MADRID – Sanchez: Armët që po i dorëzojmë Kievit nuk do të përdoren në territorin rus

MADRID, 27 maj /ATSH-ANSA/- Armët që po i dorëzojmë Kievit nuk do të përdoren në territorin rus, tha sot kryeministri spanjoll Pedro Sanchez.
“Ne nuk mendojmë për një përdorim të tillë”, tha ai në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Sanchez nuk specifikoi se çfarë lloj armësh do t’i jepen Kievit, por theksoi se Spanja do të sigurojë pajisje ushtarake të negociuara aktualisht me qeverinë ukrainase.
Kryeministri spanjoll tha se Madridi po furnizon Ukrainën me raketa “Patriot”, duke konfirmuar dërgimin e tankeve “Leopard” dhe municioneve të tjera.
Zelensky kujtoi se iu desh të vononte vizitën e tij në Spanjë për shkak të problemeve në frontet e Kharkivit dhe Donbasit.
“Ushtria ruse ka përdorur mbi 3000 raketa në një muaj. Të shtunën, dy raketa ruse dogjën një nga qendrat më të mëdha tregtare në Kharkiv”, tha Zelensky.
“Ishte një treg civil ku njerëzit po merrnin furnizime, të shtunën në mëngjes, ishte një sulm i qëllimshëm, i llogaritur ku vdiqën 16 njerëz”, tha Zelensky, në Madrid ndërsa luftimet intensive ndodhën në 24 orët e fundit në Ukrainën lindore, veçanërisht në Kupiansk dhe Pokrovsk.
“Nuk ka mjaftueshëm raketa kundërajrore për të ndalur 3000 raketa të drejtuara ndaj nesh, nuk ka numër të mjaftueshëm për t’i zmbrapsur ato, kjo është arsyeja pse ne vazhdimisht kërkojmë ndihmë”, shtoi ai. //a.i/