E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti për konkurrencën globale, tregues i progresit ekonomik, që vjen nga reformat e guximshme

15-09-2011 / Gazeta 55

Shefi i ekzekutivit vlerëson raportin e Forumit Ekonomik Botëror, mbi konkurrencën ekonomike, i cili e rendit Shqipërinë mbi vendet e rajonit, duke deklaruar se progresi ekonomik i Shqipërisë vjen si rezultat i reformave të guximshme dhe skemës së suksesshme në rritjen e pagave dhe pensioneve

Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje në mbledhjen e përjavshme të Këshillit të Ministrave se vlerësimi i treguesit global të kompetivitetit ekonomik, të publikuar një javë më parë nga Forumi Ekonomik Botëror, ku Shqipëria renditej në vendin e 78-të duke ngjitur 10 vende nga viti i kaluar, se ky tregues do jetë një analizë pune për ministritë dhe institucionet. Berisha tha se në bazë të vlerësimit të studimit, secili ministër do të shohë analizën e punës së dikasterit që drejton. “Kryefjala e kësaj mbledhje do të jetë treguesi global i ri i kompetivitetit, i publikuar një javë më parë nga forumi ekonomik global. Ky tregues krahas me treguesit e zhvillimit social që boton UNDP përbëjnë treguesit me kryesorë, më themelorë të kuotimit, të vlerësimit, të zhvillimit dhe progresit të zhvillimit të vendeve të botës. Indeksi i ri global i kompetivitetit, ka një histori jo të gjatë, janë qarqet akademike ato të cilat e kanë elaboruar atë fillimisht si indeksi i kompetivitetit të rritjes, në të njëjtin vit, i pari ishte i Jefrey Saks, Michael Porter, indeksi i kompetivitetit të biznesit, më vonë treguesi i kompetivitetit global  dhe më së fundi treguesi i ri i kompetivitetit global i cili llogaritet duke vlerësuar të gjithë veprimtaritë që ju mbuloni zotërinj ministra. Ka 12 shtylla, është deri tani treguesi që bazohet në një univers treguesish të tjerë. Aty janë të gjithë treguesit e agjencive që ju mbuloni, natyrisht të pacituara, por fushat janë të palëvizshme.
Berisha tha se secila ministri duhet të analizojë punën në bazë të vlerësimeve të fundit të raportit të konkurrencës ekonomike, duke e konsideruar këtë si “detyrë” për të spikatur progresin si dhe hapësirat për përmirësim. “Po ndalem këtu sepse është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne në dritën e kësaj analize të analizojmë punën tonë. Secila ministri, secila agjenci sot nuk ka një tregues më kompleks dhe më të përafërt me realitetin se sa ky. Natyrisht në analizën e tij sipas sektorëve ju do të gjeni dhe është normale, të dhëna, të cilat janë tejkaluar dhe kjo është në meritën e reformave, por do të gjeni të tjera, ndaj të cilave duhet të mbahen qëndrimet më agresive për ti ndryshuar”- tha kryeministri. Kreu i qeverisë theksoi se progresi i Shqipërisë gjatë këtyre tre katër viteve të fundit është i admirueshëm. Sipas tij, në vlerësimin e fundit, Shqipëria nga pozicioni i 109 që ishte është tek pozicioni i 78. “Pra, nga vjet deri sivjet ka ngjitur 10 shkallë dhe ngjitja e shkallëve këtu është jo e lehtë, pra është një ngjitje me vështirësi serioze, e cila realizohet mbi të gjitha nëpërmjet zbatimit të reformave. Por përveç kësaj ngjitje të admirueshme që ka bërë Shqipëria që nga viti në vit ngjit më shumë se 10 shkallë, ka edhe disa të dhëna të tjera të cilat janë me të vërtetë shumë domethënëse. Janë një seri treguesish me të cilat Shqipëria renditet mes 20 vendeve të para të botës. Kështu Shqipëria lë prapa vende të zhvilluara për sa i përket disa sëmundjeve si tuberkulozi, Sida dhe disa sëmundje të tjera , të cilat me shpërthimet e tyre janë një problem madhor edhe për vende të zhvilluara. Shqipëria ka një tregues që e pozicionon atë në vendin e 8 në botë dhe ky është treguesi i të drejtës ligjore, referencës që i behet ligjit në këtë vend, në vendimet që merren. Por, ka një tregues tjetër jashtëzakonisht domethënës që e rendit Shqipërinë në vendin e 9 botë dhe kjo është barra e rregullimeve shtetërore, pra ne jemi ndër 10 vendet me barrën më të vogël të ndërhyrjes shtetërore në ekonomi dhe në tërësi. Kjo përbën një arritje shumë të madhe, një nga arritjet më të mëdha. Në raportin qeveri-shoqëri, qeveri -biznes, qeveri - ekonomi, nuk ka asgjë më shpresëdhënëse se sa ky tregues”- tha më tej kryeministri.
Shqipëria merr një vlerësim pozitiv porsa i takon zhdukjes së burokracisë si dhe shmangien e ndërhyrjeve të saj. “Ne, jo vetëm jemi një qeveri e vogël por të gjithë përpjekjet tona për të zhdukur ndërhyrjet e pavend të burokracisë, pengesat burokratike janë thellësisht rezultative dhe e rendisin Shqipërinë në 10- shen e parë në botë. Të mos harrojmë edhe njëherë dua të theksoj  se “Qeveria është problemi” thoshte Presidenti Regan dhe ju nuk më keni dëgjuar kurrë të them opozita është problemi se pse unë që nga vitet 90 e deri më sot mbaj të stamposur në mendjen time këtë postulat të Ronald Regan, i cili më ka ndihmuar mua të qeveris, jo vetëm kur kam qenë në mazhorancë, por edhe kur kam qenë në opozitë. Në qoftë se ne e mbajmë këtë parasysh, ne ruajmë si yll polar sensin e realizimit dhe luftojmë me burokracinë tonë. Nuk e kam fjalën këtu për individët, por ne luftojmë me procedurat burokratike për ti bërë ato sa më pak të mundimshme për qytetarët. Dhe çdo zyrtar duhet ta ketë këtë parasysh. Ju do të ndiqni nesër shtypin e kontrolluar që do të shkruajë se Berisha pranoi vetë se ai është problemi. Por unë dua tu rikujtoj se Berisha theksoi se duke patur parasysh këtë postulat, ai ka qeverisur edhe kur ka qenë në opozitë, prandaj nuk u bie mirë ta përmendin”- deklaroi Berisha. Ka një tregues tjetër edhe ky frymëzues, ku Shqipëria pozicionohet e 9 në botë. Shqipëria hyn në 10-tëshen e parë për sa i përket fillimit të biznesit. Raporti vlerëson gjithashtu se janë përmirësuar në frymën e modelit tonë ekonomike dhe shumë tregues të tjerë siç janë marrëdhëniet punëdhënës- punonjës. Shqipëria për këto marrëdhënie renditet e 21-ta në botë. Shtrirja dhe efekti i taksave është një tjetër aspekt i raportit. Shqipëria renditet në vendin e 24 në botë. Gjithashtu, Shqipëria renditet në arsimin e lartë, për trajnimin e stafit, në pozicionin e 32.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›