E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njeriu që kërkon erën më të mirë femërore

E vetmja kompani shqiptare e teatrit të dancit, sonte në Albania Dance Meeting në Durrës. Shfaq "Parfumi", bazuar në romanin e Patrick Süskind dhe "Kohë që bjerr" mbi një rrëfim të shkrimtarit çek Karel Çapek


E vetmja trupë shqiptare e teatrit të dancit shfaqet sonte në edicionin e pestë të Albania Dance Meeting Durrës me pjesën "Parfumi". Kompania "Albanian Dance Theater" e ka prodhuar shfaqjen "Parfumi" një vit më parë bazuar në romanin me të njëjtin titull të Patrick Süskind. Balerini Eltoni Çefa është solist, personazhi që kërkon erën më të mirë të trupit të femrës.


Për interpretimin në këtë vepër Çefa u vlerësua balerini më i mirë në Festivalin e Parë Ndërkombëtar "Skampa Dance Competition", në Elbasan, vjeshtën që shkoi. Ndërsa Gjergj Prevazi, mori çmim për koreografinë më të mirë me "Parfumi" që sonte shfaqet për herë të dytë, ora 20.00. Interpretojnë Milena Nurka, Aledia Kondaj, Sueda Hoxha, Klaudia Zaçe.


Po sonte, Albanian Dance Theater Company prezanton një produksion të ri. Në orën 20.30 shfaqet "Kohë që bjerr" bazuar në një rrëfim të autorit çek Karel Çapek me koreografi të Prevazit. Interpretojnë Elton Çefa, Sueda Hoxha, Aledia Kondaj.
Ky festival i përvitshëm është nismë e kompanisë "Albanian Dance Theatre".


Gjergj Prevazi e themeloi në vitin 2000 dhe fillimisht e quante veten kompani e Koreografisë Bashkëkohore. Në bashkëpunim me kompani të huaja në vitet e para u realizuan shfaqjet "Transition" dhe "Contrast".


Në vitin 2001 shfaqja "Transition", në bashkëpunim me Kompaninë Zvicerane "Carambole" e drejtuar nga Silvano Mozzini dhe Christiane Loch, merr pjesë në disa festivale ndërkombëtare dhe në Itali, në "Music World International Festival" në Fivixano, fitoi çmimin "Delfino D'Argento".


Në bashkëpunim me të njëjtën kompani, Prevazi realizon "Contrast" e cila prezantohet në disa vende si Egjipt, Bosnjë-Hercegovinë dhe në Festivalin Ndërkombëtar Veror të Ohrit. Në atë kohë kompania punonte me histori kolektive, me tema të njohura për të gjithë dhe aktuale për realitetin shqiptar në tranzicion.


Sot "Albanian Dance Theatre" ka arritur në një fazë që punon me vepra letrare, me autorë, tekste e karaktere që mendohen si privilegje të letërsisë ose të teatrit vetëm. "Njeriu në këllëf" është një prodhim i "Dance Theatre", i bazuar në një tregim të Çehovit. Është shfaqur premierë në Ohrid Summer International Festival në 2008.


"Lukja" po ashtu, bazuar në tregimin e Migjenit, "Historia e njenës nga ato", prezantuar në Festivalin Ndërkombëtar të Baletit Modern që mbahet në Durrës apo "Këpucët me zile" premierë e 2008-ës, bazuar në format dhe teknikat më bashkëkohore të dancit.
Që nga themelimi e në vazhdimësi, kërcimtarë të trupës janë Fatjon Sulstarova dhe Elton Çefa, të dy solistë, dhe të rinjtë Sueda Hoxha, Aledia Kondaj dhe Mateo Lushi.


Prevazi dhe Çefa u zhvendosën në Prishtinë për tre vjet, 2003-2007, pranë Shkollës së Baletit dhe pranë Trupës së Baletit të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Aty vunë në skenë "Transition 2", "S'po dëgjohet gongu", "Performance", "Lukja", "Këpucët me zile".


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›