Nobelisti Ferid Murati viziton Shkupin

Ferid Murati / Foto arkiv
Nobelisti shqiptar, dr. Ferid Murati, ka mbërritur në Shkup, për të marrë pjesë në ceremoninë e shpalljes së tij Qytetar Nderi i Komunës së Çairit dhe përurimin e një bulevardi me emrin e tij.
Në një njoftim të Komunës së Çairit bëhet e ditur se nobelisti shqiptar me prejardhje nga Maqedonia do të shpallet qytetar nderi në mesditë nga ana e kryetarit të kësaj komune, Izet Mexhiti.
Gjithashtu, është parashikuar edhe një ceremoni me rastin e përurimit të bulevardit që do të mbajë emrin e shpikësit të viagrës.
Në kuadër të kësaj vizite është planifikuar edhe prezantimi i librit biografik me titull “Ferid Murati, krenaria jonë” si dhe një bashkëbisedim me adhuruesit e librit në Librarinë e Çarshisë në Shkup.
Nobelisti Murati do të vijojë axhendën e tij të takimeve të niveleve të larta institucionale dhe shkencore në Maqedoni. / INA