Noka-Svensson: Suedia mbështet integrimin e Shqipërisë
Tiranë- Kreu i Ministrisë së Brendëshme, Flamur Noka, ka pritur sot në një takim të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës së Mbretërisë së Suedisë në Tiranë, Patrik Svensson. Temë e bisedimeve ka qenë rendi në vend, por është folur edhe mbi procesin e integrimit.
Sipas zyrës së shtypit të MB- së, Svensson theksoi se Suedia do të vijojë të mbështesë Shqipërinë në rrugën e integrimit europian, pasi vendi i tij është një ndër vendet që përkrah pa asnjë rezervë zgjerimin e BE-së.
Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim për sa i përket nivelit shumë të mirë dhe efektiv të bashkëpunimit dhe shprehën bindjen se ky bashkëpunim do të vijojë duke u forcuar në të ardhmen dhe duke u konkretizuar me projekte të tjera konkrete.
Ndërsa ministri Noka, ndër të tjera, çmoi kontributin e qeverisë suedeze për projektet mbi qeverisjen vendore dhe decentralizimin, si edhe projektin për policimin në komunitet.
Mbetemi totalisht të përkushtuar në zbatimin e plotë të projektit lidhur me policimin në komunitet, pasi është e ardhmja në thelbin e marrëdhënive të qytetarit me Policinë, por edhe për projektet e tjera me interes të përbashkët,- tha ai.
/IDEA/