E Diel, 1 Nëntor 2026

Teatri i Metropolit Kiço Londo: Për publikun, vepra të autorëve Molier, Kamy dhe Çehov

>Drejtori i Qendrës Kulturore Tirana tregon për aktivitetin artistik gjatë vitit 2009. Tre premiera teatrore, shfaqje të Cirkut të Tiranë si dhe koncerte
Një kalendar të pasur me veprimtari të larmishme artistike ofron këtë vit për kryeqytetin Qendra Kulturore Tirana. Pjesa më e rëndësishme e tyre i përket Teatrit të Metropolit, i cili do të sjellë për publikun deri në fund të muajit qershor tre premiera teatrore, që mbajnë firmën e autorëve të njohur botërorë. Drejtori i kësaj qendre, Kiço Londo në një prononcim dhënë për gazetën tregon se të gjitha aktivitetet që do të organizohen nga kjo qendër janë të mbështetura mbi projekte, të cilat do të gjejnë zbatim gjatë javëve në vazhdim. Sipas Londos, një ndër prioritetet e këtij institucioni kulturor është dhe përfundimi i ambienteve të Teatrit të Metropolit, i cili shumë shpjet do të fillojë aktivitetin e tij. Për vitin 2009, Qendra Kulturore Tirana ka planifikuar që të organizojë një sërë aktivitetesh, të cilat janë të bazuara dhe të mbështetura mbi projekte. Për sektorin e Teatrit të Metropolit, projekti i parë është përfundimi me të gjitha aksesorët i sallës prej 120 vende i këtij teatri, e cila është drejt përfundimit. Në teatër ne kemi gjithashtu tre projekte teatrore, që do të ngjiten në skenë deri në muajin qershor. I pari është një projekt bilingual apo dy gjuhësh, në gjuhën franceze dhe atë shqiptare. Do të luajnë kryesisht aktorë shqiptarë, ndërkohë që regjisor është një i huaj dhe ai mbërrin sot në Tiranë. Quhet Franc Helber, dhe provat do të bëhen në ambientet e Qendrës Kulturore Tirana, tregon drejtori Londo. Më tej ai tregon se falë një fondi akorduar për këto ambiente, artistët e tij do të mund të zhvillojnë provat pranë këtij teatri. Ne nuk do të huazojmë më hapësira të tjera për të bërë prova për shfaqjet tona, por ato do të realizohen në ambientet e kësaj qendre, sepse Bashkia e Tiranës ka investuar në këtë pikë. Ne kemi fonde të cilat kanë filluar për përgatitjen e ambienteve ndihmëse. Shfaqja titullohet Zhorzh Danden dhe është e Molierit, pas kësaj është një tjetër projekt teatror, dhe kemi përsëri një autor francez, Albert Kamy dhe titullohet Mosmarrëveshja. Kjo shfaqje do të vihet në skenë nga një regjisore e re që quhet Ermela Demo, por gjithashtu në shfaqje do të interpretojnë tre aktorë të rinj, ndërsa projekti i tretë është një projekt ku do të luajnë 15 aktorë të rinj. Shfaqja titullohet Kopshti i Vishnjave të Çehovit. Këto projekte do të jenë gati për publikun në fund të muajit mars, dhe do të ngjiten në skenën teatrore gjatë këtij sezoni artistik. Pra këto ishin projektet teatrore për Teatrin e Metropolit, për të vijuar më vonë me shfaqje të tjera, pohon Londo, duke shtuar se: Teatri i Metropolit do të jetë i destinuar për të rinjtë dhe ka vizion të vetin raportin me të rinjtë, ku ata do të gjejnë shumë hapësira në këtë teatër. Një pjesë të rëndësishme të aktiviteteve të Qendrës Kulturore Tirana, e zhvillon dhe Cirku i Tiranës. Në arenën e tij publiku gjen një repertor të larmishëm, i cili vjen përpara tij me numra të ndryshme si: xhonglimi, akrobaci, etj. Drejtori Kiço Londo tregon se këtë vit Cirku i Tiranës me artistë e tij do të shkojë dhe nëpër qytet të ndryshme të Shqipërisë, ku do të shfaqë një repertor të larmishëm artistik. Ai tregon se këtë vit Cirku i Tiranës mbush 50 vjet nga krijimi i tij dhe për këtë qëllim është menduar që të jetë një shfaqje premierë për këtë eveniment. Kemi një projekt shumë të madh për cirkun. Në muajin nëntor të këtij viti Cirku i Tiranës feston 50 vjetorin e tij. Qendra Kulturore Tirana ka menduar që të organizojë me Cirkun e Tiranës një premierë për këtë eveniment. Është një premierë e gjerë dhe gjithëpërfshirëse e vlerave të cirkut shqiptar. Mund tju them se kanë filluar përgatitjet për këtë premierë. Me Cirkun gjatë këtij sezoni artistik, në muajt prill dhe maj ne do të zhvillojmë një turne në disa prej qyteteve kryesore të Shqipërisë,në kujtim të lëvizjeve të mëdha, që ka pas bërë dikur Cirku i Tiranës, i cili do ta rimarrë veten që ti ribëjë. Cirku i vazhdon shfaqjet e tij. Ne kemi katër shfaqje në javë, dy shfaqje janë në fundjavë dhe në mes të javës bëjmë shfaqje të organizuara me shkollat, shprehjet drejtori Londo, për aktivitetin e Cirkut. Por pas në axhendën e aktiviteteve të Qendrës Kulturore Tirana nuk ngelet pas dhe Ansambli Popullor Tirana, i cili me aktivitetin e tij ai ka shpërfaqur vlerat folklorike jo vetëm brenda trojeve shqiptare, por dhe jashtë tyre, në shumë raste duke u bërë fitues dhe i eventeve të rëndësishme kulturore që zhvillohen jashtë vendit. Në fushën e muzikës ne kemi dy evenimente të rëndësishme. Evenimenti i parë është Festivali Folklorik Kombëtar që zhvillohet në muajin shtator, ku ne kemi ambicien që të përfaqësohemi me një numër artistik me Ansamblin Tirana. Do të jetë një zbulim i veçantë nga krijimtaria popullore  e trevës së Shqipërisë së Mesme, por dhe Tiranës, pohon ai. Ndërkohë që në vijim të aktivitetit të saj për vitin 2009, Qendra Kulturore Tirana ka rezervuar dhe një koncerte të veçantë për artisten e madhe shqiptare Vaçe Zela. Duke folur mbi këtë koncert drejtori Kiço Londo tregon se: Po në fushën e muzikës në datën 7 prill ne kemi një mbrëmje gala që do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve, sepse kjo mbrëmje i kushtohet këngëtares së madhe shqiptare Vaçe Zela. Këto janë disa prej ambicieve tona gjatë këtij sezoni artistik, pasi ne kemi dhe shumë projekte të tjera. Më tej Londo tregon se Ansambli Tirana do të vijojë që të marri pjesë dhe në evente të tjera muzikore ndërkombëtare folklorike që zhvillohen jashtë vendit. Qendra Kulturore Tirana nuk ka për qëllim që të jetë vetëm për metropolin, por ne synojmë që me artistët tanë ne të kemi aktivitete dhe kontakte në të gjithë territorin shqipfolës, pse jo dhe me evenimente të tjera kulturore jashtë Shqipërisë, përfundon Londo.

***************************
Ansambli Folklorik Tirana
Ansambli Folklorik Tirana është themeluar në Tiranë më 1978. Në përbërjen e tij ky Ansambël ka: grupin e valltarëve, grupin e muzikantëve si dhe grupin e këngëtarëve. Ansambli Folklorik Tirna performon folkun tradicional shqiptar si; këngë, valle, melodi, lojëra popullore etj. Pjesa më e madhe e këtij repertori i përket Tiranës dhe rrethinave të saj, por nuk mungon edhe një shumësi pjesësh nga të gjithë trevat e Shqipërisë anembanë, gjithashtu një pjesë e repertorit i përket edhe Kosovës. Gjithçka e interpretuar realizohet drejtpërsëdrejti. Muzika, veglat e përdorura madje edhe kostumet janë origjinale sipas traditës së krahinës së cilës i përket pjesa e interpretuar. Performancat e ansamblit përfshijnë një variete të larmishme kostumesh nga zona të ndryshme të vendit, si dhe instrumente muzikor të veçantë, të cilët janë të realizuar nga mjeshtrat më të njohur të etnografisë tonë. Ansambli Folklorik Tirana është anëtar i CIOFF që nga viti 1994 dhe ka marrë pjesë në të gjithë aktivitetet ndërkombëtar të folkut të zhvilluar anembanë botës. Drejtori Artistik i Ansamblit Folklorik Tirana është Xhelo Çuni.

**************
Cirku i Tiranës
Cirku i Tiranës u krijua në vitin 1952, si bërthamë e parë pranë Estradës së Tiranës. Telat Agolli, Bajram Kurti, Xhuzepina Prendi (Shkurti), Bardhyl Jareci, Abdyl Karakashi ishin të parë që themeluan trupën e cirkut, e cila në vitin 1959 doli me premierën e parë Shkopi Magjik. Ndërsa në vitin 1964 premiera Fluturime akrobatike ishte vizioni drejt së ardhmes, ku cirku u konsolidua me profile, u shtuan varietetet etj., si dhe fuqia artistike. Në vitin 1973, Cirku u nda më vete si institucion nga Estrada nga ana buxhetore dhe artistike, premierat u shtuan, po ashtu shfaqet në rrethe, niveli artistik pati rritje. Dy vjet më pas vjen çadra e cirkut, ndërsa në vitin 1976 u shfaq premiera Drejt lartësive e para në çadrën arenë të cirkut. Kjo e plotësoi cirkun me varietete të reja me kuadrin artistik, me koncepte regjisoriale dhe artistike. Kjo i dha hapësirë cirkut në krijimtari duke fuqizuar aktivitetin artistik, ku çadra shëtiste ishte në rrethe të kategorisë së parë

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›