E Diel, 1 Nëntor 2026

Rregullorja e re, Kryetari i KQZ-së, kompetenca njësoj si zv/kryetari

Pritet të miratohet nesër rregullorja e re e KQZ-së. Rregullorja vjen katër muaj pasi është ngritur ky institucion.


Kryetari dhe nënkryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, do të kenë të njëjtat kompetenca jo vetëm për sa i përket veprimtarisë së këtij komisioni, por edhe në organizimin e veprimtarisë së administratës së tij.

Një përcaktim të tillë e bënë projektrregullorja e re e këtij komisioni, e cila pritet të diskutohet dhe miratohet nesër nga anëtarët e KQZ-së.

Faktikisht, një përcaktim i tillë në këtë draft nuk përbën asgjë më shumë sesa përcakton edhe vetë Kodi Zgjedhor, i cili në përpjekje për t'i dhënë një balancim politik vendimmarrjes së komisionit, u ka dhënë dy drejtuesve të tij pothuajse të njëjtat kompetenca.

Në këtë mënyrë, në nenin katër të këtij drafti, përcaktohet se "kryetari dhe zëvendëskryetari kanë të njëjtat të drejta dhe detyrime, si dhe anëtarët e tjerë të KQZ-së, me dallimet e përcaktuara në nenin 20 të Kodit Zgjedhor".

Më konkretisht, Kryetari i KQZ-së ka këto kompetenca: drejton mbledhjet e KQZ-së dhe mbikëqyr përgatitjen e materialeve që do të shqyrtohen në mbledhjen e KQZ-së,
përfaqëson KQZ-në në marrëdhënie me të tretët.

Ai ka të drejtë të konsultohet dhe informon rregullisht anëtarët e KQZ-së për çështje të caktuara, si dhe informon në mënyrë periodike anëtarët e KQZ-së për veprimtarinë e administratës.

Kryetari përgatit në bashkëpunim me administratën e KQZ-së, brenda muajit janar, projektraportin vjetor që do t'i paraqitet Kuvendit. Ndërkohë që në të njëjtin nen, zëvendëskryetarit të këtij institucioni i njihen të njëjtat të drejta si dhe kryetarit, jo vetëm në mungesë të tij, por edhe kur ai është prezent.

Pika 4 e nenit katër sanksionin se kryetari i ushtron kompetencat e përcaktuara më sipër së bashku me zv/kryeatrin". Projektrregullorja e paraqitur për miratim parashikon gjithashtu në mënyrë të detajuar procedurat për zhvillimin e mbledhjeve të këtij komisioni.

Sipas saj, përcaktohet se në periudhë jo zgjedhore, në rast se mungon kuorumi për zhvillimin e mbledhjes, ajo shtyhet për jo më vonë se pas tri ditësh. Ndërsa në periudhë zgjedhore, në rast se mungon kuorumi për zhvillimin e mbledhjes, ajo shtyhet për jo më shumë se 24 orë.

Gjithashtu ky, draft vendos dhe disa rregulla për etikën e anëtarëve apo përfaqësuesve të forcave politike në këtë komision, ku natyrisht ndalohet përdorimi i telefonave celularë apo edhe pirja e duhanit.

Projektrregullorja që propozohet për miratimin në KQZ, përbëhet nga gjashtë kapituj, ku përcaktohen rregulla mbi organizimin dhe funksionimin e KQZ-së, konkretisht: Dispozita të përgjithshme, funksionimi i KQZ-së, mbledhjet, financimi dhe buxhet, dokumentacioni dhe dispozita të fundit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›