Peizazhi, po ai
Para një viti pata shkruar një artikull për peizazhin turistik të zonës së Golemit, ku flisja për shkatërrimin që njeriu i ka mbivendosur natyrës së mrekullueshme bregdetare.
I njëjti peizazh m'u shfaq përsëri në aventurën e kërkimit të një vendi të qetë në zonën prej Plepave deri në Malin e Robit. Të vetmet ndryshime që vije re kishin të bënin me faktin se prishjet e natyrës kishin avancuar.
Një karburant ngjitur me një tjetër mu në rrugë, që asokohe po ndërtohej, kishte filluar punën për kokërr të qejfit, një pallat gjigant në mes të rërës ishte afruar për t'u inauguruar (do mjaftonte ky pallat, që në një gjatësi prej 1 kilometër të mbushte e të tepronte gjithë pjesën e rërës!), dhjetëra pallate të tjerë të padenjë për një zonë bregdetare ishin në ndërtim e sipër.
E vetmja gjë publike, rruga kryesore zgjerohej, në kohën më të papërshtatshme, nën shoqërimin e reve të pluhurit që të kujtonin Shqipërinë e viteve '90-të.
Në plazhin e njohur të Golemit ndryshimet duken vetëm në pjesën e privatit. Asgjë publike s'ka lëvizur. Në dy anët e kësaj pike turistike të kahershme, kanalet e ujërave të zeza bëjnë kërdinë duke sjellë përveçse erë të keqe edhe rrezik sëmundjeje për ata pushues "të zotë" që guxojnë të bëjnë plazh deri 4-5 metër afër tyre.
Pak më në thellësi shikon po atë rrugë të paasfaltuar në mes të bllokut të vilave, po ato shelgje në mes të rërës, e më tej po atë konfiguracion çadrash, ku gjithçka e dominon pjesa private. Një pushues i lirë, nuk ka ku të ngulë çadrën, pasi të gjitha hapësirat janë të zëna nga privatët "me leje" të komunës.
Të gjitha këto e bëjnë plazhin e Golemit që vetëm plazh publik të mos quhet. Asnjë shenjë, asnjë tabelë serioze që të tregon se ku je, vetëm shkarravina. Ai që shkon për herë të parë mund të merret mendsh në këtë peizazh dhe duhet të pyesë për të gjetur edhe gjënë më të lehtë të mundshme.
Edhe njerëzit ishin po ata. I njëjti menaxher barkash, një burrë i urtë nga Kavaja; i njëjti pjekës misrash një burrë i vjetër, tironas den babaden, që periudhën e plazhit spostohet në plazh dhe punon nga mëngjesi deri në darkë; të njëjtit gomarues që shesin fruta dhe perime të freskëta duke përshkuar gjithë zonë e plazhit, me pak fjalë, i njëjti "Muharremi nga Golemi" që shet çfarë t'i shkojë, që nga frutat e perimet e deri tek akulloret e pakontrolluara që mund të të helmojnë pa një pa dy.
Karroca të panumërta bllokonin rripin mes rërës dhe detit; në hapësirën e notueshme shikoje lëvizje motorike të çartura që mund të të rrezikonin edhe jetën. Le të pasurohet "populli". Po si... kështu mes rrezikut?
Nuk ka pyetje tjetër, veç asaj të përsëritur sa herë gjendesh në këtë vend: A do të rregullohet ky peizazh? Të paktën kanalet e zeza, rreth të cilëve në stinën e plazhit, në një zonë rrethuese 200-300 m rreziten më së paku 10-15 mijë persona, (baras me popullsinë e një qyteti në Shqipëri), shumica e të cilëve turistë familjarë të ardhur nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare.
Sa dreqin duhet harxhuar për ta bërë një punë të tillë? Sa herë kam pyetur për këtë gjë, po bëhen gati 10 vjet që e bëj këtë punë, të thonë se këtë vit do të rregullohet. Por përsëri, në mënyrë periodike, gjej të njëjtin peizazh, bëj të njëjtën pyetje dhe marr të njëjtën përgjigje.
Tani që sezoni i plazhit është në përfundim, nuk kam asnjë hezitim të them se plazhet shqiptare janë shumë larg konkurrencës rajonale në atë që quhet cilësi. Ajo që quhet publike ndryshon shumë ngadalë në zonën e plazhit më të madh të rajonit. Ndryshimet nuk po vlerësohen akoma në proporcion me frekuentimin.
Edhe pse, me gjithë ngushtësinë e madhe, ardhur për shkak të fluksit të lartë të ndërtimeve, që i kalojnë të gjitha parametrat për një turizëm të rehatshëm, me gjithë zhurmat e skajshme secili për hesap të tij me baret dhe restorantet, me gjithë papastërtinë e tmerrshme në disa qendra, me gjithë infrastrukturën e mjerë publike, prapë se prapë, plazhi i Durrësit dhe pjesa zgjatuese e tij (këtu përshihet edhe zona e Kavajës) mbetet ndër plazhet më të frekuentuara; vija bregdetare e Durrësit mbetet gjigante dhe shumë e preferuar për pushues të nivelit mesatar, për popullin e gjerë, si i thonë. Por ky popull kërkon trajtim më të mirë, kërkon siguri, pastërti dhe infrastrukturë deri në detaje.
Mbi të gjitha kërkon disiplinë. Ngushtësia nuk është justifikim për ta lënë këtë pasuri të madhe vetëm në duart e disa privatëve të papërgjegjshëm, në mëshirë të një konkurrence pa asnjë rregull.
Vitin e ardhshëm plazhit të Durrësit i shtohet një kontigjent shumë më i madh pushuesish, si pasojë e përfundimit të rrugës Durrës-Kukës. Kjo madje ishte dhe arsyeja kryesore e iniciativës për ta shkruar këtë artikull.
Pritet të shumëfishohet numri i turistëve që vijnë nga Kosova, por pse jo, nuk kam asnjë pikëpyetje këtu, pritet të fillojë edhe frekuentimi i turistëve nga Serbia.
Kjo e fundit mund të ndodhë varësisht edhe nga zhvillimet politike dhe infrastrukturore (kam parasysh këtu rrugën Vërmicë - Merdare në Kosovë). Serbia mund të përbëjë në të ardhmen tregun më të madh turistik për Shqipërinë. Por për ta siguruar këtë treg duhet kthyer fytyra më së pari nga plazhi i Durrësit e më tej në të gjitha pikat kryesore turistike verore.
Ajo që më mbetet në mendje sa herë kujtoj sezonin veror është shpresa për të mos përsëritur ritin tim tashmë të vjetër në plazhin e Durrësit, d.m.th., frika se do të shkoj përsëri e të gjej të njëjtin peizazh, të njëjtët njerëz që rrotullohen aty dhe të bëj të njëjtën pyetje: Kur do të rregullohet ma?
Kur do të bëhen disa dhjetëra banja publike, çezma publike, rrugë të shkurtra publike, arterie që shkojnë deri në rërë, kur do të vendosen rregulla të shkruara mirë për qetësinë publike dhe menaxhimin e shërbimeve, si dhe kur do të vendosen në hapësirën detare vijat dhe rojet e sigurisë? Të gjitha këto nuk është se duan ndonjë investim të madh, por duan vëmendje, impenjim dhe llogari ekonomike.