Njesite speciale ne Veri

Bëhet fjalë për aksionin e policisë që parashikon arrestime të mundshme lidhur me vrasjen e policit të Njësisë Speciale, Enver Zymberi, por edhe të atyre që dogjën pikën kufitare Jarinje.
“Bashkë me automjetet e Policisë së Kosovës janë parë edhe forca të shumta të KFOR-it të cilat kanë shkuar në mëngjes në drejtim të pikës kufitare Jarinje”, pohojnë burimet, të cilave u referohet Kosovapress.
Sipas të njëjtave burime, serbët tashmë janë duke u organizuar për kthimin e barrikadave në pika të ndryshme, ndërkohë që situata në veri po tensionohet.
EULEX: Një i dyshuar për vrasjen e policit
Hetimet e misionit evropian për rastet e fundit në veri kanë sjellë rezultat. Prokurorët kanë arritur të identifikojnë dhe të mbledhin prova për të dyshuarit kryesorë në dy incidentet më të mëdha që kanë pasuar dërgimin e njësitit special të Policisë së Kosovës në pikat kufitare 1 dhe 31 më 25 korrik.
Prokurorët kanë prova si për të dyshuarit në vrasjen e policit Enver Zymberi, po ashtu edhe për djegien e portës kufitare numër 1.
Burime brenda EULEX-it, të cilave u referohet Telegraf, kanë konfirmuar rezultatet dhe kanë shpjeguar se një person është i të dyshuari kryesor që ndërlidh të dyja rastet.
Rudarë, serbët heqin një pjesë të barrikadës
Përfaqësuesit e serbëve të veriut kanë marrë vendim që të heqin një pjesë të barrikadës në fshatin Rudare, bllokadë kjo që prej një muaji po e mban të bllokuar rrugën për në pikën doganore 1 në veri të vendit.
Këtë vendim të shtabit të të ashtuquajturave komuna serbe në veri të vendit e ka konfirmuar Oliver Ivanovic, sekretar shtetëror në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë serbe.
Ndonëse për këtë vendim nuk ka asnjë informacion as KFOR-i dhe as Policia e Kosovës, Ivanovic, sipas Telegraf, ka thënë se ky vendim është marrë nga komunat veriore, të cilat kanë dashur të tregojnë se janë pro zgjidhjes së situatës me anë të dialogut.