E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njeriu dhe… rrota e mundimit

17/07/2009  “Dervishi...” në skenën shqiptare. Për herë të parë një trupë turke në Butrint

Kush vjen në pushtet për të ndryshuar botën, ndryshon veten brenda tij.

Ky kontekst filozofik është konfirmim i individit me pushtetin dhe përpjekjen e tij për të ndryshuar sistemin e kthen në një pjesë të tij. Me vëmendjen kritike se teatri po i afrohet letërsisë, regjisori turk Nurulla Tuncer është ngjitur mbrëmjen e së mërkurës në skenën antike të festivalit të Butrintit me dramatizimin e veprës së njohur të shkrimtarit boshnjak Mesa Selimoviç, pak kohë më parë përkthyer edhe në shqip nga Ben Andoni. Publiku shqiptar bashkë me këtë vepër për herë të parë ka dëgjuar artikulimin në gjuhën turke në teatër.

Romani “Vdekja e dervishit” sjell po ashtu për herë të parë në skenën shqiptare një trupë teatrore turke, teatrin “Kocaeli Municipalitu theater” nën regjinë e Nuruncer, që është njëkohësisht realizues i skenografisë, kostumeve dhe ndriçimit.

Dervishi Nuredin beson, beson te njeriu, tek e mira e tij. Por vrasja e të vëllait e shkatërron krejt sistemin e ngritur brenda tij - kapelat hierarkike të vendosura mbi kryet e besimtarëve myslimanë ngrehin në skenë gjithë pushtetin fetar. Pabesia, intriga, shpërfillja njerëzore e shndërrojnë dervishin Nuredin në një njeri që vret, që e harron mirësinë, por në fund rrota e mundimit e rikthen sërish te njeriu i parë. Por kjo ndodh pasi në skenë kanë kaluar gati një orë e gjysmë aktrim nga trupa turke, ku qetësia, dialogu, atmosfera fetare kanë realizuar perceptimin regjisorial të Tuncerit, një regjisor konceptual, që synon të hyjë të tema të forta midis diktaturës dhe sistemit fetar. Tuncer ka treguar dje për mediet se interesat e tij mbi teatrin janë krejtësisht mbi drama të forta, siç mund të jetë Mesa Selimoviç, Brehti apo Çehov. Ndërsa një “dervish” ngjitet në skenën e Butrintit, regjisori turk e ka përjetuar qëndrimin dhe veprën e tij në skenën antike. Tuncer na njeh me historinë tonë të përbashkët, jo atë të Turqisë së vjetër, por të shqiptarëve që i dhanë kulturës dhe jetës politike turke.

Ndonëse flet për teatrin e “Kocaelit”, që pritet të mbushë 100 vjet nga themelimi, Tuncer nuk e fsheh impresionin që ka marrë nga festivali i Butrintit, duke u shprehur se një festival i tillë në Turqi nuk mund të ishte veçse një utopi.

“Në Turqi një festival për teatrin mbetet një utopi. Nëse një ditë do të bëj një festival, të parët që do të ftoj do të jenë shqiptarët”, - ka thënë Tuncer me një lloj emocioni mbi çfarë ka përjetuar në Butrint, mbi atmosferën antike atje.

Me shkrimtarin boshnjak Mesa Selimoviç, që është shumë i njohur në Turqi, madje i renditur ndër 100 shkrimtarët më të njohur, regjisori turk thotë se trupa e tij vjen pas shfaqjeve në Bosnjë dhe Beograd, ku është pritur mirë.

Ky turne në Shqipëri, që regjisori turk thotë se nuk është e para dalje në Evropë, kjo vepër e Selimoviçit konsiderohet produksioni më i mirë që ka realizuar ky teatër 100-vjeçar. Ndërsa befasia, edhe pse ishte një element hyrës i shfaqjes, ka qenë koreografia e shqiptarit Gjergj Prevazi. Tuncer është shprehur për këtë bashkëpunim se në të ardhmen do të jetë mundësia e një vepre tjetër me shqiptarët, po ashtu me koreografin.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›