Përpara peshores së (pa) gabuar të drejtësisë
Nga Namik Selmani
Për herë më ka frymëzuar dhe po aq më ka trishtuar ajo peshore simbolike në muret e gjykatave të të gjithë llojeve në vendin tim, në tryezat e gjyqtarëve, avokatëve, prokurorëve, pushtetarëve të të gjithë niveleve në Shqipëri e në botë. Pas saj ka qenë është dhe besoj se do të mbetet në vite e shekuj si DREJTËSIA. E fortë, e brishtë, e nëpërkëmbur, e egër, e butë, e korruptuar e padrejtë. Pas asaj pamjeje sa shplodhëse aq edhe revoltuese kur ke përpara sa e sa gjyqe të padrejta, më ka ardhur në mendje edhe shprehja e një filozofi se Kush bazohet në forcën, atëherë bie për tokë. Po e dini se forca trembet shpejt. E ai që mbështetet te drejtësia është mbështetur në një godinë që nuk shembet kurrë. Kjo mëdyshje mbresash më goditi fort këto ditë kur pashë në ekrane ato baraka të romëve që binin një nga një në një shi të rrëmbyer gushti mes shiut të lotëve duke u kthyer në murrana dërrasash, rrobash. Ndërkohë që në Sarandë ishte dhënë alarmi se në Plazhin e Pasqyrave kishin mbetur 80 pushues nga dallgët e detit pas stuhisë së papritur. Menjëherë, si thonë kronikanët e ditës, policia shkoi dhe u vuri në dispozicion të gjithë mjetet e shpëtimit, të gjithë mjejet e mundshme për të shpëtuar njerëzit e ata të shkonin në ngrohtësinë e dhomave të porositura më parë. Kësaj radhe më shkoi mendja edhe te shprehja populiste Mos paç hall në gjykatë! që, edhe pse mund të ketë njëanshmërinë në raportin që ka populli i thjeshtë me drejtësinë, gjithsesi nuk është edhe aq naiv kur e themi e kur flasim për të. Ose kur duhet ë bëjmë një Eko të gjyqeve të panumërt që vazhdojnë në Shqipëri që prej 20 vitesh populli ka nxjerrë fjalët Drejëtsi e vonuar , drejtësi e mohuar
Ndoshta citatomania ku futemi shpesh si në një grackë që ia kemi ngritur vetes, mund të jetë edhe e panevojshme ose edhe e pasaktë, por duket se filozofi i secilës kombësie që të jetë, e ka goditur saktë atë që ne e shohim në jetën e përditshme dhe e kemi parë që kur njeriu hyri në rrugën e sociolizimit të tij, edhe pse shoqëria kishte disa ligje të egra si ishin ato të skllavo-pronarisë. Gati asnjëherë nuk kanë ndryshuar në përmbajtje që kur kanë ikur ato kohë. Dëshira e njerëzve për të vendosur kudo e kurdoherë DREJTËSI PARA LIGJIT, BARAZI PARA LIGJIT DHE HUMANIZËM ka qenë e madhe, e ëndërruar, e dhimbshme, e mrekullueshme. Lëvizje të shumta në botë, partitë e kohëve moderne, individë të vetmuar që kanë qenë sa disa parti njëherësh kanë dashur që ti presin udhën padrejtësisë. Kanë qëndruar përballë një drejtësie sociale, kulturore, juridike, të gjymtuar, të përçudnuar. të futur si litari në thes kur thotë populli ynë. Jo vetëm pak më shumë miq me të drejtën njeriu kërkoi të ishte një lloj vëllami edhe pse krijoheshin sa më shumë gijotina telgjakosëse që iu kalitnin tehet e çelikta, përgatisnin kombin e litarit të vendosur në një dru të fortë që vdekja të ishte plotësisht e sigurtë e ai, i varuri të mos binte i gjallë nga trekëndëshi, i mbushnin dëng furrat e druve që vinin nga malet e hirnoseshin në agim apo në një muzg në fytyrat e gjykatësve të gardianëve të policëve me uniforma në sytë e njerëzve të habitur e të tmerruar për këto veprime që bëheshin në emër të (pa) drejtësisë bashkë me një trup rebeli që kërkonte drejtësi e vlera njerëzore. E, diku, në kohët moderne përgatitnin një grup të zgjedhur pushkatarësh që vrisnin në përrenj njerëz që kundërshtonin regjimin në emër të një fjale të lirë. Më tej përgatiteshin karrige elektrike të shoqëruara me kamera të panumërta me kronikanë ose zëdhënësa, me Pretendimet e botës së madhe të mbushur me mure, me ballkone, me burgje sigurie me kamera të fshehta shumë moderne, të futur mes shtatë pakë çelësash si thotë populli, edhe në ca ishuj vetmitarë apo në kështjella ku dikur paraardhësit kishin luftuar lukunitë e pushtuesve të huaj, të vendosur në periferi qytetesh, në qendra, në shpate malesh deri te ato me drita të forta të hoteleve modernë, përherë kanë qenë të mbushura me udhëkryqe ku e vërteta jo gjithmonë ka dalë në dritën e diellit, në dritën e jetës. Ato vërtet kanë njohur sakrificën (lexo: bërrylat e forta për tu ngjitur në shkallët e pushtetit me sa e sa padrejtësi) për të ngritur atë, DREJTËSINË që ata të thjeshtët e ëndërronin në secilin ditë a muaj të vitit të jetës së tyre. Gjithsesi edhe në Shqipëri simbolika e sakrificës ka shoqëruar drejtësinë ashtu si në të gjithë kohërat, duke përfshirë edhe 22 vitet e demokracisë. Ajo, tokësorja, a thua se qiellohej edhe më shumë, bëhej më e largët, më e mjegulluar, më drithëruese , më nxitëse? Përballë një drejtësie që është ende e brishtë dhe e padrejtë, edhe kombi ynë është futur sa e sa herë në rrokopujën e madhe të mbijetesës për Drejtësi. Shumë më të prekshme se ajo për Bukë, për Ujë. E shpesh drejtësinë kanë dashur që ta fusin në zjarrin e kohës për ta hirëzuar. Në arkivat e së keqes për të harruar mirësinë që del nga godina e saj madhështore e dëshirën makabre që ajo, së bashku me të dhe liria, barazia sociale, të mos njohin dritën e së ardhmes. Ose, si thotë shqiptari Tu mbylltë dera me ferrë! Mençuria popullore krijoi sa e sa fjalë të urta që, për fat të keq, shumica e gjykatësve asnjëherë nuk i kanë futur brenda qenies së tyre profesionale aq më tepër në dënimet e ndryshme që ato kanë firmosur. Tek ne e në botë mençuria e letërsisë botërore krijoi edhe modelet e saj për këtë drejtësi. Krijoi Prometeun që viktimizoi veten në emër të një drejtësie hyjnore për të në botë. Krijoi Laookontin. Kompozitorët thurën sa e sa këngë e gjerdanë me tinguj. Poetët qëndruan përherë e më shumë të menduar para fletëve të bardha, qoftë dhe në burgje, për të bërë himne për këtë liri të munguar. Krijoi Hamletin me atë dilemë universale nëse do të duhet që të vendosë apo të tërhiqej para (pa)drejtësisë që i ferronte këmbën e ia hapte plagë nga më të mëdhatë që mund ti hapen një familjeje në çdo skaj të botës. Edhe historia jonë krijoi emblemat e veta, ose, MODELET si thuhet më mirë. Një Ismail Qemali, një Skënderbe, një De Radë që vdiq i varfër për të mësuar djemtë e shqipes. Një Petro Nini që thotë: Mblidhmani gjakun se do tiu duhet fëmijëve shqiptarë për të shkruar shqipen! E lista e gjatë sa ne vetëm se duhet që edhe sot të kërkojmë brenda vetes idealizmin e të quhemi pa mëdyshje RILINDAS të shekullit XXI.
Në këto 100 vitet e fundit kombi ynë ka patur përballë sa e sa argatë të së keqes që kanë patur emra të ndryshëm, vende të ndryshme, flamuj të ndryshëm, metoda të ndryshme. Në këtë meditim po më shfaqen dhimbshëm kokat e skulpturave të Muzeve tona ku ka shumë e shumë ciceronë e ciceronka apo edhe shumë të tjerë që rrinë të nemitur përherë para skulpturave pa .. koka. Një përçudnim natyrisht jo për fajin e skulptorëve tashmë anonimë se sa për ata që i kanë lënë ashtu. E çmund ta ngrejë forcën e emocionit një vepre arti 3 metra e lartë kur nuk ka kokën e saj? Si një njeri që nuk ka kokën e tij dhe ecën si delet kokëprera që kërkojnë bariun e tyre. Ata barinj që ua njohin edhe blegërimën, edhe hapin e ngadaltë që i drejton ata të gjiri i nënës dele, edhe kur nuk e ndjen në bark qengjin që do lindë pas pak kohësh. Nuk ka simbolikë më të qartë më kokëfortë për drejtësisë së munguar se skulptura pa kokë. Një popull që kërkon drejtësinë nuk e nuk e ka atë është shumë herë është si ato skulpturat e gjymtuara që të sjellin jo vetëm trishtim, por edhe revoltë të paskajshme. Brenda kësaj drejtësie që ka zyra të ngrohta (mundohuni që të shikoni një dritare në një gjykatë që nuk ka kondiconerë dimër e behar e do të humbni të gjithë bastet), që kanë nene, që kanë rroba të zeza, mikrofonë, padyshim edhe rroga të mira në krahasim me nivelin ekonomik të popullit tonë të vjen në mendje KORRUPSIONI. Në të gjithë këshillat e urdhërat nuk ka simbolikë më të qartë më kokëfortë për drejtësinë e munguar se skulptura pa kokë.