E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tata Nano Europa, paraqitet versioni europian i automjetit



Versioni europian i automjetit më të lirë në botë është paraqitur në fillim të këtij viti në panairin e automjeteve në Gjenevë, ndërsa në rrugët europiane do të gjendet nga fillimi i vitit 2011. Përfaqësuesve të përzgjedhur të disa nga mediet më të mëdha botërore u është paraqitur automjeti në formën e tij më të re. Fotografitë e këtij modeli mund t’i shihni në pamjet e këtij teksti dhe na duhet të themi se Nano i vockël po bëhet tërheqës çdo ditë e më shumë. Sa për rikujtim, ky automjet do të futet në lëvizje nga motori 1.0 litërsh me tre cilindra dhe rreth 60 kuaj fuqi, i cili do të çiftëzohet me marshin mekanik prej pesë shpejtësish. Versioni origjinal indian ka katër shpejtësi, e në Evropë i është shtuar edhe një për të zvogëluar emetimin e gazrave të dëmshme. Ndryshe, ky automjet në tregun e vet lokal ka filluar të shitet në fillim të këtij viti me çmim më të ulët se 2.500 euro. Europianizimi i tij, respektivisht pak më shumë komfort, disa shtime të sigurisë dhe shtojca të ngjashme, do t’ia ngrenë çmimin prej 4.500 deri në 5.500 euro. Pritet që Nano të bëj “boom” të madh në tregun europian dhe se kjo gjë do t’i shtyjë shumë prodhues të rishqyrtojnë çmimet e tyre të automjeteve.

Audi e-Tron
Super automjeti elektrik merr dritën e gjelbër

Kur merret parasysh se Benz Mercedes ka njoftuar se do të prodhojë versionin elektrik të automjetit të vet GT SLS AMG, ka qenë vetëm çështje kohe kur edhe Audi të konfirmonte prodhimin e modelit të vet R8, i njohur ndryshe si e-Tron. Ky automjet në formë koncepti fillimisht na është paraqitur në panairin e sivjetshëm në Frankfurt. Ai është bazuar në automjetin Audi R8. e-Tron ka katër elektromotorë, në secilin bosht nga një, i cili në përgjithësi zhvillon 313 kuaj fuqi dhe moment rrotullimi prej 4.500 Nm. Si i tillë, e-Tron mund të kalojë 250 kilometra. Audi ende nuk e ka publikuar çmimin e automjetit të parë të tij komercial, veçse ka informuar se do të jetë më i shtrenjtë se R8 kur të del në shitje për dy vjet. Prodhuesi gjerman nga Ingolstadti gjithashtu ka njoftuar se planifikon të prodhojë vetëm një mijë njësi të këtij modeli.

12 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›