Njeriun Osama bin Laden ia përcollëm analizës së historisë
Nga Simon Sebag Montefiore
Përktheu nga anglishtja: Etleva Sakajeva
Goditja në sipërmarrjen e kasaphanës spektakolare ishte karakteristikë e karrierës dhe trashëgimisë së tij në çdo detaj. Gjithçka në lidhje me Osama bin Laden qe një hibrid, të cilin çdokush duhet ta përshkruajë me vija lidhëse: një drejtues shfaqjeje terrori të shekullit XXI, me një program të shekullit të 7-të, i projektuar nga një përzierje e predikimit tradicional kuranor dhe një kërdie webcam të teknologjisë së lartë, ndonjëherë i përgjakshëm me kordha të harkuara të moçme arabe, nganjëherë me rrugë ajrore dhe me reaksion, herë të tjera të drejtuara nga toka e të kontrolluara së largëti, por gjithnjë vdekjeprurëse, me maninë për t’u dukur rrëzëllitëse për një auditor të gjerë, përmes lajmesh 24-orëshe dhe rrjeteve web. Shumë më tepër sesa një kumarxhi kompjuteri, ai e kishte shndërruar vrasjen masive në interpretim nihilist të drejtpërdrejtë, në gëzim të papërmbajtur për thertoren e tij mesjetare, e cila ishte e skicuar për dy lloj dëgjuesish - jo vetëm për të frymëzuar pasuesit e tij të Xhihadit, por të trondiste dhe të terrorizonte krejt auditorin perëndimor. Ky ishte njeri i historisë, sidoqoftë, kryekëput i kohës së vet.
Si pasojë, edhe mënyra e vdekjes ishte, gjithashtu, më e përshtatshmja: ai dha një pamje të cilën e pati kuptuar më mirë se çdokush tjetër. Çastet e tij të fundit u pasqyruan prej kamerave të vendosura në helmetat e komandove, për t’u vëzhguar mijëra milje larg, në ekrane të plota, prej Presidentit Obama, në Situation Room të teknologjisë së lartë. Bin Laden mbante veshur kapotë, ndihmësit e tij uniforma ngjyrë kaki të zonës, mes një rrëmuje të njohur rishtarësh të mbetur në arrati, filxhanësh plastikë kafeje dhe laptopë plotësisht të hapur. Ndoshta, ata nuk e kanë kundruar tërësisht drejtpërdrejtë – në fund të fundit, askush nuk e dinte se cila prej kamerave të mbërthyera në helmeta do të filmonte vrasjen e Bin Laden. Megjithë teknologjinë e lartë, ky çmim u fitua përmes spiunazhit të modës së vjetër dhe trimërisë së çartun të komandove. Në vend të avionëve të telekomanduar e paekuipazh ose bombave bunkershkatërruese, Seals 6 sulmoi në mënyrën tradicionale, me luftëtarë atletë të furnizuar me adrenalinë, që zhdirgjeshin litarëve teposhtë duke rrezikuar gjithçka: në epokën e avionëve të telekomanduar vdekjeprurës, ky ishte një kthim pas, për të gjitha ato mësymje të vrullshme izraelite në Bejrut, Tuniz dhe Entebbe të viteve shtatëdhjetë – ose përtej kësaj: kodi i thjeshtë emërtues i përdorur për objektivin ‘Geronimo’, na sqaron se cilët janë projektuesit e këtij misioni, ndoshta, edhe Presidenti gjakftohtë e aspak romantik, po kthehej pas në kohë, me mjaft optimizëm për kurajën fatlume të Perëndimit të Hershëm. Mund të kishte shkuar dhe më keq – kufomat e fishkura e të prishura dhe helikopterët choppers të zhuritur, të shpëtimit iranian të Jimmy Carter, të vitit 1980, qenë po aq të pashqitura në kujtesë sa edhe skenat e filmit “Black Hawk Down”(Rrëzimi i Black Hawk). Më pak “Bourne Ultimatum” (Ultimatumi Bourne), e më shumë tradicionali “Godfather” (Kumbari), aftësia e shkëlqyer e të cilit na sjell ndërmend se, gjithë takëmi i demokracisë sonë, morali, teknologjia dhe pushteti në thelb qëndrojnë ende tek i njëjti çelik i ftohtë dhe gjaku i kuq, sikurse ka ekzistuar jetë e mot. Vini re praninë e vazhdueshme të paraleleve filmike, të pashmangshme në këtë botë: ndërsa secili prej aktorëve - të dy, Osama dhe Obama - do të prisnin daljen e filmit “Kill bin Laden” (Vrit bin Laden) - filmi i vërtetë në jetën reale po afrohet.
Disa orë më parë, bota po shihte një shfaqje tjetër, të transmetuar në rrjetet televizive dhe web, martesën e lumtur të Princit William dhe Catherine Middleton, një tjetër hibrid, këtë herë i një njeriu të famshëm modern dhe një përrallë romantike, - të gjitha karrocat, mamuzet, tunikat ngjyrë alle, një nuse e bukur dhe deri tek kalorësia Arturiane e kësaj bote qenë cekur nga Bin Laden - jo vetëm në syçeltësinë kundër terrorit, por në figurën e vëllait, Princit Harry, i cili pati fituar famë në luftën afgane të shkaktuar nga Bin Laden. Tashmë, disa orë më vonë, bota e shikonte këtë përmes të njëjtave kanale të transmetimit të lajmeve.
Triumfi i Barak Obama është një prej pak sigurive të kësaj ngjarjeje. Në atë moment, liberali gjuhëartë, i qesëndisur si ngurrues jokomunist amerikan, i detyruar së fundmi nga i jashtëzakonshmi Donald Trump të vërtetojë lindjen e tij, u metamorfozua në një komandant fitimtar lufte, pa dyshim i pathyeshëm në vitin 2012: fjalimi i tij i mrekullueshëm evokoi ‘karrigen bosh’ në tryezën e familjeve të 11 shtatorit dhe vizionin e misionit të veçantë të Amerikës në histori nën udhëheqjen e Zotit - por pa evangjelizmin e dukshëm të George W. Bush. Për një çast, 11 shtatori e tronditi Amerikën, por ka forcuar përfundimisht ndjesinë e Amerikës për veçantinë e saj të shenjtë. Për ironi, Bin Laden, mjeshtri marionete i bombave vdekjeprurëse të Xhihadit, pati krijuar një martirologji amerikane, sepse, sidoqoftë e bërë padashur, afërsisht 3000 viktima të 11 shtatorit vdiqën, sepse qenë amerikanë me gjithëçka e dëshmon: Ground Zero në vetvete është shndërruar në Martiriumin Amerikan.
Pashmangshmërisht, Bin Laden do t’i bashkohet panteonit të martirëve, të atyre që e kërkojnë këtë, tashmë i përshëndetur nga Hamas dhe të tjerë, si martir i shenjtë. Në këtë kuptim, i arratisuri i tokave jopjellore të Pakistanit, edhe një herë bëhet forcë politike për Al-Qaeda. Vdekja e tij dhe e të birit, të kthen sërish në therorinë themelore islamike: prerja e kokës së Hussein, nipit të Profetit dhe familjes së tij në Qerbela, në vitin 680, vdekje e adhuruar veçanërisht prej festivalit Shi’it të Hashures (megjithëse suniiti i ashpër Bin Laden i përçmonte shiitët si heretikë.) Kjo të rikujton, më drejtpërsëdrejti, ekzekutimin e vitit 1966 nga Nasser i Sayyid Qutb, largpamës i Xhihadizmit të ditëve të vona. Bin Ladenizmi është Qutbizëm - një besim, të cilin një pararojë e vetëcaktuar revolucionare, me martirët si majë shtize, duhet të përdorë një dhunë të shenjtë, për të krijuar kalifatin e sunduar nga Islami dhe të shkatërrojë Amerikën, Perëndimin, hebrenjtë, heretikët islamikë dhe myslimanët e shtirë, me përfundimin e jahiliyya-s së re, fjalë e përdorur për Mbretërimin e Injorancës para Profetit.
Bin Laden kurrë nuk i ka shkuar as pranë arritjes qoftë edhe të një copëze të këtij makthi, çka e bën thertoren e tij edhe më të pështirë: ai kurrë nuk e kërcënoi fuqinë amerikane, dhe kurrë më shumë se kurrë nuk mundi të kontrollojë më tepër se sa një shtet të dështuar, Afganistanin Taleban – në këtë mënyrë barbarizmat e Al-Qaeda qenë gjithnjë të pavlera. Na pëlqen apo jo, Bin Laden jetoi dhe vdiq me të gjithë misticizmin e një legjende të së vjetrës, duke i përkitur një tradite të gjatë islamike luftëtarësh vizionarë të mistershëm. Jeta e tij, disi, përngjan me jetët e çuditshme të atyre liderëve të tillë si, Ibn Muslim, prijësi karizmatik, mijëvjeçar (aq i mistershëm sa edhe emri i tij i vërtetë mundet vetëm të hamendësohet), i cili u shfaq në vitet 740, në Khorasan, për të udhëhequr revolucionin kundër kalifëve Ummayadë, të cilët i konsideronte si muslimanë të shtirë e të kalbur, po ashtu sikurse Bin Laden i shikonte regjimet e pafe të aleatëve arabë të Amerikës. Luftëtarët e tij të zjarrtë xhihadistë, me flamuj të zinj, shpresonin të rivendosnin pastërtinë e Islamit dhe po kështu, si ata, përfshinë tej e tej Irakun – sikurse do të vepronte edhe Al-Qaeda e Osamës në fillim të shekullit të 21 - deri në vrasjen e tij nga Kalifi i ri Abbasid, al-Saffah, në vitin 755. Por, në përfytyrimin e tij të pastër asket mbi Islamin, ai përngjason më shumë me Mahdi, një tjetër fanatik puritan sunnit i Sudanit të fundit të shekullit të 19-të, një shtet i dështuar që gjithashtu do ta mbronte Osamën një shekull më vonë.
Sado e ndyrë karriera e vet, jeta e tij prej asketi në arrati, duke iu shmangur sulmeve amerikane me artileri dhe pritave mbi mushka të thjeshta, përmes kalimeve malore të tokave jopjellore fisnore, është mjaftueshëm mitike, pa i shtuar vdekjen që do të mbetet përgjithnjë misterioze. Presidenti i ndenji larg trofizmit të fotografisë së tmerrshme të presë së vdekur, po njësoj sikurse Mbretëresha Victoria thuhej se qe maskuar, ashtu si dhe Lordi Kitchener i Sudanit ruajti kafkën e Khalifa, si një shishe boje mbi tryezën e tij – prapëseprapë është e sigurtë se do të dalë. Në mungesë të një trupi dhe ekzotizmit të varrosjes në det, për disa njerëz, Bin Laden nuk do të vdesë kurrë: ka pasur një arsye pse mbretërit e vrarë viheshin në pah me madhështi, që të shihnin të gjithë, madje, edhe atëherë, historia mesjetare ndiqej nga pretendentët. Do të ngrihen faltore. Është vetëm çështje kohe para se luftëtarët e Al-Qaeda të shohin Osama teksa lufton me kallashnikovin e tij fatsjellës, në një përleshje, sikurse edhe Kryqtarët teksa mësynin të pushtonin Jeruzalemin panë St. George, të luftonte krahpërkrah me ta në rrëmujën e betejës.
Terroristi, i njohur si ‘al-Amir’ - Gjeneral, Princ - dhe ‘Sheikh Osama’ ishte qartësisht frymëzues me prirjen, zëbutë dhe bënte përshtypje me 193.04 cm i lartë. Të gjithë liderët janë aktorë, por Bin Laden qe mjeshtër i medias moderne, me ndruajtjen e tij dramatike dhe mburrjen, duke detyruar rishkrepjen e fotografive, nëse ato nuk promovonin imazhin e duhur, duke skicuar pozimet e tij për intervistat televizive, duke sjellë po aq trazim me imazhin e tij sikurse Hitleri. Ai kultivoi virtytin e vrazhdë Robespieran dhe modestinë e ulët, e cila i fuste në kurth të gjithë ata që i qëndronin përqark Stalinit dhe Pol Potit. Por, një gjakftohtësi e tillë ishte e lehtë për monomaniakë të tillë me mani të ngulët, të bindur se qenë heronj të veçantë, tepër larg çikërrimave tokësore, të bindur për sigurinë absolute të misionit të tyre hyjnor/historik, në të cilin jetët njerëzore kishin pak vlerë, çka konsideroheshin baraz me hiçgjë krahasuar me Xhihadin, duke shpërthyer dinamit dhe flijime mishi për të përshpejtuar përparimin drejt ardhjes mesianike të utopisë së Allahut. Në këtë kuptim, fondamentalisti islamik nuk ndodhej larg ateistit bolshevik Stalin, i cili e pa veten si një “kalorës të urdhrit ushtarako-fetar” - diçka që e ndante bashkë me Bin Laden. Një prej djemve të larguar të Osamës, i mbijetuar, rikujton dogmatizmin e tij kokorrosh dhe pandehjet e shkujdesura, të cilat ekspertët e vet, madje edhe familja, duhej të vdisnin për kauzën e tij.
Tri ide të mëdha operative janë trashëgimitë e tij: Së pari, Al-Qaeda - Baza – qe një koncept i ri, lloji i parë i terrorit botëror, banka e parë vrasëse, drejtimi i një ekskluziviteti terrori të shpejtë sikur të ishte një kompani fastfood, me të drejta të posaçme në vende të largëta dhe fanatikë të panjohur rishtarë, të cilët do të ndihmoheshin me logjistikë, para të thata, teknologji, ekspertizë. Mjaft revolucionarë porsi bolshevikët, shumë prej organizatave të spiunazhit përdorin të njëjtat sisteme qelizore për arsye sigurie, por asnjëherë në një shkallë të tillë ndërkombëtare.
Deri më 11 shtator, ne besonim se interneti do të shpërndante vetëm lirinë dhe Britney Spears. Në vend të kësaj, Al-Qaeda e Osamës përqafoi televizionin dhe internetin, duke i përdorur të dyja për të përhapur bakterien xhihadiste përmes predikimeve të stilit të vjetër, lamtumirave të bombarduesve vetëvrasës, goditjeve të luftëtarëve të stërvitur veshur me maska dhe të atyre të shtënave mizore përpara shpërthimit të tankeve amerikane në Irak.
Bin Laden fitoi mirëbesimin në Afganistan ku ai dhe miqtë e tij muxhahedinë qenë të aftë, me ndihmën amerikane dhe mbështetjen e Allahut, të poshtëronin superfuqinë sovjetike. Sapo gjeniu i kundërsulmeve të Lindjes së Mesme të hershme, Lorenci i Arabisë, kuptoi që një karvan prej 2000 deve kalorësish mund të mbante të nënshtruar një ushtri të tërë otomane, Bin Laden e rifreskoi këtë për një epokë të re: madje edhe një karvan i vogël prej 19 vetëvrasësish mund të përdorë lëndën djegëse të avionëve reaktivë si bomba fluturuese për shkatërrimin e Kullave, kryeveprat vetëtitëse të fuqisë amerikane, drejtpërdrejt në televizionin 24-orësh. Kjo nuk ishte shpikja e Bin Laden: në vitin 1909, Revolucionarët Shoqërorë Rusë patën planifikuar të lëshonin në fluturim një avion të dyfishtë, të mbushur me dinamit, mbi Pallatin e Dimrit - si pasojë, policia e fshehtë e rëndësishme, Okhrana e Perandorit Nikola II, monitoronte klubet ajrore dhe shkollat e fluturimit. Shërbimi izraelit i inteligjencies i frikësohej prej shumë kohësh aeroplanëve vetëvrasës. Por, përshkallëzimi, zgjuarsia, planifikimi, tabloja, pamëshira dhe pafytyrësia e dukshme i përkisnin vizionit diabolik të Bin Laden. Amiri qe regjistruar tek mburrej se të tjerët patën besuar se Kullat vetëm do të digjeshin, por ai, i vetmi, aktor-drejtues i sakatimit, dhe biri i një ndërtuesi saudit rrokaqiejsh, ishte optimisti i cili e dinte se ato do të rrëzoheshin. Për habi copëzat e ndërlikuara të planit të 11 shtatorit, në të vërtetë, funksionuan – falë fatit satanik dhe naivitetit perëndimor. Madje, vetë Bin Laden, nuk mund ta kishte përfytyruar se do të joshte Amerikën, jo vetëm në Afganistan, por edhe në Irak, ku stili i tij i ri i rebelimeve të Al-Qaeda e ngatërruan superfuqinë amerikane, megjithëse ai dhe komandantët e tij kaluan nëntë vjet në kërkim ngulmues dhe u asgjësuan. Megjithatë, ai nuk e arriti kurrë më efektin e 11 shtatorit: kullat e rrafshuara janë një përfytyrim portret i vuajtjes, sakrificës dhe egërsisë së zgjedhur me shans, saqë po të kishte qenë e vendosur një kamera e drejtpërdrejtë gjatë kryqëzimit të Krishtit në Jeruzalemin e vitit 33 ps.k., vështirë të përfytyrohet se mund të jetë më therëse se kaq. Mbipersonalizimi i armiqve nga Amerika, tradita “Gjallë a Vdekur: më i kërkuari”, është pjesë e kulturës së saj, por ekziston gjithnjë rreziku që kjo të tejthjeshtojë dhe të mbidramatizojë. Sidoqoftë, në këtë rast, Bin Laden, më shumë se çdokush tjetër, i ka dhënë formë ngjarjeve të shekullit 21, një ndikim që shkon përtej pamjaftueshmërisë së tij, por që është tërësore dhe komplot vdekjeprurës fanatikësh. Nuk do të kishte pasur as Al-Qaeda, as 11 shtator, as afganë, as luftë të dytë në Irak, as rebelim iraken pa Osamën, ashtu sikurse nuk do të kishte pasur revolucion Bolshevik pa Leninin, as Iran islamik pa Ayatollah Khomeinin.
Megjithatë, kapja e Saddam Hussein rrëfeu kufijtë e ndikimit vetjak. Presidenti Obama ka arritur një fitore shpërblyese, po; por Al-Qaeda do të kërkojë hakmarrje spektakolare, fanatikët e saj, që nga Jemeni dhe Somalia e deri tek rajonet e brendshme britanike, do të përpiqen të shfrejnë dhunën që shkon përtej numrit të tyre. Pranvera Arabe sigurisht që i merr krahët Bin Laden. Al-Qaeda e shpalli Pranverën si anti-amerikane, zgjim islamik anti-zionist, kur në të vërtet, protestuesit e rinj e të guximshëm rrugëve të Kajros, Bengazit dhe Damaskut dëshironin lirinë si çdokush tjetër dhe shpërfillën të përmendin të këqijat e Amerikës apo premtimin e palestinezëve. Megjithatë, janë veçse ditët e para: revolucionet janë të gjithë të ndryshëm; secili është vendas; rruga drejt demokracisë është e pasigurtë dhe momenti mund të vërtitet lehtësisht pas për kah islamicizmi. Si gjithnjë, efektet do të ndihen më së shumti në kokpitin e Lindjes së Mesme dhe në vendndodhjen e Ditës së Gjykimit Islamik: Jeruzalemin. Pranvera Arabe ka pajtuar përçarjet palestineze, të cilat mund të vënë në lëvizje përfundimtare procesin e paqes. Por udhëheqësit e Hamas, që e lëvdojnë Bin Laden si dëshmor të shenjtë, vështirë se i risigurojnë ata, duke e shpallur këtë organizatë si dele me gëzof ujku, një partner bashkimi për paqen në Lindjen e Mesme. Islamicizmi i mbështetur nga shteti është shumë më i rrezikshëm sesa Al-Qaeda: Hamas dhe pasardhësit e Hezbollahut në Liban, për të mos përmendur mbizotërimin rajonal dhe armatimin bërthamor të padronit të tyre, Iranit, tregon qartazi se, islamicizmi militant po përparon, pavarësisht nga vdekja në Abottabad të një të arratisuri të moshuar të vetëm, me dëmtim të veshkave.
Në ikonografinë e djallit, Osama bin Laden do të renditet lart edhe pse ai qe përgjegjës për vdekjen e mijëra të pafajshmëve, që nuk ngjajnë me milionat e vrarë nga Hitleri, Stalini, Mao, Pol Poti, të cilët shpërndanë fuqinë e shteteve moderne. Mjerisht, Osama bin Laden nuk e arriti kurrë një pushtet të tillë, por ai qëlloi më lart sesa pesha e tij. Hitleri dhe Stalini besonin, gjithashtu se, vrasjet e tyre qenë të drejta por duhet të jenë të pavëzhgueshme. Për Bin Laden ka qenë e kundërta: ai i skicoi vrasjet e tij saktësisht që të vështroheshin. Ai jetoi përmes shpatës dhe kamerës – dhe vdiq me to.