E Diel, 1 Nëntor 2026

Nora Malaj në “News24”: Pritshmëri pozitive për Ramën e Metën, dinë të menaxhojnë

TIRANE - Anëtarja e kryesisë së LSI-së, Nora Malaj vlerëson dy liderët e partive kryesore të koalicionit fitues të 23 qershorit, duke shprehur bindjen se ata kanë aftësitë e duhura për të mirëmenaxhuar vendin.

E ftuar në rubrikën “Opinion” në “News24”, zonja Malaj theksoi se pranimi i postit të kryetarit të Kuvendit nga lideri i LSI-së Ilir Meta, është një nga ndihmesat më të mëdha që i vjen politikës shqiptare.

“Kam shumë pritshmëri pozitive se për fatin e mirë kemi dy liderë që e njohin mirë menaxhimin. Zoti Meta kur ka qenë kryeministër ka menaxhuar situata të vështira. Zoti Rama kur ka qenë ministër i Kulturës dhe kryetar bashkie, bëri një ndryshim të jashtëzakonshëm. Jam e bindur që të dy këta njerëz kur u është dhënë pushteti i plotë për të menaxhuar, kanë mirëmenaxhuar shumë mirë. Ky është një koalicion shumë i ndjeshëm që ka një objektiv shumë të qartë dhe largpamës, që lidhet me integrimin”- deklaroi Malaj.

Në lidhje me programin qeverisës të 300 ditëve të para, Malaj tha se grupi i punës ka përfunduar shtyllat kryesore të këtij programi, që siç tha ajo, do të bazohet në veprimet më emergjente.

“Në 300 ditë do bëhen ato që quhen veprimet më emergjente. Në 300 ditë të ndihet ndryshimi. Aty ku humbet besimi, njerëzit kanë nevojë për të besuar. Taktikat e suksesshme sjellin sukses.”- theksoi Malaj.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›