E Diel, 1 Nëntor 2026

Doris Pack: Opozita të mos rrijë rrugëve, por t’i kthehet parlamentit

Europarlamentarët kanë kërkuar dje në shumicë kthimin e opozitës në parlament, në mënyrë që ajo të mos rrijë rrugëve, por të kontribuojë në parlament për miratimin e reformave që e afrojnë vendin me Bashkimin Evropian. “Opozita e një vendi që dëshiron anëtarësimin në BE s’duhet të qendrojë jashtë parlamentit” ka qenë apeli konsensual i ardhur dje nga Parlamenti Evropian

Parlamenti Evropian kritikon bojkotin e parlamentit nga pala opozitare në Shqipëri. Përmes një debati të gjatë, europarlamentarët i bënë thirrje Partisë Socialiste që ta trajtojë kauzën e saj politike në sallën e Kuvendit dhe jo rrugëve. Anëtarja e Parlamentit Evropian Doris Pack, deklaron se ndonëse raporti i Komisionit Evropian nuk përmend në konstatimet e tij për situatën politike në Shqipëri, por kjo nuk e pengon që të bëhen amendamente dhe t’i bëhet thirrje opozitës që të rikthehet në parlament. “Nuk përmendet fare që opozita ka bojkotuar parlamentin. Në amendament do të kërkoj që t’i bëhet thirrje opozitës që të mos rrijë rrugëve, duhet t’u themi e të pozicionohemi qartë që opozita duhet t’i kthehet parlamentit në Shqipëri”, u shpreh eurodeputetja Doris Pack.
Ndërsa eurodeputeti tjetër Kristian Vigenin u shpreh se “sigurisht ne mund t’u bëjmë apel, por duhet të marrim në konsideratë faktin se nëse ata janë jashtë, mbase kanë arsyet e tyre, ndoshta situata nuk është kaq e thjeshtë, ndaj duhet ta përmendim këtë e të shohim më nga afër situatën atje”.
“Nuk mendoj se opozita e një vendi që dëshiron anëtarësimin në BE duhet të qëndrojë jashtë parlamentit, por në anën tjetër ne nuk duhet t’i mbyllim sytë që të mos shohim se ka vërtet një problem atje”, u shpreh Vigenin.
Dokumenti i Komisionit vlerësonte për Shqipërinë se shumica e standardeve ndërkombëtare u arritën në zgjedhjet parlamentare, por pati parregullsi. Forcimi i sundimit të ligjit, garantimi i funksionimit të duhur të institucioneve shtetërore dhe pavarësia e gjyqësorit mbeten sfidat kyçe për vendin. Komisioni rikujton se është gati për të përgatitur opinionin, nëse Këshilli pranon kandidaturën e Shqipërisë.
Por, si strategjia e përpiluar nga Komisioni, ashtu dhe propozimi i kryetarit të Komitetit të jashtëm Gabriele Albertini nuk e përmendin situatën politike të krijuar në vend pas zgjedhjeve të qershorit.
Ndërkaq, për vendet e tjera të rajonit janë përgatitur projekt-rezoluta të veçanta, raportuesi i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Nicolaos Chountis nuk ishte i pranishëm në këtë debat për arsye shëndetësore.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›