Aktori shqiptar Bekim Fehmiu gjendet i vdekur në Beograd

Aktori i njohur shqiptar, Bekim Fehmiu, 74 vjeç, u gjet i vdekur në banesën e tij në lagjen “Zvezdara “ në Beograd. Sipas njoftimeve të para, ai ka kryer vetëvrasje. Lidhur me vdekjen e z. Fehmiu, u prononcua ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, sipas të cilit fjala është për vetëvrasje, pasi plumbi që shkaktoi vdekjen e tij ka dalë nga revolja e regjistruar në emër të z. Fehmiu. Media serbe, që citon burime pranë familjes, vë në dukje se ende nuk dihen motivet e aktit të kryer. Bekim Fehmiu ka lindur më 1 qershor të vitit 1936 në Sarajevë. Ai mbaroi Fakultetin e Dramës në Beograd në vitet 1956-1960. Gjatë karrierës së tij si artist teatri dhe kinematografi e, ka luajtur në role kryesore dhe të tjera në një sërë fi lmash jugosllavë dhe të huaj, duke u bërë një aktor i famshëm jo vetëm brenda kufi jve të Jugosllavisë së dikurshme, por edhe jashtë saj, pasi interpretoi me sukses të madh dhe dinjitet në krah të aktorëve yje ndërkombëtarë. Karrierën kryesore ai e ndërtoi jashtë vendit, sidomos në Itali, ku kishte marrëdhënie të ngushta pune dhe kontrata me regjisorin e njohur italian, Dino de Laurentis, ndërkohë që ka bashkëpunuar disa herë me aktorët e njohur Xhon Hjuston, Ava Gardner, Sharl Aznavur, Iren Papas. Me këtë të fundit ai interpretoi në fi lmin e njohur “Odiseja “ në rolin e Odisesë. Filmi më i njohur jugosllav, me të cilin emri i tij u bë i famshëm edhe në botë, duke fi tuar disa çmime ndërkombëtare, ishte “Mbledhësi i pendëve “ (1967), ku ai luajti rolin kryesor. Në vitin 2001, Bekim Fehmiu botoi librin e tij “Me shkëlqim dhe me tmerr “, në të cilin ai sjell kujtimet e fëmijërisë së vet në Sarajevë, Shkodër e Prizren në vitet para fi llimit të Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 1954. Me këtë libër aktori i njohur shqiptar u kthye edhe një herë tjetër në jetën publike mbas një mungese të gjatë. Bekim Fehmiu u tërhoq nga jeta artistike dhe publike në vitin 1987 në shenjë proteste ndaj politikës dhe propagandës diskriminuese antishqiptare të pushtetit qendror serb ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Këtë vendim të tij ai e ka shpjeguar edhe në intervistën që i dha së përjavshmes “Vreme “ në vitin 2001, ku, midis të tjerash, thotë: “Të gjitha ato telefonata, që nga Trigllava deri në Gjevgjeli, pas intervistës së lamtumirës që dhashë në gazetën ‘Politika’ në vitin 1987, gjithë ato lavdërime për kurajën dhe guximin për mua nuk ishin asgjë. Pas gjithë asaj pune të mundimshme nuk arrita gjë tjetër, veçse një zero, një zero absolute në atmosferën e kalorësve të apokalipsit, duke kaluar përmes vuajtjeve të mëdha shpirtërore. Arrita po atë që arriti edhe Stefan Cvajgu te ‘Bota e djeshme’, izolimin, vetminë… “.
#