Njeriu i ngurosur
Tuein për gazetarinë dhe çështje të tjera
Për të treguar se sa e vështirë është t'i japësh një mësim moral turmës së sinqertë ose t'i thuash një të vërtetë me anën e një shakaje dhe ta kuptojnë të gjithë, do të përshkruaj këtu nja dy ngjarje të jetës sime.
Në vjeshtën e vitit 1862 populli në Nevada dhe Kaliforni po marrosej pas ngurosjeve të jashtëzakonshme dhe pas çudive të tjera të natyrës. Nuk kish gazetë që të mos përmbante një a dy zbulime të lavdishme të këtij lloji. Kjo mani u bë pak qesharake.
N'atë kohë, unë isha një redaktor i ri, po i njohur në qytetin Virxhinia dhe më dukej se isha unë ai që do ta zhdukja këtë të keqe që po rritej; besoj se të gjithë, në një kohë a në një tjetër, tregojnë njëfarë sjellje të butë dhe atërore, kundrejt të tjerëve.
Unë vendosa ta luftoja maninë e sendeve të ngurosura me anën e një shakaje të lehtë e të butë. Po ndofta kjo ishte aq e lehtë sa askush nuk e kuptoi ashtu si duhej. Shakanë e thura me zbulimin e një njeriu të shquar të ngurosur.
Një herë, pata një mosmarrëveshje të përkohshme me Z..., gjyqtarin hetues të Hambaltit dhe mendova ta ngacmoja pak e ta bëja qesharak, duke bashkuar, në këtë mënyrë dëfrimin me detyrën.
Kësisoj përshkrova me durim dhe me hollësira të besueshme zbulimin e një njeriu të ngurosur në Grejvëlli Ford (plot njëqind e njëzet mila larg, në vargun e një mali të thepisur ku... ai jetonte); se si shkuan atje dijetarët e vendeve më të afërta për ta studiuar (ishte për të vënë re se atje, nja pesëdhjetë mila rreth e rrotull, nuk jetonte asnjë krijesë, me përjashtim të disa indianëve të uritur, të disa karkalecave të gjymtuar dhe nja katër a pesë bufërve që s'u kishin mbetur veç pendët dhe që nuk kishin fuqi të largoheshin ); se si të gjithë dijetarët ishin të një mendimi, se njeriu i ngurosur ndodhej në atë gjendje qysh dhjetë breza më parë; pastaj me një seriozitet për të cilin duhej të më kishte ardhur turp, shkruaja se si Z...me ta marr vesh këtë lajm, mblodhi jurinë, ngarkoi mushkën dhe u nis për të kryer me ndërgjegje detyrën e tij, në një udhëtim të lodhshëm prej pesë ditësh nëpër toka gëlqerore dhe zabele prej sherbeli, duke vënë jetën në rrezik që të vdesë nga uria; qëllimi i tij është që të bëjë hetimet e duhura për këtë njeri, që ka vdekur dhe është kthyer në gur qysh treqind e ca vjet më parë.
Dhe duke më shkarë dora, si i thonë fjalës, vazhdova të shkruaj me të njëjtin seriozitet se juria kishte marrë një vendim në të cilin thuhej se vdekja e të ndjerit ishte shkaktuar nga të ndenjurit përjashta.
Kjo ndihmoi fluturimin e mëtejmë të imagjinatës sime dhe vazhdova të shkruaj se kur juria, me mëshirën që dallon pionierët, hapi një varr për të varrosur njeriun e ngurosur me bekime kishtare, pa se një llum gëlqeror kishte pikuar kushedi sa kohë tatëpjetë faqes së shkëmbit ku ishte mbështetur njeriu i ngurosur dhe ish mbledhur nën të duke e çimentuar pas shtratit të shkëmbit; pastaj juria, pasi u mendua mirë, mori barut e fitil dhe filloi të hapte një vrimë nën të, në mënyrë që ta shkallmonte vendin ku ishte ngjitur, po Z... me butësinë e zakonshme që e dallon, i ndaloi duke menduar se një gjë e tillë do të ishte diçka më e vogël se një blasfemi.
Përralla e njeriut të ngurosur ishte fund e krye një varg marrëzish që bënin mû, megjithëse ishte shkruar me mjeshtëri për t'u dukur si e vërtetë sa, deri në një farë pike, ishte rrezik që ta besoja gënjeshtrën time edhe unë vetë.
Po unë s'kisha dëshirë që të gënjeja njeri dhe nuk ma merrte mendja që të gënjeheshin prej saj. Unë prisja që vetë qëndrimi i njeriut, siç e kisha përshkruar unë, të fliste e të tregonte se e tërë kjo ishte gënjeshtër. Megjithatë unë e përzjeva këtë çështje me çështje të tjera, me qëllim që ta bëja më të errët, dhe ja arrita qëllimit.
Përshkruaja qëndrimin e njërës këmbë dhe theksoja se gishti i madh i dorës së djathtë ishte mbështetur në anën tjetër të hundës; pastaj përshkruaja këmbën tjetër dhe theksoja përsëri se gishtërinjtë e dorës së djathtë ishin të hapur, pastaj përshkruaja anën e pasme të kokës së tij dhe theksoja se gishti i madh i dorës së majtë ishte i përkulur mbi gishtin e vogël të dorës së djathtë, pastaj hallakatesha më ndonjë anë tjetër dhe pak nga pak kthehesha përsëri dhe theksoja se gishtërinjtë e dorës së majtë ndodheshin të hapur si ata të dorës së djathtë.
Po shpika shumë gjëra dhe i ngatërrova shumë me njëra-tjetrën; kësisoj i gjithë përshkrimi i qëndrimit, që përbënte kyçin me anën e të cilit do të zbulohej gënjeshtra e shkrimit, humbi krejtësisht për lexuesin dhe vetëm unë mund ta zbuloja dhe ta kuptoja qëndrimin e veçantë të duarve të njeriut të ngurosur.
Si shkrim satirik, kundër manisë së ngurosjes, "Njeriu im i ngurosur" ishte një dështim i dhimbshëm; sepse të gjithë e besuan si të vërtetë dhe unë u habita kur pashë se krijesa që kish pjellë mendja ime po çudiste njerëzit dhe po zinte vendin e parë midis mrekullive që kishte parë Nevada.
Më erdhi kaq keq që mori këtë rrugë të shtrembër plani im sa në fillim u zemërova dhe nuk desha që ta kujtoja fare atë çështje; po kur filluan të vijnë në redaksi gazetat që shkëmbenim me redaksitë e tjera, vura re se ato e kishin kopjuar "Njeriun e ngurosur" duke e lavdëruar si të vërtetë, atëherë fillova të ndjej pak nga pak një farë kënaqësie të fshehtë; dhe duke shtuar udhëtimet e duke shikuar gazetat që na vinin, vura re se ai po përhapej me shpejtësi nga njëri vend në tjetrin, nga njëri shtet në tjetrin, gjersa mbuloi të gjithë lëmshin e dheut duke arritur kulmin e së vërtetës në Lancetin e Londrës; atëherë u mbush kupa dhe thashë: më lumtë që e bëra.
Me sa më kujtohet, për njëmbëdhjetë muaj me radhë, thesi postar i Z... vazhdoi të fryhej nga një vandak gazetash që vinin nga shumë klima me "Njeriun e ngurosur" të qarkuar rreth e rrotull me një brez të trashë ngjyre. Të gjitha këto ja dërgoja unë. Ja dërgoja për inat, jo për shaka. Ai i mbulonte në një gropë në kopshtin e tij prapa shtëpisë duke mallkuar.
Dhe çdo ditë, gjatë gjithë kësaj kohe, minatorët, zgjedhësit e tij, (minatorët nuk e lënë kurrë të qetë një person kur fillojnë ta ngacmojnë) shkonin për ditë tek ai dhe e pyesnin në se dinte t'u thosh ku mund të gjenin një kopje gazete me "Njeriun e ngurosur".
Ai mund të pajiste një kontinent të tërë me të tilla gazeta. Në atë kohë unë e urreja atë dhe këto gjëra më qetësonin e më kënaqnin. Kundër tij nuk do të isha kënaqur me asgjë tjetër më tepër se kaq, veçse po ta vrisja.