E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statistika lufte për aksidentet, në 7 muaj 240 të vdekur

Vetëm në 15 ditëshin e parë të gushtit kanë humbur jetën 17 persona

aksidenti-3Përgjatë çdo dite që nga 1 janari i këtij viti e deri në fund të korrikut, aksidentet rrugore kanë shënuar rreth 240 persona të vdekur dhe 1900 të plagosur. Statistikat e Policisë tregojnë shifra të frikshme ndërsa ekspertët e aksidenteve rrugore, japin alarmin se vdekjet në rrugë për vitin 2013, në raport me vitet e tjera ngjajnë me statistika lufte. Eksperti Mitat Tola disa ditë më parë ka deklaruar për mediat se institucionet shtetërore, ministria e Brendshme, ministria e Transporteve dhe Drejtoria e Rrugëve e kanë toleruar aksidentin si pjesë fatale e trafikut, ndërsa gjendja është mjaft e vështirë, pasi shpesh herë këto struktura nuk bashkëveprojnë me njëra tjetrën për të minimilizuar aksidentet në rrugë. Sipas të dhënave që ka siguruar gazeta nga burime të Policisë rrugore, periudha janarkorrik 2013, mund të konsiderohet si një nga periudhat kohore më të përgjakshme, përsa i përket të vrarëve apo të plagosurve në rrugë. Nga një studim i thjeshtë i kryer nga gazeta përgjatë 15 ditëshit të parë të gushtit kanë humbur jetën rreth 17 persona, të cilët kanë qenë pasagjerë, drejtues automjetesh apo në rastet më të shumta kalimtarë në rrugë.

Statistikat

Specialistët deklarojnë se duke qenë se jemi ende në mesin e vitit, kjo tendencë pritet të ketë rritje deri në fund të vitit, nëse nuk ndërhyhet në mënyrë urgjente nga strukturat operuese që administrojnë infrastrukturën rrugore, leje drejtimet (autoshkollat), rrjeti spitalor, por po ashtu edhe Policia Rrugore dhe Ministria e Transporteve të cilat shpesh herë janë indiferente në punën e sensibilizimit të opinionit publik. Sipas statistikave për periudhën (JanarKorrik 2013)kanë ndodhur mbi 1400 aksidente rrugore me rreth 240 të vdekur dhe 1900 të plagosur, çka supozon se së paku 240 familjeve në vend në qytete të ndryshme të vendit do tu mungojë një pjesëtar që ka humbur jetën në rrugë për shkak të aksidenteve në rrugë. Por ekspertët shpesh herë nënvizojnë edhe dëmin ekonomik apo koston sociale që sjellin aksidentet për çdo familje apo edhe për vetë shtetin.

Kostoja sociale e aksidenteve

Në shumicën e rasteve të personave të aksidentuar familjarët humbin kohë, para, dhe shpenzime që në 70 për qind të rasteve nuk i përballojnë dot operacionet e shtrenjta apo trajtimet, dhe kështu familjari i aksidentuar është i detyruar të jetojë invalid. Ekspertët nënvizojnë se është një masë e madhe familjesh që humbet ditë pune, nerva, ilaçe spitaleve me njeriun e tyre. Sipas përllogaritjeve edhe dëmi ekonomik i shtetit përsa i përket aksidenteve në rrugë i kalon plot 40 milionë euro, ndërsa të prekura nga tragjeditë që kanë sjellë aksidentet janë përfshirë në shtatë muaj rreth 35 mijë familje shqiptare. Sipas specialistëve nëse do të bëjmë një përllogaritje të thjeshtë, ndryshe numri tejet problematik i aksidenteve përgjatë vitit të fundit, përkthehet me një krahasim makabër. Ekspertët nënvizojnë faktin se situata e aksidenteve përgjatë 2013-tës është njëlloj sikur një qytet mbi mesatar shqiptar të ishte përfshirë i gjithi në një aksident të stërmadh rrugor.

30 për qind

e vdekjeve aksidentale në rrugë përsa i përket shtatë muajve të fundit, i përket kalimtarëve në rrugë, kryesisht në akset rrugore ku mungojnë mbikalimet, dhe nuk ka asnjë mundësi alternative për kalimin e individëve në zonën e autostradave në gjithë vendin.

40 për qind

e drejtuesve të rinj(18-24 vjeç)janë përgjegjës për 15% të vdekjeve dhe 30% të plagosjeve. Drejtuesit e rinj pa eksperiencë janë përgjegjës për një pjesë të vdekjeve nga aksidentet në dy vitet e fundit.

7 për qind

e aksidenteve në rrugë me pasojë vdekjen e një apo më shumë personave janë kryer nga persona që kanë rezultuar në gjendje të dehur, ndërsa po nga këta drejtues automjetesh kanë ndodhur edhe 4% e plagosjeve në 2013.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›