Njohja e Kosovës, kusht për hyrjen e Serbisë në BE

Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, të martën mori pjesë në konferencën “Mbi Dialogun”, të organizuar nga “Projekti për Marrëdhënie Etnike”, ku pjesëmarrës ishin shqiptarë dhe serbë nga Kosova. Në këtë forum u diskutua për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Tahiri, e cila udhëheq delegacionin e Kosovës në bisedimet teknike me Serbinë, foli për efektet e dialogut, duke thënë se me dialog synohet përmirësimi i jetës së qytetarëve dhe se po ashtu, dialogu kontribuon në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ky normalizim i plote arrihet pas njohjes reciproke të dy shteteve, ka theksuar zëvendëskryeministrja Tahiri, duke thënë më tutje se si efekt tjetër i rëndësishëm është edhe rëndësia e qasjeve evropiane në dialog.
Zëvendëskryeministrja Tahiri ka theksuar se ka përparime substanciale që nga fillimi i këtij dialogu që kanë të bëjnë për çështjet në fushën e lëvizjes së lirë, tregtisë së lirë, energjisë dhe çështjet e telekomunikacionit. Por ajo bëri të qartë se vijat e kuqe për të cilat nuk do të bisedohet janë statusi dhe integritetit territorial i Kosovës, i cili siç tha ajo është i pacenueshëm.
Po ashtu, rregullimi i brendshëm i Kosovës është çështje e sovranitetit të institucioneve të Kosovës, ka theksuar zëvendëskryeministrja, duke shtuar se bashkëpunimi evropian është shumë i rëndësishëm dhe se për t`u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, Serbia e ka kusht ta njohë pavarësinë e Kosovës.