E Shtunë, 31 Tetor 2026

Andis Harasani, autobusë falas për tifozët e Partizanit

Nga ILIR CARA

Deputeti Harasani njihet si dashamirës i të kuqve dhe prej muajsh po mundohet për të afruar investitorë të fuqishëm për ta ringjallur legjendën

Partizani është mysafir në Cërrik të dielën, ku do të luajë një sfidë, që vendos shumë për objektivin që kanë kryeqytetasit, ngjitjen në kategorinë e parë. Duke qenë ndeshje jetike, pritet që skuadrën ta mbështesin edhe një numër i madh tifozësh, që do të udhëtojnë nga Tirana. Deputeti Andis Harasani njihet si dashamirës i të kuqve dhe prej mujash po mundohet për të afruar investitorë të fuqishëm për ta ringjallur legjendën.

Mësohet se Harasani është pranë Partizanit edhe në këtë moment vendimtar, ku për të krijuar një atmosferë sa më të ngrohtë për ekipin në transfertën e Cërrikut, deputeti ka vënë në dispozicion dy autobusë për tifozët, që kërkojnë ta shikojnë ndeshjen e së dielës. Pra, tifozët e kuq do të kenë mundësinë të udhëtojnë falas me shpresën se, pas përfundimit të ndeshjes me Turbinën, Partizani do ta ketë siguruar ngjitjen direkte në kategorinë e parë.

Përveç atyre që do të udhëtojnë nga kryeqyteti, Partizani pritet të gjejë në Cërrik dashamirësit e tij, që shtrihen në mbarë Shqipërinë. Thirrja e tifozëve të kuq, që do të udhëtojnë nga kryeqyteti, por edhe e futbollistëve të Partizanit, është që të dielën ata të jenë sa më të shumtë në stadium dhe të gjithë së bashku të festojnë ringjalljen e legjendës së futbollit shqiptar.

Formacioni Stafi teknik i demave të kuq nuk ka qenë i qetë gjatë kësaj jave, pasi nuk e ka të plotë grupin. Katër prej titullarëve, Lleshi, Batha, Bërdaj dhe Verli, ndodhen në Gjermani, pasi janë pjesë e kombëtares studentore, që ka shkuar për një turne miqësor. Njëkohësisht, i pamundur është edhe Bleta, i cili është i pezulluar për shkak kartonësh.

Katër futbollistët e kuq që ndodhen në Gjermani kthehen të shtunën dhe, me shumë gjasa, nuk do të përfshihen për ndeshjen me Turbinën. Dje të kuqtë kanë kryer një ndeshje kontrolli dhe nga ajo që u vërejt, Partizani mund të luajë me këtë formacion: Myrta, Sharra, Boja, Bozho, Çullhaj, Xhepa, Gjeçi, Xhafa, Tata, Maho, Gjoka

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›