E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nokia 6700 Classic, prarohet celulari që nuk njeh krizë



Në Nokia duket se nuk “mërziten” fare për recesion, kur kemi parasysh versionin e artë të modelit të popullarizuar 6700 Classic. Edhe pse në Nokia gjatë kohëve të fundit po luftojnë me shitjen e dobët, e me këtë edhe me financa të zvogëluara, këto “imtësi” nuk po i ndalojnë nga përpunimi i celularëve luksoz. Bëhet fjalë për prezantimin e modelit të artë “6700 Classic”.
Ky celular është mbështjellë me ari 18-karatësh dhe kënaqësi shtesë të luksit ofron edhe çanta për bartje, e cila shitet me celularin. Gjithashtu, në paketë merret edhe kartela e memories microSDHC me kapacitet prej 8 GB. Detajet teknike të pajisjes janë identike me ato në versionin e thjeshtë të celularit. Në të gjendet ekrani 2.2 incësh me rezolucion prej 320x240 piksela dhe fotoaparati me rezolucion prej pesë megapikselash. Nokia 6700 Classic në versionin e artë do të paraqitet në tregje të zgjedhura gjatë tremujorit të parë të vitit të ardhshëm. Çmimi i paralajmëruar për Europë është 370 euro.

Windows Live Messenger

Vjen me version të ri modern

Windows Live Messenger, për disa i njohur si MSN Messenger ka ndryshuar emrin si pjesë e tentimit të Microsoftit t’i ofrohet komunitetit online. Aplikacioni më i popullarizuar për komunikim të çastit ka arritur në versionin final - 9. Në versionin e ri Live Messenger ofron një varg përmirësimesh dhe funksione të reja. Veçoria më e theksuar e re është pamja e re me dizajn laraman, larg prej pamjes standarde të aplikacioneve të Windows. Atë mund ta përshtatni duke zgjedhur ngjyrën dhe skemën e cila u pëlqen. Me qëllim të mirëmbajtjes së rregullit dhe shfletueshmërisë së dizajnit të ri shiriti i menysë (menu bar) është fshehur nën disa butona në skajin e djathtë të lartë. Nëse doni, mundeni që kohë pas kohe të konfiguroni pamjen standarde të shiritit të menysë duke shtypur butonin Alt. Windows Live Messenger 9 ofron një numër të madh të “emoticons” dhe “winks” të cilët mund t’i përdorni për bisedë më zbavitëse me miqtë tuaj.

12 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›