Dajti: Dua mjek në burg,Gjykata rrëzon kërkesën
TIRANE - Gjykata për Krimet e Rënda rrëzoi dje kërkesën e Dritan Dajtit për dërgimin e një mjeku në Spitalin e Burgut për ekzaminimin shëndetësor dhe psikik të tij. Kërkesa u artikulua nga mbrojtësi ligjor i të akuzuarit për ekzekutimin e katër punonjësve të policisë në 7 gusht të vitit të kaluar. Vetë i pandehuri Dajti nuk ishte i pranishëm në proces. Gjithashtu gjykata rrëzoi dje edhe kërkesën e të pandehurit Ergest Xhoxhi për veçim dhe gjykim nga dy të pandehurit e tjerë dhe kërkesën e të pandehurit Mariglen Muça, për shpallje mos kompetencën e gjykimit nga Krimet e Rënda. Siç ndodhi një seancë më parë kur Dajti refuzoi gjykatën, edhe dje ai mungonte në proces dhe përfaqësimi i tij behej prej avokatit të zgjedhur nga familja. Kryesuesja e seancës pohoi se “gjykata e vlerëson mospraninë e Dajtit në proces si refuzim” dhe deklaroi mungesën e tij. Në vijim gjykata ligjëroi avokatin Arben Qeleshi si mbrojtës të Dajtit. Duke pretenduar se Dajti është në gjendje të rënduar shëndetësore në Spitalin e Burgut, mbrojtësi Qeleshi i kërkoi gjykatës dërgimin e një mjeku që do të shqyrtonte gjendjen shëndetësore dhe psikike të klienit të tij. Për klientin tjetër të tij, të pandehurin Ergest Xhoxhi, kunatin e Dajtit, avokati kërkoi veçimin e dosjes. Ndërsa mbrojtësi i të pandehurit Mariglen Muça, ish oficerit të policisë së Durrësit, kërkoi që gjykata të shpallte moskompetence për gjykimin e klienitit të tij. Pas tërheqjes në dhomën e këshillimit, togat e zeza vendosën rrëzimin e të tria kërkesave. “Avokati nuk ka paraqitur asnjë akt apo shkresë që të shërbejë si e dhënë, për gjykatën për të urdhëruar ekspertim psikofizik të të pandehurit Dajti”, u shpreh kryesuesja e seancës, gjyqtarja Nertina Kosova. Për ndarjen e gjykimit të të pandehurit Xhoxhi, gjykata vlerësoi se nuk ishin kushtet e duhura proceduriale ku parashikohet ndarja e procesit. Ndërsa për kërkesën e Muçës, gjykata vlerësoi se ai është i pandehur në një procedim të lidhur me dy të pandehurit e tjerë dhe si i tillë do të gjykohet tek Krimet e Rënda. Dritan Dajti akuzohet për vrasjen e 4 policëve, agjentë të Grupit Operacional Special, që po tentonin ta arrestonin. ar.ba