Mançester Junajtid ofron 30 milionë euro për Fabregas
Mançester Junajtid ka bërë një ofertë prej 30 milionë euro, si çelësin e hapjes së negociatave për mesfushorin e Barcelonës, Çesk Fabregas. Duke parë se Tiago Alkantara zgjodhi të bashkohet me ish-trajnerin e vet, Pep Guardiola, te Bajerni i Mynihut sesa të lëvizte për në “Old Traford”, drejtuesit e “djajve të kuq” e kanë kthyer vëmendjen e tyre nga ish-kapiteni i Arsenalit. Pas parashtrimit të ofertës të hënën, Mançester Junajtid tani duhet të presë qëndrimin e Barcelonës në lidhje me mesfushorin e njohur. Fabregas shpesh luftoi për të fituar vendin e titullarit te Barça në sezonin e kaluar dhe herë pas here u vërshëllye nga mbështetësit e tij, kur paraqitej dobët. Spanjolli u largua nga “Emirates Stadium” për në “Kamp Nou” në verën e vitit 2011 për një shumë 29 milionë euro. Arsen Venger është i prirur për ta forcuar skuadrën e tij këtë verë dhe ka qenë në kontakt me ish-mesfushorin e tij, duke e pyetur në lidhje me situatën e tij aktuale në Katalonjë. Pavarësisht besimit të Junajtid, nuk dihet nëse oferta 30 milionë euro për Barcelonën dhe 6.2 milionë paundë pagë për lojtarin në vit do të jenë të mjaftueshme për ta bërë realitet transferimin. Pengesë bëhet Tiago Alkantara. 22-vjeçari përfundoi lëvizjen te Bajerni i Mynihut, ndaj e bën të domosdoshëm qëndrimin e një mesfushori si Fabregas në radhët e katalanasve, ndryshe ky repart dobësohet shumë.