E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vëmendja amerikane ndaj ushqimit shqiptar

Shkrimtarja amerikane, Francine Prose, ndodhet në Tiranë për takime me lexues shqiptarë, ku tregon se si duhet të lexohen autorët klasikë. Porse flet edhe për drejtimin e PEN-it, për letërsinë dhe librat për fëmijë.


Shkrimtarja amerikane, Francine Prose, po viziton Shqipërinë me një qëllim krejt të veçantë. Ndërkohë që shkrimtarë dhe gazetarë nga vende të ndryshme të botës vijnë në vendin tonë në kërkim të historive, legjendave apo temave të tjera të këtilla, Prose vjen për të shkruar për ushqimin shqiptar.

Sigurisht që nuk mund të lërë jashtë programit të saj letërsinë. Dje, ajo u ka lexuar pjesë nga libri i saj "Leopold, the liar of Leipzig", disa nxënësve të shkollës 9-vjeçare, ndërsa sot në orën 11:00 takohet me studentë të Fakultetit të Gjuhëve të Huaj.

Drejtoresha e Qendrës Amerikane të Shkrimtarëve, PEN, ndodhet në Shqipëri edhe për një tjetër arsye. Kjo qendër, çdo vit akordon një fond për përkthyesit që sjellin në gjuhën angleze autorë të vendeve të tjera, dhe udhëtimi i saj në Shqipëri, në një farë mënyre, është një eksplorim në letërsinë e vendit tonë. Gjithashtu, në intervistën e mëposhtme ajo thotë se së shpejti PEN do të ketë një lidhje edhe me Tiranën.

Znj. Prose, kjo është vizita juaj e parë në Shqipëri dhe përballja e parë me lexuesin shqiptar. Si do ta prezantonit veten tuaj?


Jam shkrimtare, romanciere, artiste. Shkruaj letërsi, ese, libra për fëmijë, artikuj për ushqimin, shënime udhëtimi, libra jo fiction, shkruaj për artin, jam edhe kritike arti. Shkruaj për revistën "Sever", për të cilën po përgatis edhe një artikull për ushqimin shqiptar.

Të shkruash për ushqimin nuk është gazetari e vërtetë. Më pëlqen të shkruaj romane, më shumë se çdo gjë tjetër, sepse mund të fantazosh. Kurse kur shkruan për ngjarje reale, informacionin e ke aty dhe të duhet vetëm ta rregullosh. Ndërsa në letërsi ti thua: "Oh, nuk e prisja që ky personazh do të thoshte këtë gjë". Vjen andej nga nuk e pret.

Ju përmendët që shkruani edhe letërsi për fëmijë. Sa e vështirë e keni të shpreheni në gjuhën e tyre?


Unë kam dy djem dhe ndjej sikur kam kaluar një pjesë të madhe të jetës pranë fëmijëve dhe adoleshentëve, djemve në veçanti. Kështu që, në një farë mënyre, unë shkruaj çfarë më kujtohet nga ato bashkëbisedime.

Një nga librat tuaj më të suksesshëm është "Të lexosh si shkrimtar"...
Praktikisht, do të thotë të lexosh ngadalë, t'i kushtosh vëmendje asaj që është shkruar. Këtë libër nisa ta shkruaj kur vura re se në gjimnazet amerikane letërsia shpjegohej si mësim mbi moralin dhe sjelljen sociale. Dhe unë thashë: "Shikoni! Këto janë libra, kjo është letërsi, vlerësoni gjuhën.

Nëse dikush do të bëhet shkrimtar, mënyra më e mirë për t'ia arritur është të lexojë letërsinë klasike". Sot na del që të gjithë duan të bëhen shkrimtarë (nuk e di këtu te ju, por në Amerikë po).

Unë e shkrova librin duke menduar për gjithë ata mësues të dëshpëruar të letërsisë, sepse janë ata që do t'ua mësojnë letërsinë nxënësve. Libri pati sukses, ndoshta ngaqë njerëzit patën idenë se unë do t'u tregoja si të bëheshin shkrimtarë. Gjithçka që u thashë ishte, lexoni Tolstoin, Çehovin, letërsinë klasike.

Çfarë sugjerimesh të tjera do t'u jepnit atyre që duan të bëhen shkrimtarë?


Të lexojnë gjithë historinë e letërsisë. Klasikët, duke nisur që nga fillimi me Homerin, e deri te letërsia moderne.

Shpesh them që ka një arsye përse këta libra kanë qindra vjet që lexohen dhe të takon ty ta gjesh se cila është. Nxënësit shpesh thonë: "Oh, Çehovi, është shumë i mërzitshëm". Çehovi nuk është i mërzitshëm dhe ka një arsye pse ai konsiderohet klasik, por këtë duhet të ma thoni ju.

Dhe cila është për ju kjo arsye?


Njerëzit janë të pavëmendshëm ndaj kohës dhe vendit ku jetojnë. Nëse, për shembull, lexon "Ana Karenina"-n, ti thua: "Oh, Ana dhe bashkëshorti i saj, ngjajnë me njerëzit që njoh". Ti gjen diçka nga vetja jote në këtë personazh. Natyra dhe sjellja njerëzore qarkullojnë nga njëri vend në tjetrin.

Mes kësaj larmie botimesh që ka ditëve të sotme, sipas jush, si duhet ta dallojë një lexues një libër të mirë?


Duke shkuar në biblioteka. Zgjedh një libër në raft, lexon dy faqe dhe thua, "po, ky qenka libër interesant". Sot shumë njerëz porosisin libra në internet duke ndenjur në shtëpi dhe jo në librari. Është shumë e vështirë të shfletosh libra siç bën në një bibliotekë.

Organizata që ju drejtoni, PEN, është një tip strukturë, që në vendin tonë nuk njihet, nuk ekziston. Dikur ka pasur një Lidhje Shkrimtarësh në varësinë e shtetit që nuk ekziston më. Si e ndihmon PEN një shkrimtar?


Është një organizatë me mijëra anëtarë. Nëse boton një numër të caktuar librash, mund të pranohesh në organizatë. Çdo vit, Komiteti i Anëtarësimit propozon duzina shkrimtarësh dhe PEN vazhdon të rritet.

Është themeluar në mënyrë private dhe ne na duhet që të nxjerrim të ardhurat, kështu që ka darka dhe lexime bamirësie. Por PEN, gjithashtu, punon edhe në arenën ndërkombëtare.

Ne kemi një listë me shkrimtarë nga e gjithë bota që janë në rrezik, që janë në burg, që përndiqen dhe u kushtojmë vëmendje. P.sh., janë rreth 40 shkrimtarë kinezë që janë në burg. PEN i ka dërguar letra Qeverisë kineze dhe po përpiqemi që t'u bëjmë publicitet, të tërheqim vëmendjen ndërkombëtare ndaj këtyre shkrimtarëve.

Ky është një aspekt shumë i rëndësishëm i punës sonë, pra të kemi një listë të këtyre shkrimtarëve që janë në rrezik për shkak të punës së tyre, që njerëzit të dinë se kush janë dhe se çfarë u ka ndodhur.

Çdo vit japim një shumë financiare për përkthyes që të përkthejnë në anglisht libra të gjuhëve të ndryshme. Janë gati 3 mijë dollarë. Nuk janë shuma të mëdha, por kjo mënyrë i ndihmon ata të gjejnë botues dhe të bëjnë reklamë.

A do të ketë PEN-i një lidhje me Shqipërinë?


Pak ditë më parë bisedova me personat që kanë marrë përsipër një gjë të tillë dhe duket se diçka do të bëhet. Ata tani po kërkojnë që të njihen nga PEN-i internacional dhe kjo është një ide e mirë.

Më vjen mirë që po ndodh. Gjatë vizitës sime këtu do të përpiqem që të gjej diçka, sepse i vetmi shkrimtar shqiptar që është përkthyer është Kadareja. Jam e sigurt se Shqipëria ka një letërsi të tërë që ne nuk e njohim.

Ju thatë se ndodheni në Tiranë për të bërë një shkrim mbi ushqimin shqiptar. Çfarë informacioni keni grumbulluar deri tani?


Unë shkruaj shumë shpesh për revistën "Sever". Botuesi mori vesh që unë do të vija në Shqipëri dhe më tha: "Të lutem, shkruaj për ushqimin shqiptar, ne asnjëherë nuk kemi dëgjuar, askush nuk di asgjë për këtë ushqim".

Deri tani kam provuar përshesh me gjel deti, tavë dheu, fasule dhe fërgesë. Ushqimi këtu ende nuk është kthyer në industri të madhe, të jetë pjesë e korporatave. Nëse shkon në një restorant të thjeshtë, ka një kuzhinier që gatuan. Tek ne nuk është kështu.

Ushqimi vjen i ngrirë nga magazina në restorante, kuzhina është një punë zinxhir, për të mos përmendur këtu edhe produktet kimike që ruajnë këto ushqime. Praktikisht, për ne është një gjë interesante ushqimi i vërtetë i përgatitur nga njerëzit dhe jo i ngrirë.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›