E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jam mësuar të jetoj me intriga

Autori i Lajmit: Redaksia
Nuk ka asgjë të re në planin privat në jetën e këngëtares. “Kohët e fundit, nuk ka as punë shumë”, thotë me shaka Ryva Kajtazi, duke aluduar në dashuri. Këngëtarja dhe aktorja, e cila për një kohë të shkurtër arriti sukseset e saj në të dyja fusha, sapo ka lançuar videoklipin më të ri të këngës “Nëpër shtratin tënd”, për të cilën ndjehet e kënaqur. Sipas informacioneve nga Ryva, këngën e ka komponuar Armend Rexhepagiç, orkestrimin e ka bërë Florent Boshnjaku, ndërsa teksti vjen nga Aida Baraku. Kënga është ritmike dhe flitet për bosët. Roli i personazhit të bosit i është besuar një mikut të Ryvës, Arbenit, që në klip është i rrethuar me disa vajza shumë të bukura. Për më tepër rreth karrierës muzikore dhe jetës së saj private, ndiqni intervistën e mëposhtme....

Jeni aktore dhe këngëtare, sa e vështirë është që të merreni me dy profesione njëkohësisht?

Fillimisht kam nisur me aktrim, por muzikën e kam pasur pasion që nga fëmijëria. Kur hyra në botën e artit, në atë kohë isha me studime. U njoha me shumë njerez dhe me ardhjen e punëve thashë pse të mos ia plotësoj vetes një dëshirë të fëmijërisë. Provova rastësisht, thjeshtë për qejf e jo për ndonjë qëllim tjeter dhe gradualisht aktrimi mu bë edhe profesion. Kështu që i dua njëkohësisht edhe aktrimin dhe muzikën. Të dyja i zhvilloj me shumë dëshirë, dhe që të dyja lidhen shumë me njëra tjetrën. Për gjithçka që dëshironi ta realizoni mund ta gjeni edhe kohën. Unë për të dyja punoj me shumë përkushtim, kështu që gjej edhe hapësirën e duhur.

Më shumë doni aktrimin apo muzikën, a mund ta ndani njërën prej tjetrës?

Të dy këto drejtime i dua shumë, edhe pse përparësi ka aktrimi për shkak të përvojës sime më të madhe dhe për shkak të profesionalizmit. Unë jam profesioniste në aktrim e jo në muzikë. Muzikën e kam për qejf, edhe pse kohëve të fundit kam pasur shumë angazhime në këtë drejtim, dhe muzika ka filluar të më bëhet edhe si prefesion i dytë.

Dihet se nga profesioni i aktrimit në vendin tonë nuk ka shumë përfitim material. A është kjo arsyeja që merreni edhe me muzikë?

Arsyeja që unë kam filluar edhe me muzikë është se nuk jam edhe aq e angazhuar në aktrim, sepse dihet krejt në çfarë kohra dhe çfarë gjendje është aktrimi. Por, natyrisht se mund të jenë edhe përfitimet materiale arsyeja se pse hyra në botën muzikore. Jam një tip që kam dëshirë të punoj sa më shumë, dhe nuk dua të ndalem. Rolet e mia nuk varen nga unë, por nga të tjerët, sepse dikush tjetër të ofron role. Kur jam më shumë e angazhuar në aktrim, muzikën e lë anash. Por kur të më mungoj angazhimi në aktrim, atëherë muzika ka përparësi.

Jeni në përgatitje të një videoklipi të ri, kur pritet të jetë gati?

Tanimë jam në fazën përfndimtare të klipit. Këngën e ka punuar “Infinit record” në Zvicër, ndërsa spotin e kam punuar për herë të parë me “Pixel”. Unë besoj se ky videoklip do të pëlqehet nga publiku, por prapë se prapë është më shumë e rëndësishme që të pëlqehet kënga.

Zakonisht kur këndoni në mbrëmje të ndryshme shoqëroheni edhe me ndonjë këngëtar që këndon tallave, pse?

Jo në të gjitha, por në diasporë. Secila diskotekë ka këngëtarët e vet të cilët këndojnë tallava. Ky është vendim i pronarëve të lokaleve, dhe kërkesë e të ftuarve në diskotekë.

Në paraqitjet tuaja gjithmonë dukeni cool, si e arrini këtë?

Mendoj se çdo femër i kushton rëndësi pamjes së vet. Unë i kushtoj mjaft rëndësi paraqitjeve të mia, por asnjëherë nuk bëj ndonjë investim të madh. Zoti na e ka falur hijeshinë neve femrave, dhe unë mundohem që ta ruaj.

Kush është Ryva Kajtazi jashtë skenës?

Jetoj një jetë normale si të gjithë të rinjtë. Kur kam kohë të lirë, paradite dal me motrat e mia apo me shoqet për tu argëtuar. Ndonjëherë vizitoj edhe të afërmit e mi, dal në shëtitje etj. Edhe pse jam shumë e angazhuar, një pjesë të kohës kam dëshirë tia përkushtoj nënës sime të dashur, e cila ka qenë edhe personi më shtytës për të hyrë në botën e artit.

Cilit zhanër të muzikës i takojnë këngët e tua në përgjithësi?

Të them të drejtën preferoj të gjitha zhanret. Me rëndësi është të jetë kënga e mirë, pa marrë parasysh se cilit stil i përket. Fjala vjen, sapo kam përfunduar një baladë të përcjellë me videoklip. Kohëve të fundit, më pëlqen më shumë të këndoj këngë ritmike. Kryesisht fokusohem në melodi moderne dhe argëtuese që pëlqehen nga të rinjtë.

A ke menduar ndonjëherë ti shkruash vetë tekstet?

Po. Kjo ka ndodhur para pesë vitesh. Është e vetmja këngë që ka të bëjë me ndjenjat dhe jetën time private. Tekstin dhe videoklipin i kam punuar në Gjilan. Qe ajo, një këngë dhe videoklip që u pëlqye shumë.

Ti interpreton edhe jashtë Kosovës. Cili vend të ka lënë më së shumti përshtypje gjatë udhëtimeve të tua?

Më së shumti më ka lënë mbresa Italia. Por, ka vende ku ende nuk kam qenë dhe jam kureshtare që ti vizitoj. Për shembull, kam oferta të shkoj në Austri, Paris dhe Amerikë, vende këto që e zgjojnë interesimin tim.

A mund të na tregosh për rolin më interesant që ke aktruar ndonjëherë?

Roli më interesant për mua ka qenë ai i Emines, të cilin e kam prezantuar në emisionin “Përrallë me Tupan”. Ajo ka mbetur njëra ndër personazhet që e kam dashur dhe e dua shumë. Një rol që e kam krijuar vetë dhe, i cili ka mbetur shumë i adhuruar jo vetëm nga unë, por edhe nga shikuesit që e kanë parë atë.

A ju shqetësojnë thashethemet?

Në fillim e kam pasur pak problem të adaptohem me intrigat sepse janë të shumta fjalët që fliten. I merrja afër zemrës, dhe i diskutoja me familje e shoqëri, mundohesha ta gjeja zanafillën e problemit. Por tani është ndryshe, sepse jam mësuar të jetoj me to. E gjitha çfarë mund të them kur dëgjoj një intrigë është: A unë qenkam kjo?. Kur ka thashetheme, ti je në qendër të vëmendjes, kështu që kjo më bën të ndihem Ok.

Cilat i konsideroni veti të mira dhe jo të mira tek vetvetja?

Veti të mira dhe jo të mira kam shumë. Veti e mirë mund ta quaj dashurinë e madhe ndaj punës. Dua që çdo punë ta bëj me vullnet. Pastaj, jam e sinqertë, jam ferr. Nuk më pëlqen që jam shumë e ndjeshme. Ndonjëherë nuk duhet të jesh e tillë, sepse njerëzit keqpërdorin mirësjelljen apo ndjeshmërinë që ke. Prandaj, them se këtë e konsideroj si pikë të dobët timen.

Jeni e kënaqur me përfitimet nëpër mbrëmje mzukore?

Për sa i përket përfitimeve, nuk do të thotë se nuk jam e kënaqur, mirëpo ka ndikuar shumë teknika e internetit dhe kështu që shitja e projekteve, albumeve tona, ka rënë dukshëm. Pra, edhe pse fitojmë në mbrëmje muzikore, prapë kemi shpenzime të mëdha. Për të realizuar një këngë dhe videoklip duhen shumë mjete dhe është e vështirë të mbijetosh vetëm nga përfitimet e mbrëmjeve muzikore.

A ka diçka të re në jetën tuaj sentimentale?

Jo, nuk ka asgjë të re. Kam vendosur të merrem vetëm me karrierë. Tani më intereson vetëm puna ime profesionale.

Keni ndonjë plan për të ardhmen?

Plane zakonisht nuk bëj, sepse shpeshherë edhe dështojnë. Mirëpo, kur i kam të sigurta, atëherë nuk dyshoj në to. Çfarë ardhtë mirë se ardhtë. Dua që të kem sukses në singëllin tim dhe suksesin ta vazhdoj edhe në aktrim.

Shumë të rinj shqiptarë konsumojnë duhan dhe alkool. Si qëndron puna te ju?

Në familjen time nuk e konsumon askush duhanin dhe alkoolin. Kjo më ka ndihmuar shumë që të jem larg këtyre fenomeneve të këqija. Normal që në shoqërinë time ka edhe të atillë që e konsumojnë duhanin. Të rinjtë tanë mendojnë se nëse nuk pi duhanin dhe nuk konsumon alkoolin, thjesht nuk je në rrjedha, pra nuk je “in”. Por, nuk është ashtu. Nëse unë dëshiroj të jem e disponuar apo ti disponoj të tjerët, atë mund ta bëj edhe pa alkool e duhan.

Cili ka qenë përjetimi yt më i mirë deri me tani?

Përjetimi im më i mirë në jetë ka qenë gjatë studimeve në fakultet. Kam pasur një fat shumë të madh që të jem në njërën prej klasave më të suksesshme. Isha në klasën e të ndjerit Faruk Begolli dhe Ilire Vincës. Pastaj në klasën time kanë qenë edhe Teuta Krasniqi, Yllka Gashi, Gresa Pallaska, Fatmir Spahiu e shumë të tjerë, që tani janë fytyra publike. Me këta edhe sot kemi raporte korrekte. Pra, ajo ka qenë një periudhë shumë e mirë studentore të cilën do ta kisha veçuar.
Ky lajm është publikuar: 07/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›