturës në Tiranës, tregon një numër të ulët spektatorësh me biletë në Teatrin e Operës, Teatrin Kombëtar, Teatrin e Metropolit apo në Galerinë e Arteve. Ku gabojnë hartuesit e repertorit dhe të politikave për tërheqjen e publikut? Përse sallat mbushen me të ftuar?
Çdo fundviti institucionet e kulturës bëjnë bilancin e biletave të shitura në një vit, tregues i saktë ky për numrin e vizitorëve që kanë ndjekur ngjarjet e kulturës.
Kjo shërben për të kuptuar edhe prirjet dhe dëshirat e publikut të sotshëm, të ri e të vjetër dhe ky informacion nuk mund të injorohet nga drejtuesit për të qenë të vëmendshëm në hartimin e repertorit të ardhshëm.
Për vitin 2009, gazeta "Shekulli" e ërkoi këtë informacion në institucionet kryesore të kulturës, në Teatrin e Operës dhe Baletit, Teatrin Kombëtar, Galerinë Kombëtare të Arteve dhe në Teatrin e Metropolit. Informacioni ishte i nevojshëm për një ide të qartë mbi interesat e shikuesve për repertorin e 2009-ës.
Cilat shfaqje kanë thithur më tepër shikues: Një "Arrëthyes" me koreografi të Ilir Kerni apo "Porgy and Bess" i Gershwin-it? Një "Falstaff" që mban firmën e Verdit, apo "Andrea Chènier" i Umberto Giordanos? Një dramë dashurie si "Filumena Marturano", apo komedia "Të gjithë me huqe" e francezit Laurent Baffie?
Institucionet, të rezervuara ndaj informacioneve të këtij lloji, u mjaftuan me dhënien e shifrave të përgjithshme për biletat, gjë që e bën të pamundur analizën që përmendëm më sipër.
Kështu, për vitin 2009, në Teatrin e Operës dhe Baletit janë shitur 9856 bileta, në një sallë me 780 vende. Gjatë këtij viti u shfaqën premierë 5 opera dhe 4 balete. Në repertor "Norma" e Bellinit, "Falstaff" i Verdit, "Andrea Chènier" i Giordano-s. U shfaq dhe opera "Salome" e kompozitorit gjerman Richard Strauss dhe "Porgy and Bess" e Gershwinit.
Publikut iu prezantuan baletet: "Rajmonda dhe Spartaku" Alexandr Glazoenov & Khachaturian, përgatitur nga Leonard Xhokaxhi, "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" me muzikë të Nikolla Zoraqit, koreografi të Agron Aliajt, "Tirana by night", me muzikë të Ermir Dergjinit dhe koreografi të Arjan Sukniqit, "Arrëthyesi" i Çajkoviskit, me koreografi të Ilir Kernit, që u shfaq në mbyllje të vitit.
Po përmendim vetëm premierat, pasi janë kryesisht ato që shënojnë numrin më të madh të spektatorëve.
Kurse, në sportelin e Teatrit Kombëtar janë shitur 12.680 bileta 300 lekëshe dhe 90 bileta 150 lekëshe, gjatë vitit 2009.
Në këtë kohë në repertor kanë qenë "Filumena Marturano" e Eduardo de Filippos, me regji të Albert Mingës, premiera "Të gjithë me huqe" e Laurent Baffie-së, me regji të Gëzim Kames, "Forca e Zakonit" e dramaturgut Thomas Bernhard, me regji të Kristian Papke edhe kjo premierë, si dhe premiera "Kush ka frikë nga Virginia Woolf", e Edward Albee-t, me regji të Kushtrim Bekteshit.
Nuk llogarisim këtu shfaqjet "Këngëtarja tullace" e Ionescos me regji të Spiro Dunit, "Antigona kërkon të atin" shkruar nga dramaturgu Mihal Luarasi, sepse nuk kanë qenë produksione të Teatrit Kombëtar. Nuk dimë nëse ky raport i TK-së, ka përfshirë në numrin e biletave të shituara edhe shfaqjet që nuk janë produksione të këtij Teatri.
I vetmi institucion kulturor që dha një informacion të plotë për "Shekullin", numrin e saktë të biletave për secilën prej shfaqjeve, të ardhurat nga shitjet, ishte Qendra Kulturore Tirana, që përfshin Cirkun, Teatrin e Metropolit dhe Teatrin për Fëmijë.
Gjatë vitit 2009, Cirku ka shfaqur 5 premiera: "Lëre shpirtin tënd të fluturojë në cirk" (48 shfaqje, 9228 bileta), "Mos i beso kurrë një ujku" (22 shfaqje, 1382 bileta), "Gjethe që bien" (26 shfaqje, 3524 bileta), "Të kapërcesh ylberin" (94 shfaqje, 3524 bileta), "Qielli pikon yje" (2 shfaqje, 120 bileta).
Teatri i Metropolit ka shfaqur shown "Mos i thuaj njeriu" me protagonist Arian Çanin (10 shfaqje, 610 spektatorë), "Drejt lirisë" Erand Sojli (2 shfaqje, 80 spektatorë), "Kopshti i Vishnjave" Anton Çehov, me regji të Kiço Londos (17 shfaqje, 671 spektatorë), "E zonja e Bujtinës" Carlo Goldoni, me regji të Hervin Çulit, (23 shfaqje, 1639 spektatorë). Teatri për fëmijë ka vënë në skenë vetëm "Gracka", e shfaqur 19 herë, dhe ka pasur 1140 spektatorë.
Biletat për të rritur në ropolit kushton 500 lekë, kurse për Fëmijët 200 dhe 100 lekë, në varësi të shfaqjeve. Të ardhurat e institucionit për vitin 2009 kanë arritur në 3. 294.700 lekë.
Galeria Kombëtare e Arteve, nga 1 janari i vitit të kaluar deri më 1 korrik, ka qenë në rikonstruksion, dhe numri i vizitorëve ka qenë shumë i paktë. Biletat e arkëtuara janë vetëm nga ekspozitat janë 25.000 lekë për 250 vizitorë.
Nga 1 korriku deri më 31 dhjetor 2009, janë arkëtuar 400.000 lekë nga biletat dhe ka pasur afro 2250 vizitorë.
Shifrat 10.000 bileta për një vit, të cilës i përafrohet Teatri Kombëtar dhe Teatri i Operës dhe Baletit, është pothuajse e barabartë me numrin e biletave që shiten për një film shqiptar që rri vetëm 2 javë në kinematë e Tiranës.
Është i qartë numri i ulët i biletave që shesin këto institucione, po të bëhet një llogaritje e thjeshtë me numrin e shfaqjeve që vihen në skenë dhe frekuencën e tyre (një shfaqje në TOB 4 herë, një shfaqje në Teatër Kombëtar 15 herë).
E thamë edhe më lart këto raporte janë vjelë me vështirësi për shkak të mungesës së transparencës dhe frikës, po edhe paragjykimeve që kanë drejtoritë për publikimin e këtyre lloj të dhënash.
Numri i biletave të shitura në një vit, mbahet i fshehtë. Është traditë e hershme e këtyre institucioneve mbushja e sallës me të ftuar, dhe prapë ndodh që salla të mbushet përgjysmë, e në shfaqjen e shtatë apo të tetë, ta gjesh me 2 radhë spektatorësh.
Më e saktë do ishte ta quaje jo traditë, por mentalitet i ngulitur që drejton institucionet: "Përderisa jemi shtetërorë nuk u hyjmë llogarive me bileta. Ne jemi elitarë dhe kombëtarë, jo komercialë."
Të dhënat për këtë shkrim janë mbledhur në dy javë. Administratat të mbajnë pezull. Fillimisht thonë se s'e kanë problem t'i tregojnë shifrat, pastaj papritur del se procedura është e gjatë dhe të përcjellin për ta marrë informacionin në Ministrinë e Kulturës.
Po kjo e fundit, a u hyn ndonjëherë bilanceve dhe analizave të kësaj natyre? Ka të ngjarë që jo. Nuk ka ardhur akoma ai ministër Kulture që të fluturojë kaq ulët me tokën.