Negociatat, eksperti i BE-së është shefja e kabinetit të Fyles

Të mërkurën vjen në Tiranë për negociatë dy ditore shefja e kabinetit të komisionarit për zgjerimin, Stefan Fyle. Ja axhenda që do të ndjekë
TIRANË- Shumica qeverisëse dhe opozita rinisin në mesjavë aty ku e lanë negociatat për gjetjen e zgjidhjes përfundimtare të krizës politike në Shqipëri dhe që në qendër të saj ka kërkesën për transparencën e zgjedhjeve.
Në funksion edhe të akordit të arritur në darkën e Strasburgut, të mërkurën pritet të vijë në Tiranë shefja e kabinetit të komisionerit për zgjerimin e BE-së, Jana Sindelkova, e cila do të ndërmjetësojë vijimin e dialogut të nisur në enjten e shkuar nga shefi i saj Stefan Fyle dhe zyrtarët e tjerë europian.
Burime të sigurta pranë dy forcave kryesore politike kanë konfirmuar lajmin, ndërsa Sindelkova pritet të mbërrijë në vendin tonë për të qëndruar dy ditë, të mërkurën dhe të enjten.
Të njëjtat burime kanë bërë të ditur se roli që pritet të luajë vartësja e komisionerit të Zgjerimit Stefan Fyle, do të jetë përpjekja që sëbashku edhe me ekspertë të dy partive kryesore politike shqiptare, pra PS-së dhe PD-së, për të gjetur modalitetet nëpërmjet të cilave do të shkohet tek hapja e kutive të materialeve zgjedhore.
Deri më tani palët kanë rënë dakord në Strasburg që të bëhet hapja e kutive të procesverbaleve dhe listave të votimit, ndërsa nuk kanë gjetur ende rrugën nëpërmjet së cilës do të bëhet një gjë e tillë.
Sipas socialistëve pakti i arritur në darkën ku morën pjesë dhe zyrtarët më të lartë të BE-së, përmban ndërmjet të tjerave dhe vullnetin politik, që kutitë e materialeve zgjedhore të mund të hapen nga Komisioni Hetimor, ku opozita do ketë shumicën dhe drejtimin e saj.
Por për një rrugë të tillë duket se nuk janë dakord demokratët, të cilët disa herë me anë të kryeministrit Sali Berisha kanë bërë të ditur se rruga e hapjes së kutive duhet të kalojë nga Arkivi Qendror i Shtetit.
Pra sipas mazhorancës transparenca e kutive të materialeve zgjedhore duhet të bëhet pasi ato të arkivohen më parë në AQSH. Një tjetër çështje ku dhe do të investohet kontributi si ndërmjetësuese e shefes së kabinetit të Fyles, do të jetë patjetër dhe shqyrtimi i kërkesës për hapjen e kutive të votimit.
jë çështje kjo që pritet të ngjallë debat, pasi të dyja palët në këtë debat janë ende shumë larg në qëndrime. Kështu, PS-ja vlerëson se një gjë e tillë mund të bëhet e mundur pasi çështja ti paraqitet për vlerësim Komisionit të Venecias.
Ndërsa PD-ja në rastin me të mirë thotë që së pari të japë vlerësim Gjykata Kushtetuese dhe nëse do të shohë të arsyeshme ti kërkojë mendim Komisionit të Venecias, dhe në rastin me të keq kërkon që fletët e votimit të digjen sapo materialet zgjedhore të arkivohen.
Megjithatë kjo çështje edhe mund të ezaurohet nëse palët bien fillimisht dakord që kutitë e materialeve zgjedhore ti hapë komisioni hetimor pa qenë e nevojshme që ato të arkivohen më parë.
Një gjë të tillë e ka lënë të kuptohet qartë edhe kreu i PS-së Edi Rama dy ditë më parë ku u shpreh ndër të tjera se, "duhet të jemi të ndershëm dhe të qartë se hapja e kutive dhe vënia në dispozicion për hetim, e gjithë dokumentacionit zgjedhor, jo vetëm nxjerr në dritë mekanizmin famëkeq të Ruzhdies, por edhe mundëson që ç'ka ka ndodhur në të shkuarën të zbulohet".
Tryeza që do të negociojë shefja e kabinetit të komisionerit për zgjerimin e BE-së, Jana Sindelkova do të ketë në përbërje të saj jo përfaqësues të lartë politikë por tekniken dhe njohës të mirë të çështjeve zgjedhore.