E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gaddafi: Fitore ose vdekje!

Nga Express më 24 gusht 2011 në ora 12:19

Nuk dorëzohet diktatori. Disa orë pasi që kryengritësit i hynë brenda pallatit të tij dhe ia rrëzuan statujën, Muammar Gaddafi, bëhet i gjallë.

Ai ka folur për një radio dhe ka thënë se largimi i tij nga Bab-al-Azizya ishte taktikë, për t’i mashtruar kryengritësit. Ai theksoi më tutje se nuk do të dorëzohet kurrë.

“Ne po rezistojmë me krejt fuqinë tonë…ose do të fitojmë, ose me vullnetin e Allahut do të bëhemi të gjithë martirë. Fitore ose vdekje ndaj agresorëve”, ka thënë Gaddafi në një radio lokale, transmeton televizioni, al-Urubah.

Ndërkohë, pikërisht tek ky televizion ka folur zëdhënësi i tij, Moussa Ibrahim. Ai ka thënë se 80 për qind e Tripolit kontrollohet nga forcat pro-qeveritare dhe sipas tij, 6500 “vullnetarë” kanë hyrë në Tripoli, për të luftuar kundër kryengritësve.

“Do ta shndërrojmë Libinë në një vullkan që djegë dhe në zjarr nën këmbën e pushtuesve”, ka thënë Ibrahim, duke pohuar se qeveria e Gaddafit mund t’u bëjë rezistencë kryengritësve për muaj e vite të tëra.

Në ndërkohë, Kina ka bërë thirrje për një pajtim politik në Libi dhe ka theksuar se Kombet e Bashkuara duhet të luajnë rolin udhëheqës në rindërtimin e vendit të goditur.

Ministri i jashtme i Kinës, Jang Jieqi, është shprehur se me rrëzimin e regjimit të Gaddafit, OKB-ja, duhet ta ketë prioritet dhe detyrë urgjente rindërtimin e këtij vendi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›