E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nji kulturë as njerzore as politike



Shqiptarët, politika dhe 18 vite demokraci - “Nuk ju dal përpara as si mbrojtës i një parimi, as si ndjekës i një shkolle a i një teorie, as si pjestarë i një partie. Dua të zhvishem nga çdo pikëpamje vetjake dhe dua t’ju flas mbi atë gjë që është e kujtdo, në të cilen dhe për të cilën ka të drejtë dhe detyrë çdo njeri: të njihet e verteta. Do të ndërrojnë dhe mënyren e shprehjes, por realiteti është ky: kush i shërben së vërtetës me të drejtë ai i sherben Perëndisë”.

At’ Anton Harapi OFM.

Populli shqiptar asht i etshem për nji Liri të vertet, sepse nuk ka mujtë kurr me gëzue. Për pesqindvjet e deri tash, populli i jonë shqiptarë ka psue gjithmonë, tuj mos mujtë me kenë kurr vetvetja, nga të huejt, dhe tradhtarët vendas, të cilët kanë bashkpunue me t’huejt për interesat e veta të ngushta, tuj e ba me vuejt populli i tonë dhe tuj e shkatërrue, përça, dhe coptue fizikish dhe shpirtnisht, dhe tuj mos ja nda të zezat vazhdimish, që të harrojnë identitetin e vet, origjinen e vet dhe Kombin e vet, si Shqiptarë, dhe që të mos mundet kurr me kenë ai që asht kenë dhe ai që duhet me kenë. Dhe e zeza e të zezave i takon në fund, diktaturës ma të eger komuniste, që ka njoftë bota.

Politika shqiptare e plagosun dhe e brymosun nga e kaluemja e idhtë, nuk ka mujtë me drejtue popullin tonë shqiptarë në rrugen e demokracisë deri sot. Shqiptarët nuk e dinë çfarë asht demokracia, sepse realisht nuk e kanë jetue. Sepse, drejtimin e shqiptarve e kanë marrë, po ata që kanë nji tru komunist, ku për ta, Shqipnia asht interesi personal. Ky mentalitet komunist; për fatë të keqë e ka drejtue dhe po e drejton popullin tonë shqiptarë, si në kohen e përparshme ashtu edhe sot. Ndoshta nuk asht fort faji i tyne, sepse tuj u rritë me atë brymosje komuniste, nuk munden me veprue ndyshe me të gjitha sforcimet e veta. “Nji pemë, kur asht rritë e shtrembët, nuk mundet me u drejtue ma”. Këta që janë të brymosun me ideologjinë komuniste dhe kanë bashkpunue me të o zyrtarish o në menyrë të mësheft, kanë drejtue për tetemdhetë vjet dhe vazhdojnë edhe sot me na drejtue, pa e pa asnjiherë të miren e shqiptarve, por tuj ec në rrugen e paraardhsve të tyne. Për këta poeti i madh At’ Gjergj Fishta thotë: “Pse e shoh se veç atje ku xhixhllon ari, pa frymë e tue dihat nget: Si Krishtin shiti Juda Iskarjotë”. Këta po e shesin edhe sot Shqipin për Lekë, tuj frenue demokracin dhe zhvillimin e popullit tonë shqiptarë, i cilli prej Zotit i ka të gjitha të mirat natyrore. Bllokimi i nji zhvillimit që i bahet këtij popullit t’shkretë sot, dhe deshira me lanë në nji vorfni ekstreme, që përfitimi i qeveritarve të jetë ma i madh. Këto arsye të ngushta personale të drejtuesve tanë e lanë popullin shqiptarë tuj u sjellë rrugëve të botës. Këta që i drejton Parja, nuk dinë me pa të mirën e popullit vet; At’ Gjergj Fishta, sa bukur i përshkrue: “M’visar t’Atdheut me t’huejë shkojn tue tregtue (Kush ndyt mbas Frankut rrejtë, kush mbas sterlinet, kush pse dinari tepër i asht lakmue). E Atdhen prej s’huejësh me qitun duen bashtinet, thue edhe për ta ndokuj do t’i hijë çuda, kur thom se nuk janë tjetër veç se Juda e pra ksi nipash ka dhe shum Kastriota”.

Po kush mundet me drejtue popullin tonë shqiptarë sot? Përgjigjja asht e kjartë; ata që nuk kanë marrë pjesë dhe nuk i kanë lye duert e veta me gjakun e shqiptarve dhe truni i tyne nuk asht i brymosun me ideologjin komuniste dhe orjentim Lindorë. A nuk asht e kjartë që popullin tone shqiptarë e drejton ideologjia komuniste akoma sot? Pse, nuk dalin përpara Drejtësisë ata persona që kanë ba të gjitha këto padrejtësi dhe të zeza në popullin shqiptarë? Këta “komunista si demokrat” që thonë jemi të pastër, pse nuk i nxjerrin përpara drejtsisë, ata që kanë vra e pre në vëllazenit e vet shqiptarë? Mos t’na duket e quditshme! A ka ndodhe ndonjiherë në histori, me denue: diktatori, komunisti, vrastari, persekutuesi, spiuni ose hajduti vetin? Po ta vertetoj; kush asht denue ose fajsue për tragjeditë dhe fatëkeqësit që i kanë ndodhë popullit tonë Shqiptarë deri sot? Ose, cilli ka kerkue falje për të gjitha këto t’zeza që janë ba në popullin tonë shqiptarë deri sot? Çdo njani prej nesh mundet me thanë: cillat janë ato tragjedi?

Po i rreshtoj disa prej tyne: diktatura ma e egër komuniste, firmat piramidale, lufta në vitin 1997, mbytja në detë e shumë Shqiptarve, vdekja e shqiptarve në Gerdec, zhdukja e shumë personave në menyrë mafioze dhe ndoshta ma e keqja asht: bllokimi i zhvillimit popullit shqiptarë në nji demokraci të deshirueme prej tyne, etj. Të gjitha këto janë pa nji përgjegjës, sikurse të ishin fatëkeqsi natyrore, e jo njerzore. Të majtë e të djathtë e kanë pase pushtetin me të gjitha këto fatëkëqësi të ndodhuna prej tyne, dhe deri tash nuk asht denue askush edhe pse në fushata elektorale kanë premtue se do të dalin përpara drejtsisë të gjithë ata persona që kanë ba krime në Shqipni. Aq ndergjegje kanë, sa që nuk e kanë marrë guximin me kerkue asnjiherë falje publike, të pakten sipërfaqësisht si e kanë zakon me kenë siperfaqësor. Pushtetarët tanë krenohen pse e kanë drejtue mirë fatëkeqësin, d.m.th. janë të fortë që i bajnë krimet në popullin tonë. Kështu ka ba edhe Enveri me popullit shqiptarë, tuj u krejnue për vrasjet, interrnimet dhe persekutimet, ndaj të pafajshëmeve dhe “anmiku i shqiptarve” tuj i quejt anmiq ata që ishin patriot të vertet. Ky model asht edhe sot, që na thonë: ju marrë pasunin e ju vras dhe krejnohen, tuj u lavdrue sa mirë e udhëheqim situaten. Këta janë në gjendje me ba çdo gja në popull me mbushë gjepat e vet e me ruejt kolltuqet e veta. At’ Gjergji ka thanë mirë për këta: “O i biri i Adamit, a do me gzue sa t’jesh mbi shekull ti tue jetue? Ti ke me mbajtun gjithmonë ketë rregull: Erzin e shpirtin do t’losish shrregull. Do t’shesish vllazent, do t’mohojsh fisin, sa herë qi n’shekull ta leverdisin”. At’ Gjergj Fishta i paska pasë jetue qysh atë kohë këto veshtersi dhe i paska njoftë shum mirë. A thue nuk ka veprue kështu Enveri? Etja e shfrenueme për Lekë dhe Pushtet të bajnë me ba çdo të zezë të mundshme, për interesa personale. Juda e ka shitë Krishtin për tridhetë sikla të argjenta. Herodi ka kerkue me vra Krishtin Zot, qush fmi, tuj pasë frigë se po i merr pushtetin njerzorë. I patenzoni, nuk ka as fis, as Atdhe, as rregull dhe as njerzi, por vetem interes personal.

Ka edhe politikan të mirë që munden me drejtue popullin tonë Shqiptarë. Por, mentaliteti fisë-klanë i politikës së vjeter komuniste asht njaq dinake, sa që e ka pregaditë shumë mirë terrenin për veti. Ata që janë i ka shpernda dhe perjashtue prej gjirit vet ose tuj mos u lanë: asnjigja në dorë, që të mos kenë forcë veprimi kundra tyne dhe po të njajten gja e bajnë edhe me çdonjanin që tentonë me ecë përpara, sa herë çojnë krye, u fillon lufta e mposhtnimit. Këta nuk kanë as Zot dhe nuk e kanë as anen njerzore. Mendimet e politikanve tanë, janë këto: “Kush asht ai Zot, zanin e të cilit më duhet me e ndigjue, tuj lanë me dalë këndej Izraelin (me lanë të Lirë e të zhvillohet popullin Shqiparë)? Unë s’e njoh Zotin e s’kam me e lanë me dalë kurrsesi Izraelin” Popullin shqiptarë në liri. Libri i Daljes, 5, 1-3. D.m.th. Ky asht i patenzoni. Nuk e njohin as Zotin dhe as Allahun dhe na presim të mira prej tyne. Të ishte kenë e mujtun me u ba të pasun na shqiptarët pa Zotin, ishim ba për 50 vjet komunizem, ma të pasunit e botës, por jemi ba ma të vorfnit e botës. Këtu shihet kjartë, që pushteti asht i të njajtit model dhe nuk lejojnë ndyshim as sot.

A ka nji politikan, parlamentarë, minister, kryetar bashkie, komune ose zyrtar i çdo partije kjoftë, që nuk i ka marrë pronat e veta prej në Sarandë deri në Vermosh? Këta jo vetem të vetat, por edhe të tjerëve. Ky asht modeli i Enverit, sepse Shqipnia janë vetem ata, dhe kushdo kerkon me u çue kundra këti modelit qeverisje dhe planeve të tyne, konsiderohet anmik i tyne. Çdo person ose familje patriarkale dhe e ndershme, që shkon kundra ksaj ideologjie, të ndahet dhe të coptohet dhe nëse asht e nevojshme nga rrezistenca e tyne, të burgosen dhe të vrahen, që të mos pengohet misioni i tyne fatëkeqë e i zi kundra shqiptarve. Pse Shqiptarët nuk janë pronarë akoma as sot? Sepse, rruga e Enverit ishte me pasë çdogja vetem ai. Kjo rrugë vazhdon edhe sot. Populli i shkretë nuk ka me marrë gja deri që këta të ngihen! Kështu as Kisha e as Xhamija, deri sot nuk kanë mujt me i marrë pronat e veta prej këtyne “demokratve”. Po, kur ngihen këta pushtetarë që të bahen edhe shqiptarët pronarë me ata që mbetet prej tyne, si të gjithë bota e tjeter Demokratike? Kur këta të mos drejtojnë ma, ose të kenë vdekë. At’ Gjergj Fishta quditet tuj pa këtë model drejtimit në popullin e vet, dhe shprehet tuj thanë: “Pse tepër keq Shqipnija e ngratë ka ngelun, Tepër pa nderë pse nami i saj asht shkelun, Oh, vaj! Oh kob! Oh marre e turp për ne! Sot sheklli mbarë prir synin prej Shqiparvet, me pa si përkujdesmi për Atdhe; E si u dishmojm me punë na kundërshtarve, Se jemi t’zott me u lidhë me besë e fe, Edhe vetë me sundue vendin e t’Parvet: E na haru e si polipa deti, Veç hapim syt me shkye ndo’i send për veti!”.

Kështu, kur hynë populli i jonë shqiptarë në Europë? Populli i thieshtë, tashma ka hy në Europë dhe e don Europen, sepse të gjithë kanë emigrue nëpër Europ të Bashkuem, por shteti dhe politikanët tanë hynë ku ka Pare, për këtë arsye e kanë shtri njanen kambë në Lindje dhe tjetren në Prendim, me dy duert e shtrime tuj kerkue me marrë njiherë nga Lindja e njiherë nga Prendimi, Dollarë ose Euro. Sepse, Europa e tyne asht Parja e Shqipnia e tyne asht: interesi personal. Komunizmi ka gjetë vend në Shqipni, për shkakun e pushtimeve dhe fatëkeqsive të panumerta që populli ishte tuj psue në atë kohë. Populli tuj mendue për nji jetë ma të mirë i ka ndodhe e kunderta, “prej në shi, ka ra në breshnin komunist”. Shqiptarët mbas viteve 1990, shpresuen për nji Liri të vertetë, por ndodhi e kunderta, ranë edhe këtë herë në nji shfrytzim të vertetë. A ka gja ma të çuditshme se kjo që ndodhë në vendin tonë! Përjashtohen të gjithë të Persekutuemit, nga drejtimi i pushtetit, nga punsimet dhe nga shperblimet e persekutimeve të panumerta që kanë psue, dhe çfarë asht ma e zeza; sot në Shqipni ndodhë e kunderta, shperblehet ai që ka vra, torture, spiunue dhe burgosë.

Pse shqiptarët nuk munden me lëvize lirshem nëpër Europë as sot? Sepse, kjo politikë e vjeter donë me shfrytzue shqiptarin tuj i marrë nga “tri mi Euro me kalue kufinin”, jo me lanë të lirë. Për këtë shfrytzime të zi, nuk ka nji rregjistrim të popullsisë, që Europa me na njoftë se kush jemi. Vjen pyetja, pse nuk asht ba deri sot ky rregjistrim, ku jemi nji popull krejtë i vogël? Arsyeja e tjeter asht kjo: që të luejn me voten e Lirë të shqiptarve. Me voten e Lirë nuk fiton ndoshta komunisti por i ndershmi dhe deri sot asht kjo politikë me ideologji komuniste që na drejtojnë me nji ndrrim qimje, dhe me demokracin e mashtrimit. Pater Gjergj Fishta ishte edhe Profetë, fjalët e tij janë vertetue aktualisht, “Prandaj ti rueju se thue t’verteten, n’daç t’xet m’e pasun gjithmonë kuleten. Mundohu me u dukun gjithmonë shka s’je: ma mirë se duka s’asht gja m’ketë dhe”. Krishti ju përgjigjet kështu: Luka 6, 24; “Por të mjerët ju, pasanikë, përsè tashma e keni marrë shpërblimin tuej”. Këta na rrejnë vazhdimisht përpara fushatës elektorale se kanë me i ba të gjitha, por kur hypin në kolltuqe, nuk duen me ditë se çfarë kanë premtue ose ku e kanë zonen e vet elektorale. Nëse dona me kuptue se kush janë politikanët tanë, të krahasojmë me të botës ose me Amerikën. Ata paraqesin programmet dhe idenat për të mirën dhe të ardhmen e popullit tyne, pa sha njani-tjetrin, kurse keta të tonët, shajnë, denoncojnë, shpifin dhe merren me të gjitha gjanat e tjera, por me të popullit, JO. Nuk kanë nji kulturë as njerzore as politike. Sepse dikush që nuk i njeh, kur ti ndigjojnë thotë: këta sa të dalin jashte Parlamentit, kanë me u vra me njani-tjetrin, por janë vetem mashtrime të djallzueme, që përdoren përpara popullit, përpara nesh. Hahen e shahen, me njani-tjetrin ditë për ditë, pa i dhanë kohë vetit për popull me mendue dhe pa pasë pak kohë projekte me projektue. Projektet e tyne janë ba: shamjet e grindjet, populli i tyne asht: kuleta e tyne. Letra e shen Palit Apostull thotë: “Mbarimi i tyne asht dënimi i pasosun; zoti i tyne asht barku e lumnia e tyne asht në veprat e turpshme, të dhanun siç janë vetëm mbas sendeve tokësore”. Në kohen e komunizmit shqiptarët kanë psue shumë për me ruejt identitetin e vet, që e kanë quejt: “FE e ATDHE”, që kanë dhanë jetën për nji të ardhme ma të mirë, ata që e kanë udhëheqë realisht dhe mësue popullin, janë kenë: Klerikët të bashkuem me popullin, me luftue padrejtsitë dhe të zezat që po i afroheshin këtij populli të shkretë. Sot, kush i prinë popullit tonë? Sot, ku janë ata shqiptarë, që nuk pajtohen me të kqijat, padrejtsitë dhe shfrytzimet e pamshirë në këtë popullit? Më sa duket Klerik dhe popull, u jemi nanshtrue këtyne të kqijave, tuj e lanë të ardhmen e Shqipnisë në duert e këtyne ujqve grabiqarë, që nuk shohin ma larg se tek hunda e vet ose para hundës vet. Tuj pa se gjithkush hesht, ai që i takon me heshtë e atij që nuk i takon me heshtë, më vjen me mendue se me të vertet Zoti e paska mallkue ose harrue Shqipnin ose akoma nuk e kemi krye denimin dhe na lenë prap nan skllavrinë e këtyne faraonave! Psalmi 80, thotë: “. Por populli em vesh zanit tem s’i vûni, e Izraeli mue nuk më ndigjoi. Prandej e braktisa në zemërgurtësinë e vet, menden e vet tuj e lanë me e ndjekë! Eh! Po të më ndigjonte populli em, Izraeli po të ecte ndër shtigje të mia! Me ‘i herë anmiqtë unë kishem me ia thye, mbi kundërshtarët e tij, dorën unë kishem me e randue!”. A thue nuk ka ardhë koha që politikanët me u kthye e me mendue për të mirë e popullit tonë shqiptarë? A thue nuk ka ardhë koha me u ngi deri tash këta qeveritarë, tuj e shfrytzue popullin shqiptarë? A thue nuk ka shqiptarë dhe politikan të mirë në Shqipni, që munden me drejtue popullin e vet? Asht mëkat, mos me ba çdonjani pjesen e vet, tërheqja e të ndershmit, heshtja gjithmonë janë humbje për vendin tonë dhe pranim i s’keqës. Na shqiptarët, pranojmë çfarëdo të zeze na bajnë, pa bërtitë dhe pa protestue kurr. Koha e gjatë nan diktaturen komuniste dhe zhgenjimet e deri tanishme, friga e pasojave, ta humbin kurajon dhe shpresen e rreagimit, por shqiptari nuk duhet me pranue me dekë për s’gjallit. Jeta duhet me u gëzue deri në momentin e fundit. Ky asht Ligji i Zotit dhe jo i partive, për çdo njeri. Kushdo shkon kundra këti Ligjit të Shejt: shkon kundra Zotit e kundra robit. A nuk duhet me na çuditë se: Amerika e Shoqatat Nderkombtare me i denoncue padrejtsitë dhe keqëqeverisjet mbi shqiptarët, e na vet shqiptarët, mos me kerkue me mbrojtë vetvetin! Shpresoj që të preket ndergjegjja e çdo shqiptarit, që të largohen nga kjo politikë e mbrapsht, që të mos dalë vetem në mitingjet e Partive, por të protestojnë me mbrojtë të drejtat ma elementare që i takojnë çdo personit prej Zotit në boten demokratike. Kështu ndertojmë vendin tonë, tuj gëzue këto pasuni natyrore që Zoti na i ka falë e krijue për ne, tuj ndertue shpin tonë dhe mos të mbesim gjithmonë rrugëve të Botës.

Lutja e Pater Gjergj Fishtës ofm: “Rrnosh e kjosh, oh moj Shqipni: Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera, e me pagjë e me liri për jetë t’jetës të rrnoftë ty ndera”. “Prandej, o Zot, prej qiellet Ti priri syt mbi ne, e ban qi puna t’kthiellet, si asht mirë për atme e fe”. Amen.

Jeta e përtejme e Odhise Paskalit

Për ata njerëz që thuhet se kanë “jetë të përtejme”, ka të bëjë me pasvdekjen, emblemën e tyre jashtë fizikes. Kështu ka ndodhur me skulptorin Odhise Paskali, i cili është kujtuar dje në 105 vjetorin e lindjes në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar. “Ringjallja e Paskalit” ka qenë memorja përkujtimore një ekspozitë e çelur, nën kujdesin e së bijës, studiueses së artit Floriana Paskali. Këtu janë paraqitur 25 punime të skulptorit, të cilat janë kuruar nga Leonardo Voci. E bija e skulptorit u shpreh për ATSH se “ tani erdhi momenti për të nxjerrë para dashamirësve punët e babait, pasi një pjesë e madhe e tyre janë rimbledhur, restauruar, përpunuar dhe kuruar, sepse ato ishin të shpërndara dhe jo të mirëmbajtura”. Në stendat e kësaj ekspozite gjenden një sërë e punëve të skulptorit ndër të cilat mund të veçojmë: Medaljon i Ismal Qemalit 1973, vëllezërit Frashëri 1973, Puthja 1935, Medaljon i Bethoven 1956, 3 Medaljone të Skënderbeut në vitet 1973-1974, etj. Punimet e skulptorit Odhise Paskali gjenden sot dhe në faqet e kartmonedhave, përkatësisht: Busti i Skënderbeut në kartmonedhën 1000 lekëshe, Busti i Naim Frashërit në kartmonedhën 500 lekëshe, monumenti Luftëtari i kombëtar në kartmonedhën 100 lekëshe, monumenti i Skënderbeut në 5000 lekëshe. Në ditën e hapjes së ekspozitës u promovua dhe një botim me ese dhe shënime të Odhise Paskalit, i titulluar “Shpirti im i ripërtërirë”. Për këtë e bija shprehet se “ zgjodha që të botoja këto ese, pasi nuk doja që ta mbaja pasurinë që më la im atë, vetëm për vete, por ta ndajë atë më të gjithë.” Ekspozita me punimet e skulptorit Odhise Paskali do të qëndrojë e hapur deri në datën 17 Prill, plot tre muaj. Odhise Paskali, Skulptor i popullit, Akademik, Nder i kombit, lindi në Kozhan të Përmetit më 1903. Pasakali morri mësimet e para nga i ati që ishte prift dhe mësues në fshat. Shkollën fillore e përfundoi në Përmet. Më pas në 1916 u nis për në Itali, ku kreu liceun. Në vitin 1920 filloi studimet në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në Universitetin Mbretëror të Torinos. Më 1927 u diplomua në fushën e Historisë së Artit. Skulptura e cila do ta bënte Odhise Paskalin skulptorin më të njohur të Shqipërisë, ishte Luftëtari Ndërkombëtar, në qytetin e Korçës. Disa prej punimeve të tij janë: Flamurtari në Vlorë 1932, Mihal Grameno në Korçë 1932, Çerçiz Topulli në Gjirokastër1934, Skënderbeu në Kukës1939, Misto Mame 1948, Vojo Kushi 1949, Partizani Çlirimtar 1964, Shokët 1964, Dy heroinat 1974, Idriz Seferi 1980, etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›