Njeriu gjeometrik i së kaluarës, apo qytetari i sotëm spontan?
(Si duhet ta kuptojmë ndryshimin në sjelljen e qytetarëve?)
Ndryshimet që kanë ndodhur në jetën politike, ekonomike e sociale kanë dhënë impakte të forta në strukturën e qytetërimit tonë, në sjelljen e qytetarit, qëllimet personale dhe mënyrat e larmishme të komportimit me shoqërinë. Në dy dekada në shoqërinë shqiptare ka ndodhur një revolucion i vërtetë, që nuk përmbysi vetëm raportet e vjetra politike, ekonomike e sociale por dhe ato kulturore e morale. Ne jemi mësuar nga perceptimet e deformuara të së kaluarës, dhe për pasojë shikojmë në mënyrë të njëanshme dhe vlerësojmë ndryshimet ekonomike, politike, materiale dhe kulturore dhe nuk shikojmë nga ana tjetër reflektimet e thella të këtij procesi në strukturën, formatin social, performancën publike dhe personalitetin e qytetarit. Ky paradoks aksiologjik është me pasoja sociale. Sepse ndërsa ndryshimet politike dhe materiale i kuptojmë dhe i pranojmë si realitet, kur vjen puna për të kuptuar qytetarin, që në përgjithësi po bëhet adekuat me ndryshimet, më i përshtatur me to, bëjmë sikur nuk i kuptojmë dhe për pasojë jemi të shqetësuar me realitetet e ndryshuara të jetës qytetare.
Në fakt dinamika e ndryshimeve të strukturës së personalitetit, sjelljes, mënyrës së jetës, organizimit të jetës private, tipologjitë e shfaqjes së vlerave dhe antivlerave nuk mund të kuptohet drejtë, në se nuk pranojmë që dinamika e ndryshimeve të jetës qytetare është padiskutim pasqyrim (i drejtë apo i deformuar kjo është tjetër gjë) i ndryshimeve të thella të realitetit tonë. Prandaj na duket sikur është tjetër qytetar njeriu i sotëm, që është krejt tjetër nga njeriu së kaluarës, që jetonte si atom i përfshirë në shoqërinë e madhe, dhe tjetër është qytetari i madh, i lire, me ndjenja spontane që jeton në shoqërinë e vogël. Ky ndryshim është shumë i thellë, i fortë, determinues, ekzistencial. Në këto kushte, është absurd të bësh krahasime të personalitetit dhe mënyrave të sjelljes së qytetarit të sotëm, që jeton i lirë nga determinimet e jashtme, që ka vendosur veten para shoqërisë, interesat e veta mbi ato të shoqërisë, me qytetarin mekanik, asketik, hipokrit të kohës së totalitarizmit.
Personalisht mendoj se ka ardhur koha të mësohemi të jetojmë me të vërtetat e jetës së vërtetë, ti pranojmë efektet dhe kundërefektet e modernitetit në jetën e shoqërisë tonë. Shumë shqetësime për sjelljen e qytetarit të sotëm, për anominë sociale dhe ekzibicionet personale të njerëzve të çoroditur nga iluzionet e jetës moderne, janë të vërteta dhe duhen vlerësuar nga politika, shteti, shoqëria, media, shkolla etj. Por ndërkaq, duhet të mësohemi me të vërtetën tjetër, që është universale se kudo në epokën moderne, në shoqëritë liberale dhe individualiste, bëhet evidente prania e njerëzve, që në jetën personale më shumë orientohen nga dëshirat dhe ndjenja spontane, të cilat shpesh janë lëvizshme, instiktive dhe shoqërisht të paqëndrueshme.
Në shoqërinë shqiptare aksi liberal dhe individualist i të cilës është fare evident, ka gjithnjë e më pak hapësirë për gjykime të përgjithshme, për funksionim të fortë të organizimeve sociale dhe sistem të përbashkët të vlerave morale. Tendenca e personalizimit të kuptimit të gjërave dhe dobësimi i tendencës së vlerësimit të vlerave të përbashkëta, është një fakt që nga ndikime të forta mbi shoqërinë dhe sjelljet e qytetarit. Natyrisht që të mos gabojmë, është e nevojshme që kur flasim për këto çështje, duhet ti ndajmë gjërat. Sepse është evidente që shoqëria jonë e ndikuar akoma nga diktimet e së kaluarës, dhe realitetet e përmbysura të ekzistencës së qytetarit gjeometrik, të njeriut të detyruar në të gjitha hapat e sjelljes personale, në komportimin social të detyruar nga determinimet e jashtme që vinin nga ideologjia, shteti dhe shoqëria, nuk kupton ndryshimet të vërtetat që shfaqen nga prania gjithnjë e më e zgjeruar e qytetarit spontan.
Që të mos e rëndojmë shoqërinë me nofka pezhorative, që realitetet e sotme qytetare të mos i analizojmë dhe gjykojmë me optikat e së kaluarës, duhet të kuptojmë se shoqëria shqiptare akoma më shpejt do të ecë në rrugën e zgjerimit të shtresës së qytetarëve, të cilët mendojnë ndryshe nga formulat morale dhe paradigmat sociale të së kaluarës. Është e vërtetë që po shtohen qytetarët që në pamje të parë mund të duken si njerëz me ndjenja spontane. Kjo pikërisht nga që në shoqërinë tonë për shkak të ndikimeve të liberalizimit dhe individualizimit të jetës, po thellohet vazhdimisht koncepti i ndërtimit të jetës sa më të personalizuar, po zgjerohet besimi se në procesin e shoqërisë së hapur do bëhet akoma më e mundur që çdo qytetar, që të synojë kërkimin individual të së vërtetës, duke u larguar nga paradigmat e traditës dhe përvojave morale kolektiviste të së kaluarës.
Ne kemi hyrë si shoqëri në epokën moderne dhe liberale, e cila ka shenjë të vetën dalluese, largimin e qytetarit nga determinimet e tepërta sociale, nga paradigma e njeriut ideologjikisht dogmatik, supersocial, i cili i detyruar të bëhej vegël jo për qëllimet dhe dëshirat personale, por ato sociale, që e bënin atë qenie tërësisht të kontrolluar në kërkesat e jetës private, të kornizuar nga format e vjetra të determinimeve sociale gjeometrike dhe matematikore të arsyetuarit social. Në kohën tone jetohet ndryshe. Dëshirat e njeriut janë bërë prioritare. Kjo do të thotë që parimet e qëndrueshme sociale gjeometrike dhe mbivlerësimi absurd vetëm i arsyetimit social, nga që janë të papërshtatshme për kohën moderne, janë bërë më të kufizuara në jetën e përditshme dhe mënyrën e ndërtimit të jetës personale të qytetarëve tanë.
Duke parë realitetin tonë, duket se qytetarët po formatohen si njerëz të kohës moderne, që kanë prioritare në sjelljen e tyre të plotësojnë dëshirat e personalizuara, që udhëhiqen në veprimet sociale që kryejnë me synimin për të plotësuar nevojat individuale në sasi dhe cilësi, më shumë se paraardhësit tanë. Kjo është arsyeja pse në vlerësimin e dukurive shpesh gabojmë, nga që nuk kuptojmë të vërtetën, që në shoqërinë e sotme dhe të nesërme shqiptare, gjithnjë e më shumë do të përballemi me njerëz që vërtetë janë qytetarë, por që në jetën personale nuk udhëhiqen nga arsyetimet e ngurta sociale, por nga ndjenjat, emocionet dhe përvoja e tyre personale.
Duhet ndryshuar optika me të cilën i gjykojmë realitetet dhe vlerësojmë sjelljet dhe tipologjinë e personalitetit të qytetarëve tanë. Sepse të mësuar me parimet mekanike të shoqërisë së mbyllur, të jetës qytetare me moral të ngurtë doktrinarist, të bazuar në gënjeshtrën e madhe të ndërtimit të njeriut të ri, të atij që detyrohej të ishte kundër rehatisë, lavdisë dhe interesave personale, na duket sikur njerëzit e sotëm, që janë qytetarët që jetojnë të lirë, pa ndikimin determinant të arsyetimeve të ngurta sociale, pa norma morale fikse, krijojnë iluzionin e gabuar sikur ata po bëhen qytetarë të tjetërsuar nga vetja dhe realiteti social. Në të vërtetë pakësimi drastik i njerëzve të mësuar të jetojnë me arsyetim dogmatik gjeometrik, ndjenja asketike, ka bërë që në shoqërinë tonë të shtohen njerëzit e dhënë pas jetës së qejfit, dëshirave dhe kënaqësive të jetës empirike të përditshme.
Kaq shumë dominuese është bërë kjo e vërtetë sociale, sa që të duket se mbi këtë bazë janë shtuar numerikisht dhe nuk bien më aq shumë në sy njerëzit e dhënë pas vetes.
Ata janë sot padiskutim shumica absolute e qytetarëve tanë. Në shikimin konservator, me optikat e deformuara të barazisë sociale, ata konsiderohen qytetarë që moralisht mëkatojnë. Në fakt, kjo ide vjen nga që në të kaluarën është ndryshuar thelbësisht, mënyra e personalizuar e të jetuarit të qytetarëve tanë. Jeta e sotme nuk ka asnjë ngjashmëri me të kaluarën moralisht puritane dhe materialisht tejet asketike. Në këtë kontekst duh
