E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Askush s’mund të tjetërsojë Skënderbeun



“Diktatori shpalli armike familjet e mëdha”

Konferencë për familjet fisnike të vendit

Pas Kryeministrit Sali Berisha, edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, heq çdo dyshim mbi dualitetin e faktorit shqiptar lidhur me Skënderbeun, duke mos hezituar t’i quajë këto ide si mendje dashakeqe. Në cilësinë e Presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi siguroi dje shqiptarët se nuk do të reshtë përpjekjet e tij për të marrë në mbrojtje figurat historike të kombit. Në këtë mënyrë, kreu i shtetit ka ndërhyrë në debatin e ditëve të fundit për origjinën dhe rolin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Gjatë një konference për familjet e mëdha dhe fisnike të Shqipërisë, të organizuar dje në sallën e Akademisë së Arteve, kreu i shtetit vlerësoi figurën e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, si thelbin e vetëdijes kombëtare shqiptare. Sipas tij, janë mendje të robëruara ata që sot kërkojnë të zhvlerësojnë simbolin tonë kombëtar. “Kjo është një përpjekje e mjerueshme”, - pohoi z. Topi. Presidenti citoi figura të njohura si Fan Noli dhe Volteri për të konkretizuar qëndrimin e tij se Skënderbeu mbetet shpirti i historisë së mesjetës, por edhe njeriu që realizoi bashkimin e parë politik dhe ushtarak të shqiptarëve. “Ndokush mund të ketë xhelozi për Heroin tonë Kombëtar, për bëmat, famën, marrëdhënien, që ai ndërtoi me kombin e tij dhe Evropën ushtarake e politike të kohës duke u përpjekur sot ta ridimensionojë atë. Ndonjë mendje e robëruar, e pajisur me një guxim regresiv, përpiqet sot të tjetërsojë rolin e Skënderbeut në historinë tonë apo në historinë e qytetërimit Evropian. Kjo është një përpjekje e mjerueshme, sepse historia nuk pranon leksione: ajo jep leksione. Hipotezat e humbasin terrenin përballë fakteve. Interpretimi kërkon moralitet të lartë dhe profesionalizëm”. Duke folur për familjet e mëdha shqiptare, Presidenti Topi nënvizoi se kanë qenë ato që më së shumti kanë vuajtur diktaturën e regjimit komunist dhe se viti 1990 e gjeti këtë shtresë si komponentin më të vetëdijshëm që kërkonte ndryshim. “Komunistëve u duhej që të shpikej “armiku i klasës apo i popullit” dhe për këtë stigmatizuan dyert e mëdha shqiptare. Si pasojë, ata provuan asgjësimin fizik, burgun, internimin, konfiskimin e pronës, humbjen e të gjitha të drejtave, veprime këto me pasoja afatgjata të mirëmenduara”, - u shpreh z. Topi. Pak kohë më parë, një botim i një studiuesi austriak, mbështetur edhe nga disa analistë shqiptarë, hapi debatin mbi figurën e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti, në opinionin publik. Në këtë botim studiuesi vinte në pikëpyetje origjinën e Skënderbeut. Por, sipas Presidentit Topi, Skënderbeu ishte realiteti, modeli dhe simboli i një kauze të shenjtë, i lirisë kundër robërisë, ishte prijësi i një lufte të drejtë, heroike e mbrojtëse si dhe burri i shtet-formimit dhe se efektet e këtij kontributi nuk u zbehën asnjëherë. “Ato ishin brumi i Rilindjes Kombëtare deri në nëntorin e vitit 1912, në përpjekjen sublime për pavarësi dhe shtet shqiptar, thelbi i identitetit kombëtar dhe i vetëdijes bashkëkohore. Të qenit në anën e drejtë, e bën atë lëndë për qindra e mijëra libra që u shkruan gjatë shekujve”, - deklaroi z. Topi. Në takimin e djeshëm merrte pjesë edhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili vlerësoi se simbolet shqiptare janë të paprekshme dhe të përbashkëta për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. "Ky është fillimshekulli i shqiptarëve dhe mbi shpatulla marrim përgjegjësi për punë të mëdha, me përgjegjësi të ecim përpara, mes shqiptarëve të mos ketë kufij", - theksoi z. Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›