Të jetosh çdo ditë me rrezikun mbi krye
GJIROKASTËR/ 13 anëtarë të dy familjeve jetojnë në një banesë thuajse të shembur. Pavarësisht shkëlqimit të dikurshëm, ngrehina trekatëshe bie pjesë-pjesë çdo ditë
GJIROKASTËR- Të jetosh çdo çast me rrezikun. Kjo është sfida e vazhdueshme e dy familjeve me 13 anëtarë, që prej shumë vitesh jetojnë në një banesë thuajse të shembur në lagjen "Hazmurat" të qytetit të Gjirokastrës.
Gjendja e vështirë ekonomike dhe pamundësia për një strehim më të mirë bën që e vetmja strehë të jetë ngrehina 3-katëshe që bie pjesë-pjesë çdo ditë e që vende-vende ruan gjurmë të shkëlqimit e luksit të dikurshëm, por që aktualisht ndodhet në gjendje të mjeruar.
Çatia është thuajse totalisht e rrëzuar, vetëm një tra e mban atë, muret kanë gjurmë të shumta plasaritjeje. Në katin e tretë syri të zë vetëm pjesë të çatisë që kanë rënë kudo, ndërsa në mjaft zona rreziku i shembjes është shumë i pranishëm.
Familjet
Edhe pse në pamjen e parë është e pabesueshme të mendosh që aty banojnë njerëz, prej 16 vitesh dy familje, Bano e Avdiaj, e kanë atë të vetmen strehë. Familja Bano jeton në katin e dytë, ndërsa ajo Avdiaj në katin e parë.
Irena Bano shprehet se së bashku me 5 fëmijët dhe bashkëshortin bashkëjetojnë me tmerrin dhe rrezikun e shembjes së banesës, që mund të sjellë katastrofë njerëzore, ndërsa prej më shumë se një dekade e gjysmë janë pjesë e listave të të pastrehëve të bashkisë Gjirokastër, por pa mundur të marrin zgjidhje. "Kemi 16 vjet që jetojmë në këtë shtëpi.
Në fillim ka qenë më e mirë, kurse tani bie çdo ditë. I ka rënë e gjithë çatia pothuaj, është vetëm një tra që e mban. Kemi kërkuar kudo, në bashki, në të gjitha institucionet, madje edhe kryeministrit i kemi bërë letër.
Kryeministri dha urdhër që të shihej menjëherë problemi ynë, po deri tani nuk shohim asnjë zgjidhje. Jemi në çdo moment të frikësuar, mund të bjerë e të na zërë brenda, po nuk kemi se ku të vemi. As në listat e familjeve që do të marrin shtëpi me kredi të buta nuk na përfshinë. Nuk dimë se ku të shkojmë dhe çfarë të bëjmë", shprehet Irena Bano.
Strehimi
Strehimi vazhdon të mbetet një nga problemet më të mprehta në qytetin e Gjirokastrës. Rreth 735 familje rezultojnë të regjistruara si të pastreha pranë zyrës së shërbimeve në bashki, të ndara sipas kategorive. Kështu, familje të pastreha të kategorisë së parë rezultojnë 186 familje ndërsa të kategorisë së dytë 507 të tilla.
Sipas informacioneve zyrtare të marra pranë këtij institucioni mësohet se gjendja e të pastrehëve paraqitet kritike, për faktin se shumica e kësaj kategorie rrinë në shtëpi me ish- pronarë, një pjesë e mirë e të cilave ndodhen në gjendje të mjerueshme.
I vetmi investim për këtë kategori, u krye në vitet 2006-2007, me ndërtimin e dy pallateve ku u strehuan 40 familje të pastreha të kategorisë së parë.