Njëanshmëria majtiste, me metra të ndryshëm në dorë
Të gjithë personalitetet e instancave të larta shtetërore e dënuan aktin e rrahjes së një gazetari. Po i referohem vetëm njërit prej tyre, kryetarit të shtetit, z. Bamir Topi. Ngjarjen, presidenti i Republikës e quajti të papranueshme. Institucionet e Shtetit alarmohen – tha ai. Me fjalë të ndryshme, zërat e politikës, veçanërisht të polikës qeverisëse, ishin të tillë. Por z. Topi bëri edhe një koment të vogël: “Jemi mësuar të shohim edhe ngjarje të cilat, për fat të keq, shihen édhe post mortem.
Më duket se kjo nuk bie ndesh me mendimin m’u zgjua së pari se vakësia e kësaj proteste i detyrohet së vërtetës se “të zellshmit” e këtij manifestimi nuk i përgjigjen dot pyetjes: Atje, para kryeministrisë, a ishin vërtet më shumë punonjësit e gjelbërimit dhe ata të pastrimit të plehrave, nën vartësí të bashkisë? Le të mos mendojnë zhurmuesit se e vërteta nuk mënon të dalë në sipërfaqe. Dy nga miqtë e mi, që kishin qenë atje, para kryeministrisë, më thanë se mjaft nga pjesëmarrësit e këtij grumbullimi ishin shprehur troç se kishin ardhur vetëm për shkak të trysnisë “nga lart”. - Në ç’kuptim? - E dini, nga kreu i bashkisë. A duhet të mbetemi pa rrogë? - Por ky kryetar është edhe kryetar i PS-së,- kishte vazhduar biseda shoqërore. Përgjigjja është kuptimplote: - Kujtoni se edhe atyre nuk u është bërë thirrje? Po të vinin edhe anëtarët e PS-së, nuk do të ishte këtu kjo pakicë sa për të thënë!
Kjo ka një domethënie të veçantë.
Të tjerë thonë se përse nuk u bë kjo potere kur Rama, dy-tri vite më parë, i tha “prostitutë” një intervistueseje të Shijak TV-së. Fjala pret shpeshherë më tepër se shpata, është thënë në një sentencë të lashtësisë latine. T’i thuash një fjalë të tillë gazetares që është në detyrë, sepse të ngatërrohet fjala për të dhënë një përgjigje, kjo është më e ashpër, ndoshta, në parim të shtypit të lirë, sesa një shpullë që angazhon postera nëpër rrugët qendrore të Tiranës, në të cilat shkruhet: “Wanted: 10.000 Euro”.
Por le të vijmë tek ajo “post mortem” e kreut të Shtetit: Shumëkush e mban mend një mujshar fanatik të “triumfit zgjedhor të PS-së”, që vrau në sheshin e selisë zgjedhore, komisionerin e aleancës demokratike, kur ishte në fuqi PS-ja. Ishte një ngjarje që i kalonte shumë e shumë kufijtë e një shpulle. Sot atyre viktimave që u bënë shkas për një terror psikologjik të këtyre përmasave, u është harruar emri! A mos, vallë, demokracia i paska të tepërt ithtarët e saj?
Kuptohet, kështu, se bënë mirë ata që e ndëshkuan gjestin e personit shpullëdhënës, të cilin kreu i Shtetit e përcaktoi, me maturí, si “të papranueshëm”. Por né sapo dhamë shembuj vrasjesh, me viktima mbrojtësit e votës së lirë. Nëse ndokush do të ngulmojë se shembulli qé në njëjësin, viktimë, ndërsa po flas me shumësin, viktima, atëherë do të na duhet të përmendim viktimat për fajësinë se ishin rrogtarë të shtetit si oficerë të ruajtjes së rendit, që s’i kishin rënë më qafë qoftë edhe një personi të vetëm dhe e paguan përkushtimin e tyre si oficerë të rregullit, me prerjen e kokës dhe thithjen e gjakut. Për më tepër, u bë kërdia në viktima të tilla të pafajshme nga ruajtësit e të ngujuarve në grevën në selinë universitare, kur askush nuk kishte vajtur t’i hiqte nga greva përdhunshëm, siç i hoqi Rama, në titull të ministrit të Arsimit, artistët grevistë, duke i hequr zvarrë! Madje dolën shumë demagogë që i përmbysën faktet, me demagogjinë “Na vranë, na dogjën, na prishën kadastrat në vend të “I vramë, i dogjëm, prishëm kadastrat...”!
A është mbytje e fjalës së lirë kjo, kur vihen në përdorim një mori shpullash e zvarritjesh, që nuk krahasohen dot me një shpullë të vetme? Për shoqërim idesh, këtë fakt po e përmendim nga ajo që tha Andrea Stefani, në këtë të ashtuquajtur miting, ku rrogtarët e bashkisë e kalonin shumë e shumë herë, numrin e gazetarëve në përgjithësi; e, megjithatë, ai tha, sapo iu vu mikrofoni në gojë: “Nuk do të ketë demokraci, sapo media do të mbysë fjalën e lirë”. Por si mungoka kjo fjalë e lirë, kur Mustafa Nano i tha z. Berisha, komunist, në një intervistë në të cilën Berisha iu përgjigj qetësisht dhe ëmbëlsisht, - do të thoshim, - të gjitha pyetjeve të të pranishmëve, me përjashtim të asaj sfidës së Mustafa Nanos , që mund të quhet provokuese? Kështu u shpreh edhe A. Stefani, dje. Madje po i merret për ters doktorit, tani, edhe ajo shprehja e tij, që askush nga gazetarët nuk mund të procedohet për fjalën e tij të lirë. Një ish-kandidat i PD-së, (që nuk fitoi), një humorist që u pyet bash në këtë “grumbullim, e përmendi edhe ai fjalën komunist, gjithmonë në të njëjtën adresë! Ende nuk e dinë se cilët qenë në orët e para në krye të proceseve demokratike, që magnetizonin popullin me fjalët për liri-demokraci? Sesa iu përshtat Dr. Berisha këtyre përbaltjeve, e sqaroi Dr. Sabit Brojka, në një intervistë të tij. Dr. Berisha s’ka qenë asnjëherë doktor i Bllokut, siç është shprehur edhe Nexhmija, me njëfarë përbuzjeje.
Që t’i rikthehemi asaj Wanted-it, që ka mbushur llamarinat në të majtë të Ushtarit të panjohur, në të majtë duke u drejtuar si Ai, nga perëndimi, shumëkujt mund t’i lindë pyetja: Përse nuk i bënë, pikërisht në vendin ku u vra, një bust për ta nderuar si viktimë e fjalës së lirë ? (E kemi fjalën për komisionerin e PD-së, jo për komisionerët e denoncuar nga Rama të PS-së, paçka se e ata ishin të përzgjedhur nga ai vetë dhe ata e kishin bërë detyrën e tyre, më së miri!).
* * *
Në mbrëmjen e datës 4.11.09, u dha intervista e B. Fevziut me Lekën I, që u shpreh edhe për referendumin për zgjedhjen e formës së sistemit të qeverisjes. Me thjeshtësi të madhe Leka I përmendi se fillimisht u dha shifra prej 68 % në dobi të Monarkisë. Nuk vonoi dhe kjo shifër zyrtare u dha në një version të dytë: 54 %. Së fundi, po zyrtarisht u katandis në 33%. Akuzat bien mbi PS-në. Më e pakta që mund të thuhet, është se këtu transparenca ka rënë për tokë! Së dyti, në këtë vorbull ka rënë edhe vetë KQZ-ja, në raportin e modës së atëhershme 5:2, madje edhe 6:1! Së treti, këtu ia vlente të rinumëroheshin kutitë e votimit, se kemi të bëjmë me dyshime të përligjura, jo me hamendësime. Ndërsa KQZ-ja e tanishme, u shpreh me motivin juridik se komisionerët e Ramës nuk ishin kontestues! Është e papërgjegjshme ajo që ata që ke caktuar si më kompetentët e më të besueshmit, të trajtohen si persona që u dashkan çuar në gjyq! Përse? Se nuk dole fitues ti vetë dhe se të vihej në dyshim, si pasojë, mandati i kryetarit, sipas statusit të PS-së, që u shkel me këmbë! Lëvizja për Mendimin e Lirë u vu nën një trysni të pashembullt, se fjala e lirë mund të ndëshkohej me përjashtimin nga partia! Ata të pestët e, më vonë, ata të pesëdhjetët, e, tani së fundi, ata të pesëqindët, deputetë ose jodeputetë, po tregojnë guximin e duhur dhe fituesit kanë shpallur se janë gati që të hyjnë në parlament, pavarësisht nga bojkoti ultimativ i Edvinit. Njëra nga pikat e ultimatumit është se prokuroria duhet të japë verdiktin sa më shpejt për një vrasje në Roskovec. Natyrisht që ngjarja duhet të zbërthehet. Për nder të të ndjerit, për transparencë, për zhdukje të keqkuptimeve. Gjer këtu përligjet cilido. Por, ama, jo të kërkohet si i drejtë vendimi gjyqësor që kërkojmë nè. Përndryshe... (fillojnë e vazhdojnë fjalët mllefndjellëse, siç ndodhi me të ndjerin Trebicka). Çdokush ishte i bindur se në atë shesh sa dhjetë stadiume bashkë, nuk mund të fshihej dot, si brenda një pylli, një atentator! Ekspertiza përfundimtare e ardhur nga SHBA-të, përmes një eksperti me përvojë, që u shpreh në mënyrë të prerë e me kompetencë, se ishte fjala për një aksident, aspak për një atentat! Tani askush nuk e përmend më këtë “çështje”. Por, ama, propaganda shurdhuese vazhdoi gjatë. E, në këtë rast, si edhe në të tjerat, prokurorin dhe gjykatësin e bëjnë ata që shprehen përpara se ta thotë fjalën drejtësia! Ky është metri matës i PS-së, një dubëlstandard, që sjell tri tersllëqe: Së pari, mund të bëhet një precedent për të ndjekur të njëjtën udhë absurde në zgjedhjet e ardhshme. Së dyti, bëhet një sugjestion i keq, për të paraqitur sukseset e padyshimta dhe të një rëndësie të papërfytyrueshme (si autostrada e shekullit, por jo vetëm ajo) në një prizëm që i nxin të gjitha arritjet. Për fat të mirë, këtu nuk ia kanë arritur qëllimit që të ndikojnë instancat e larta të BE-së si edhe Institucionet e SHBA-ve, të cilat mund të kenë arritur në mendimin se né, në vendin tonë, kemi një opozitë sui generis, e cila shpërfill interesin e vendit të vet, atë për liberalizimin e vizave dhe atë të hyrjes sa më shpejt në BE. Këtu del blof edhe kundërvënia që i bëjnë LSI-së. Në të vërtetë, I domethënë integrim. Dhe I. Meta ka deklaruar se interesat shqiptare i tejkalojnë ato partiaket. Vetëm ithtarët e indoktrinuar të Ramës mund të mos e pranojnë këtë arsyetim. Së treti, përdhosin edhe reformën në drejtësi. Sot bëhen përpjekje të shumta që gjyqtarët të jenë të drejtë dhe po procedohen gjyqtarët që i kanë zhgënjyer së tepërmi qytetarët për vendime të padrejta, që të pasurohen me lekë nën dorë. Kemi rastin e freskët të një gjyqtari që ka dhënë gjysmën e dënimit në shkëmbim të miliona lekësh. Por kam edhe një rast të orëve të fundit:
Nje miku im i ngushte është rebeluar kundër një padrejtësie të një të pasuruari, që i ka marrë me qira vilën e trashëguar nga i ati. Të gjithë e njohin pasurinë e qiramarrësit, me disa kafe nga më luksozet dhe me disa ngrehina të stërmëdha (e jo vetëm në Tiranë), tepër fitimprurëse. Pasi e ka paguar qiranë deri më 5 shtator të këtij viti, ka lënë pa paguar tetorin. Nuk është harresë. –Nuk kam para, - i përgjigjet në telefon qiradhënësit. – Por ne kemi një kontratë, sipas së cilës: 1° Duhet të paralajmërosh tre muaj më parë për prishjen e njëanshme të kontratës dhe, për më tepër duhet motivuar kjo prishje. 2° Duhet të bësh tre muaj parapagim për këtë mosrespektim të klauzolave të kontratës. Biznesmeni qiramarrës jo vetëm që s’ka bërë tre muaj parapagim, por tetorin që kaloi nuk e ka paguar dhe thotë se s’do të paguajë as muajt e tjerë! Nëse do ta bëjë këtë, atëherë ai do të dalë me emër e me mbiemër në gazetat tona.
Kërkon që qiradhënësi ta çojë çështjen në gjyq dhe që gjyqtari ta çojë vendimin në. . . kalendar greke! Gjer tani i ka ecur ky marifet. Por, nëse do të ndodhë kjo gjë edhe në këtë rast, qiradhënësi ka vendosur ta çojë çështjen në Strasburg.
Me masat e rrepta që po merren, shpresojmë që gjyqtarët të kenë vënë mend. Për këtë reformë, duhet të heqin dorë, së pari, socialistët e Ed Ramës, që të mos flasin pa u shprehur gjykata. Edhe në rastet si kjo që i ndodhi M. Bazes, duhet të kemi si parim që liria e medies nuk është e pakufizuar. Dhe nuk duhet keqinterpretuar liria e njëmendët që Dr. Berisha kërkon në favor të gazetarëve, kur edhe këta të fundit nuk duhet ta marrin nëpër këmbë lirinë e tyre, si kali i harbuar frerin. Aleksandër Frangaj ka shprehur publikisht një mori argumentesh të keqtrajtimit të tij vetjak, në gazetën “Tema”, nga Mero (dhe jo vetëm ai). Gjer në talljet bajate e vulgare!
...