E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banka Botërore e gatshme të mbështesë me financime prioritetet e Bashkisë së Tiranës

15-09-2011 / Gazeta 55

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha pret delegacionin e Bankës Botërore

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha priti sot në një takim përfaqësuesen e Bankës Botërore për Shqipërinë, Ksenja Lvovski dhe grupin e ekspertëve, ku u ra dakord për bashkëpunim në disa prej prioriteteve më të rëndësishme dhe problematikave më të  mprehta që ka kryeqyteti. Banka Botërore mbështeti axhendën e kryebashkiakut Basha për punësimin e të rinjve, si dhe për krijimin e kushteve që ata të kryejnë stazhin pas diplomimit. Kryetari i Bashkisë i theksoi znj. Lvovski se ky është prioriteti numër një i Bashkisë dhe i tiji personal. Banka Botërore u shpreh e gatshme të kontribuojë dhe të marrë pjesë në projekte strategjike të Bashkisë, si ndërtimi i Bulevardit të Ri të qytetit, deri tek Lumi i Tiranës. Z.Basha i tha delegacionit se ky aks do të rrisë cilësinë e jetës dhe do të nxjerrë nga kushtet e papërshtatshme, një pjesë të rëndësishme të qytetit.
Ndërtimi i Parkut të Ri tek Lumi i Tiranës është një prioritet i Bashkisë që u përfshi gjatë takimit në projektet ku Banka Botërore do të japë kontributin e saj.
Banka Botërore siguroi z.Basha se e sheh me interes ndërtimin e linjës së Tramvajit në Tiranë dhe është gati ta mbështesë këtë projekt.
Banka Botërore mbështeti projektin që ka z.Basha për hartimin e Planit Urbanistik për Tiranën dhe u shpreh e gatshme për të ndihmuar dhe për ta përkrahur këtë iniciativë. Në veçanti u përshëndet idea e procesit transparent dhe respektimit të parimit të vlerësimit të drejtë të pronës private dhe përfitimit të hapësirave publike në shërbim të qytetarit.
Gjithashtu, Banka Botërore shprehu gatishmërinë për të ndihmuar Bashkinë e Tiranës në projektin për hipotekimin e apartamenteve që ende nuk kanë certifikatë pronësie. Z.Basha e njohu delegacionin e BB për punën që po bën grupi i ngritur për Hipotekat dhe tha se procesi do të nisë së shpejti.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›